Është zyrtare, Mauro Icardi do të mbajë të veshur fanellën e Interit të paktën deri në vitin 2021. Lajmin e bën të ditur në adresën zyrtare në internet klubi milanez që sqaron se palët kanë arritur marrëveshjen dhe tashmë kontrata e re është hipotekuar në federatë. Mauro Icardi do të vazhdojë të përfaqësojë ngjyrat tona deri në vitin 2021. I lindur në Rosario në vitin 1993, Icardi erdhi te Interi në sezonin 2013-2014 nga Sampdoria. Që prej asaj periudhe, ai ka luajtur 114 ndeshje me 58 gola të shënuar, duke arritur një nga mesataret më të mira në historinë zikaltër. Historia vazhdon”, shkruhet në komunikatë. Një lëvizje që u jep fund zërave për një largim të mundshëm të kapitenit nga Milano.
Gjatë kësaj vere, argjentinasi ishte shumë pranë transferimit te Napoli, por bisedimet mes klubeve dështuan, pasi ishte presidenti Eric Thohir, ai që vendosi veton për bllokimin e marrëveshjes. Icardi ishte gjithashtu një nga emrat më të lakuar të merkatos europiane, ku disa prej gjigantëve të kontinentit shfaqën interesim konkret, por përmirësimi i termave financiarë në kontratën e re e bën praktikisht të pamundur largimin e tij nga Interi gjatë viteve të ardhshme. Sipas mediave italiane, ai do të përfitojë rreth 5.5 milionë euro në sezon.