Plani ndaj spanjollëve

Spanja nuk është Lihtenshtejni dhe Xhani De Biazi s’mund të dalë nga roli. Shqipëria do të rikthehet ajo e zakonshmja nesër në “Loro Boriçi”, me skemën e preferuar të trajnerit italian, 4- 5-1. Një tjetër strategji do të ndiqet ndaj iberikëve, nisur edhe nga cilësia e madhe që ka kundërshtari, i cili vjen në Shkodër me synimin e vetëm për të marrë tri pikë.
Çdo gjë është e qartë: kërkohet një skuadër kompakte, me një mbrojtje të hekurt, mesfushë me shumë muskuj dhe një kundërsulm “vrasës” për të përballuar yjet e Spanjës. Burimet bëjnë të ditur se, italiani ka në kokë të paktën tri ndryshime në krahasim me ndeshjen në Lihtenshtejn.
Befasia e madhe pritet të jetë ndryshimi në sulm. Edhe pse nuk mund të flitet me siguri, gjasat janë që De Biazi të heqë dorë nga bomberi Bekim Balaj, duke i besuar Sokol Cikalleshit ndaj Spanjës. Duke iu përshtatur kundërshtarit, por edhe karakteristikave të Cikalleshit, mendohet se “muri” i kuqezinjve për të mos lënë hapësira do të nisë pikërisht nga sulmuesi kavajas.
Gjendja e fushës së stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë tema më e diskutuar nga spanjollët gjithnjë që përmendej ndeshja ndaj Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye, përfaqësues të gazetës së njohur spanjolle “Marca” kanë vizituar paraditen e sotme stadiumin e Shkodrës për të parë nga afër fushën.
Në një raportim të postuar në sajtin zyrtar, së bashku me një video, spanjollët shkruajnë se fusha është në gjendje të mirë dhe nuk do të përbëjë aspak problem për përfaqësuesen e tyre, shkruan “Panorama Sport”. Ata raportojnë se fusha është disi e thatë, por fakti që pritet të ketë rreshje shiu do ta zgjidhë edhe këtë problem.
Në stërvitjen e zhvilluar në Itali, para nisjes për në Shqipëri, trajneri Julen Lopetegui është përpjekur të gjejë formulën e duhur për përballjen ndaj kuqezinjve. Ai kërkon të fokusojë përgatitjet e ekipit te gjuajtjet në portë, për të zhvilluar një lojë që të funksionojë njësoj si ndaj Lihtenshtejnit në pjesën e dytë, ndeshje të cilën e fituan 8-0.
Serxhi Roberto pritet të aktivizohet si titulluar në “Loro Boriçi” dhe diçka e tillë do të sillte një ndryshim taktik. Planet e Lopeteguit po bëhen pa shërbimet e Saul Nigezit, i cili në momentet e fundit u vendos që të mos udhëtonte drejt Shqipërisë. Gjatë seancës stërvitore ka pasur kritika të trajnerit për Diego Kostën dhe Serxhio Ramosin. I pari për sjelljen anti-sportive ndaj Italisë, që për pak e la skuadrën me 10 lojtarë, dhe i dyti, për penalltinë e shkaktuar, e cila solli dhe barazimin e rezultatit.

Artikulli paraprakZyrtare, Inter-Icardi deri në vitin 2021
Artikulli tjetërLeo Mesi më i miri gjatë 2016-ës