Bizneset dhe ndërtesat e zyrave pranë Shtëpisë së Bardhë kanë mbyllur me dërrasa dyert dhe dritaret në pritje të trazirave të mundshme ditën e zgjedhjeve në kryeqytetin e vendit.
Ekipet e punëtorëve ishin në vende të shumta në Uashington, D.C., të shtunën duke siguruar me kompesatë vitrinat e dyqaneve, disa metra larg vendbanimit të presidentit dhe ngjitur me shëtitoren Black Lives Matter.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, forcat amerikane të zbatimit të ligjit po përgatiten për një sërë kërcënimesh të mundshme, nga aktet spontane të dhunës e deri tek sulme më të organizuara dhe ndoshta të planifikuara.
Departamentet e policisë në qytetet kryesore në të gjithë vendin thonë se po planifikojnë të vendosin më shumë punonjës të rendit në rrugë ose në gatishmëri, nëse ka probleme.
Më shumë se 90 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës – rreth 65 përqind e pjesëmarrjes totale në zgjedhjet e vitit 2016, sipas Projektit për Zgjedhjet Amerikane, në Universitetin e Floridës.
Sondazhet tregojnë se Presidenti Donald Trump është pas ish-nënpresidentin Biden në shkallë kombëtare, por gara është e ngushtë në shtetet më konkurruese që do të vendosin fituesin e zgjedhjeve. Votuesit thonë se koronavirusi është shqetësimi i tyre kryesor.