Manchester City ka filluar të mendojë për merkaton e transferimeve të vitit 2017. Trajneri Pep Guardiola ka kërkuar investime të tjera për përforcimin e skuadrës, pavarësisht shpenzimit të 200 milionë eurove në verën e këtij viti. Sipas tabloidit “Daily Mirror”, “citizens” janë gati të shpenzojnë 168 milionë euro për blerjen e 3 futbollistëve. Një prej emrave që është shënuar në listën e dëshirave të trajnerit Guardiola është ai i Hektor Bellerin, kartoni i të cilit te Arsenali vlerësohet 45 milionë euro. Mbrojtësi i ri i “Topçinjve” është vënë edhe në shenjën e Barcelonës, ku ai është i formuar si futbollist. Megjithatë do të jetë e vështirë që Arsenali të heqë dorë nga shërbimi i tij me klubin anglez që i ka ofruar rinovimin e kontratës futbollistit edhe për 5 vjet të tjerë.
Futbollisti i dytë në listën e objektivave të Man. City është Leonardo Bonuçi dhe ky nuk është aspak një lajm i ri. Vlera e kartonit të mbrojtësit italian arrin deri në 68 milionë euro, shifër të cilën është gati ta paguajë edhe skuadra e Chelsit për ta sjellë në “Stamford Bridge”. Por luftën më të madhe duket se City do ta bëjë me Realin e Madridit. Klubi anglez ka vënë në shënjestrën e tij edhe Pierre Emerick Aubameyang në gjurmët e të cilit është vënë prej kohësh klubi “merenges”.
Sulmuesi nga Gaboni ka gjetur akordin me drejtuesit e Dortmundit për largim në verën e ardhshme, por porta e Realit të Madridit mund t’i mbyllet për shkak të ndëshkimit të FIFA. Vlera e kartonit të Aubameyang arrin deri në 56 milionë euro.
Ndërkohë, Juventusi është gati t’i shesë Antonio Kontes mbrojtësin Leonardo Bonuçi, por vetëm nëse Çelsi është gati të shpenzojë një shifër shumë të lartë për futbollistin në fjalë. Gjatë verës, sipas mediave angleze, klubi londinez ofroi 60 milion euro për të siguruar futbollistin, por italianët e refuzuan këtë shifër duke preferuar që të mbanin qendërmbrojtësin në radhët e tyre. Sipas “The Sun”, futbollisti është gati të shkojë në Londër nëse klubet gjejnë një akord mes tyre. Ky akord mund të arrihet, nëse Çelsi pranon kërkesën e Juventusit, edhe pse do të thotë që për Bonuçin do të thyhet një tjetër rekord i transferimit të futbollit botëror.