Qeveria e Kosovës gjatë javës së kaluar me procedurë të përshpejtuar e ka dërguar në Kuvend Ligjin për Trepçën. Ky ligj pritet të miratohet gjatë ditës së nesërme nga ana e të zgjedhurve të popullit.
Por procedimi i kësaj çështje me procedurë të shpejtë në Kuvend ka ngjallur edhe reagime nga deputetët, njohës të çështjeve ekonomike, por edhe të Odës Amerikane që vepron në Kosovë.
Në një prononcim për Gazetën Express, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është shqetësuese që një ligj kaq i rëndësishëm si ky i Trepçës të vonohet për vite me radhë nga ana e Qeverisë, e në fund të procedohet në Kuvend në mënyrë të përshpejtuar.
Madje Zeka thotë se, Ligji për Trepçën po trajtohet nga ekspertë, të cilët nuk janë të trajnuar për të dhënë kontribut rreth çështjes së Trepçës.
“Është për keqardhje që një ligj kaq i rëndësishëm si ky që pritet të rregullojë çështjen e një ndërmarrjeje strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit vonohet për vite të tëra dhe në fund trajtohet me procedurë të shpejtë, pa diskutim të mirëfilltë publik, posaçërisht me ekspertët e fushës, të cilët do të mund të jepnin kontribut të vlefshëm në aspektet teknike të ligjit”, ka thënë Zeka.
E Oda Ekonomike Amerikane edhe më parë ia kishte bërë me dije Qeverisë së Kosovës se ndërrimi i statusit të Trepçës nga ndërmarrja shoqërore në atë publike nuk do t’i zgjidhte problemet e saja.
“Secili iluzion se Trepçës do të mund t’i kthehej nami i dikurshëm me investime të shtetit, do të ishte jo vetëm i pamundur, por edhe i dëmshëm në aspekt të trajtimit të ardhshëm të kësaj ndërmarrje”, ka thënë Zeka.
Ndër të tjerash, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Ligji për Trepçën duhet të hapë mundësinë e përfshirjes së kapitalit privat e sidomos atij të huaj, që do të përkthehej në investime të reja teknologjike dhe rritje të kapaciteteve të prodhimit në këtë ndërmarrje.
Ndërkohë kreu i Kuvendit Kadri Veseli, dje u ka dërguar draftin e projektligjit për Trepçën, i cili do të votohet nesër në Kuvend.
E dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ia kishte zgjatur afatin Qeverisë së Kosovës deri më 2 nëntor të këtij viti, për përgatitjen e planit të riorganizimit për të parandaluar futjen e “Trepçës” në likuidim.
Nga kompleksi i dikurshëm i “Trepçës”, aktualisht në gjendje pune janë vetëm minierat e Stantërgut, Novobërdës dhe ajo që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës. Mineralet bruto që nxirren prej tyre shkojnë për eksport, por kostoja nuk arrin të mbulojë as pagat e 2.400 punonjësve, ndaj prej vitesh, ato subvencionohen nga qeveria.