Vokshi në Forumin e grave të PPE: Shqipëria, Kolumbia e Evropës

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi deklaroi në Kongresin e Forumit të Grave Popullore Evropiane se Shqipëria rrezikon të kthehet në një “Kolumbi” në Ballkan për shkak të lidhjeve të qeverisë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës.
Vokshi deklaroi se, Partia Demokratike dhe LDGSH kanë nisur takimet me qytetarët për të denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin dhe për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe mafia e plehrave. Ajo kërkoi ndihmën e Forumit të Grave Popullore Evropiane për të lobuar me kancelaritë perëndimore për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë kritike që rrezikon edhe procesin e integrimit në BE.
Vokshi shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të vrasjeve për shkak të konflikteve për parcelat e drogës si dhe rritjen e përdorimit nga ana e fëmijëve e të rinjve. Trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë dhe familjet e varfëra për të mbjellë kanabis, duke sjellë edhe rënien e sektorëve të tjerë prodhues të ekonomisë (bujqësia, fasonët etj). Ndërsa në raportet sekrete ka të dhëna se ryshfeti për drogën shkon deri në qeveri. Edhe në mediat më prestigjioze po shkruhet se qeveria e Tiranës po e përdor drogën për të mbajtur pushtetin, tha deputetja Vokshi në takimin e europarlamentarëve dhe përfaqësuesve të qeverive të djathta europiane.
Gjatë fjalës së saj, Vokshi theksoi shqetësimin për thellimin e varfërisë te gratë dhe të rinjtë. Referuar raporteve të Bankës Botërore, gjysma e popullsisë jeton në minimumin jetik, me më pak se 500 lekë në ditë, pasi korrupsioni është i përhapur në çdo qelizë të qeverisjes.
“Shqiptarët kanë frikë të flasin nga varfëria dhe po shfrytëzohen për punë të rënda dhe të paligjshme bashkë me fëmijët e tyre dhe gratë e pambrojtura. Papunësia është rritur ndjeshëm tek gratë (në rajone të caktuara edhe 50-70%); politikat qeveritare i mbyllën dyert e universiteteve mijëra vajzave që investuan për 12 vjet për t’u arsimuar. Pa punë, pa akses në arsim e shëndetësi, pa shpresë, e vetmja mundësi për shumë gra dhe vajza mbetet azilimi. Vokshi falenderoi qeveritë e vendeve Europiane që mikpritën familjet shqiptare që emigruan nga varfëria dhe papunësia.
Censurimi i medias, përndjekja e gazetarëve që hiqen nga puna për denoncimet që i bëjnë korrupsionit dhe krimit shtetëror ishte një tjetër shqetësim që znj. Vokshi ndau me pjesëmarrëset në takim.

Artikulli paraprakPR: Me paratë e drogës po përgatitet blerja e votave
Artikulli tjetërSkllevërit punojnë në arat e Habilajve të Tahirit