Miratohet SPAK, hapet rruga për hetimet e zyrtarëve të lartë

Parlamenti miratoi mbrëmë me konsensus dhe 122 vota ligjin për SPAK duke i hapur rrugë ngritjes së Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë Antikorrupsion që do të hetojnë implikimin e zyrtarëve të lartë në afera të ndryshme të korrupsionit dhe krimit. Kryetari i opozitës kishte paralajmëruar një ditë më parë votën e opozitës për këtë ligj, i cili kishte marrë konsensus pas rishikimit të bërë me kërkesë të deputetëve të PD. Nuk ka qenë e lehtë arritja e këtij dakordësimi mes pozitës dhe opozitës, pasi që nga dita e parë e Reformës në Drejtësi, Rama ka synuar kapjen e këtij institucioni për të bërë më pas vetë edhe kryeprokurorin edhe gjyqtarin në dënimet e rivalëve politikë. Pas ndërhyrjeve të forta dhe këmbënguljes së opozitës është arritur konsensusi për të gjitha nenet e ligjit.
Projektligji për ngritjen e institucioneve antikorrupsion, i quajtur ndryshe ligji i SPAK-ut, rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale, përgjegjëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë deputetët e PD nuk shprehën qëndrimin e tyre për 5 ligjet e tjera të paketës për Reformën në Drejtësi. Pas largimit nga Kuvendi, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi sqaroi qëndrimin e PD. Ai tha se për ligjin e SPAK u zgjidhën çështjet themelore të draftit kushtetues edhe në bashkëpunim me OPDAT.
Ndërsa sipas Bylykbashit, për ligjet e tjera “pati sjellje arrogante, ne na u refuzuan të gjitha propozimet”. “PD votoi në parim, nen për nen dhe në tërësi ligjin për SPAK, ligjin për organet kundër krimit të organizuar. Votuam, sepse u zgjidhën të gjithë çështjet themelore të draftit kushtetues. Në bashkëpunim me OPDAT u zgjidhën këto çështje. Ligji SPAK mori mbështetjen e plotë të grupit parlamentar të opozitës. Eshtë ligji më i rëndësishëm i paketës, pasi shënon rritje të dukshme të efikasitetit kundër krimit dhe korrupsionit. Ramës iu hoqëm duart nga Byroja Kombëtare dhe e Hetimit. Duhet të kenë frikë nga zbatimi i këtij ligji.
Ligjet e tjera i bënë me sjelljen e tyre tipike dhe arrogante, ne na u refuzuan të gjitha propozimet. Ai që spikat më shumë është ligji për organet e sistemit për të arritur konsensus, por ligjin e transformuan. Atë që nuk e merrnin me 94 vota, në mënyrë tinëzare e marrin me 84 vota. Duke qenë se ky ligj dhe të tjerat që vijnë më pas, ishin jo vetëm probleme antikushtetueshmërie, por edhe probleme të tjera. Do të shqyrtojmë të gjithë argumentet edhe ato kushtetuese për të shqyrtuar këto çështje”, tha deputeti Bylykbashi.
Ligji i miratuar dje sipas propozimeve të opozitës dhe konsultimeve me ekspertët e misionit OPDAT, parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm nga Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, komision që do të përbëhet nga dy prokurorë, një gjyqtar, një hetues byroje dhe nga një punonjës i hetimit financiar. Komisioni i Posaçëm do të hetojë pasurinë dhe figurën e kandidatëve dhe brenda 120 ditëve do t’i dërgojë Byrosë hetimin për pasuritë e anëtarëve të komisionit, që do të zgjidhen me short, i cili do të monitorohet nga Avokati i Popullit.

Si do bëhet verifikimi për pasurinë dhe figurën

Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, pasi merr nga institucionet përkatëse të emërtesës deklaratat sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni, kryen verifikimet e nevojshme për pasurinë dhe figurën dhe, brenda 120 ditëve, i dorëzon institucionit të emërtesës një raport të hollësishëm mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtinë e figurës, si dhe çdo dokumentacion tjetër mbështetës të paraqitur nga vetë kandidatët apo institucionet shtetërore, të cilat bëhen pjesë e dosjes së kandidatit, sipas legjislacionit në fuqi. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve, përveç dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët, mund të kërkojë të dhëna ose informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror në lidhje me kandidatët. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve u kërkon informacion institucioneve shtetërore, objekti i ligjshëm i veprimtarisë së të cilave lidhet me hetimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi pasurinë dhe figurën e individit, duke i caktuar detyra konkrete dhe afate për përmbushjen e tyre. Institucioni shtetëror përkatës është i detyruar që të paraqesë informacionin ose dokumentacionin e kërkuar brenda 15 ditëve nga data e njoftimit. Këto akte bëhen pjesë e dosjes së kandidatit dhe trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Të dhënat dhe informacionet zyrtare mund t’i vihen në dispozicion kandidatit, mbi bazën e një kërkese të arsyetuar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar. Në rast se përhapja e informacionit apo dokumenteve cenon informacionin e klasifikuar sekret apo sigurinë publike, atëherë Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve, pasi njihet me to, nuk i përfshin në dosjen individuale të kandidatit dhe është i detyruar të ruajë konfidencialitetin mbi përmbajtjen e tyre.

Pesë pikat kyçe të ligjit për ngritjen e trupës antikorrupsion

1.Kandidati për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në Gjykatat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojë kushtet e sigurisë përpara se të caktohet apo punësohet në një nga këto pozicione. Asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë ose të punësohet pa plotësuar këto kushte. Të njëjtat kushte duhet të plotësohen nga çdo punonjës i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kryejnë funksione hetimore ose funksionet e të cilëve mbështesin drejtpërsëdrejti hetimin. Kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit janë:
a) kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës; b) dhënia e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim, sipas Shtojcës B1 të këtij ligji; si dhe c) dhënia e pëlqimit prej anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën anëtari i afërt i familjes plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim sipas Shtojcës B2 të këtij ligji.
2. Kandidatët, bashkë me kërkesën për aplikim, plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratat e kontrollit të pasurive dhe të konfliktit të interesit pranë institucioneve përkatëse të emërtesës. Nëse, gjatë 180 ditëve para se të paraqiste kërkesën, kandidati ka kaluar një kontroll të kryer prej Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, i cili nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë ky kriter do të konsiderohet si i përmbushur.
3. Kandidati plotëson Deklaratën e Kontrollit të Figurës sipas Shtojcës A të këtij ligji dhe e dorëzon atë tek institucionet e emërtesës.
4. Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë Vetë Deklarimin sipas Shtojcës B3 të këtij ligji, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo punësohet, telekomunikimet e tyre si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, si dhe i dorëzojnë ato tek institucionet e emërtesës.
5. Gjykatat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit krijojnë Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, të përbërë nga:
a) dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
b) një gjyqtar të Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
c) një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
ç) një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Artikulli paraprakKriteri për tenderin e kryebashkiakut të Vlorës: Fituesi të ketë diplomë të ‘71
Artikulli tjetër6 të vrarë në 24 orë, vendi në duart e krimit