Prof Dr Fatmir Terziu
Hyrje
Ndërsa lexon romanin e fundit të Vili Minarollit “Oligarkët” sjell në plan të parë arsyen me të cilën Walter Benjamin e sqaron më së miri thelbin “se autoriteti i një narrativi varet aq shumë nga kuptueshmëria e tij”, saqë vetëm kur ai bëhet i tillë, i kuptueshëm, i qartë me thjeshtësinë e tij mund të rritet në të vërtetë nga errësira dhe dritëhijet e tjera. Me këtë citim, Benjamin, na ofron të nënkuptohet dhe ajo që jep vetë thelbin e narativit, që qartëson se ai që nuk di të komunikojë, ose komunikon keq, në një kod që i përket vetëm atij ose disa të tjerëve, „është i papëlqyer, dhe përhap vetëm zullum për veten e tij e regres për pjesën tjetër“. Nëse ai komunikon keq qëllimisht, Benjamin shprehet se „ai është i lig, ose të paktën një person i paqëndrueshëm“, sepse sipas tij ai imponon ankth ose mërzi tek lexuesit e tij. Ndaj Minarolli, jo më kot tek ky roman paraqet stilin e thjeshtë mbi baza estetike dhe praktike, kjo e fundit nga përvoja e tij e gjatë në politikën e pas viteve nëntëdhjetë, ku natyrshëm ka se çfarë të huazojë nga Orwell, mbi moralin dhe rrjedhat politike.
Stili senekan, ose tradita e stilit të njohur
Stili i thjeshtë e ka mbartur kryesisht leximin në dritën që duhet për të parë e dekoduar politikën e errësirës. Ndryshe nga mjaft shkrimtarë të tjerë, që shpesh nuk arrijnë të zotërrojnë stilin e thjeshtë, si formë e domosdoshme e letërsisë në tema të tilla, Minarolli jo vetëm që e bën pronë të narrativit të tij, por edhe e thek akoma më sqimët për t’u bërë realisht i denjë dhe i kuptueshëm për një masë të gjerë e të madhe lexuesish. Këtë në jo pak raste ka përdorur Orëell, i cili është konsideruar si mjeshtri i këtij stili i shekullit të njëzetë. Ky stil i thjeshtë, i njohur si tradita e stilit „të njohur“ të përfaqësuar nga Dryden, Swift, Defoe dhe Hazlitt, shkon edhe në një narrativ me tematikë informale, biseduese, të pastër, lëvizëse e të shpejtë. Ky stil dihet tashmë, se që në vitet gjashtëdhjetë, kishte fituar besnikërinë e shumicës së intelektualëve.
Paragrafi i parë: “T’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim pronën e tyre.” shkroi Aleksi, por nuk vazhdoi ç’ka u tha më tej. Kur ngriti kokën, vuri re se edhe folësi e kishte ndërprerë leximin dhe me një buzëqeshje që nuk iu duk natyrale, po vështronte tej e përtej sallën. Pastaj vazhdoi leximin: “Pasuria e tyre na përket neve, se ne e bëmë.” vazhdoi të shkruante Aleksi dhe ra në mendime, pa pasur ndonjë interes në ato që po dëgjonte mȅ tej . Iu kujtua familja e tij, prindërit, vëllai më i madh dhe një motër që kishte në fshat, të cilët punonin në kooperativë.”
Paragrafi i dytë: “Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, të cilin e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”
Paragrafi i tretë: “Kam ardhur të takoj disa familje, shumica në fshatra, që kanë njerëzit e tyre jashtë, kryesisht prej atyre që janë arratisur. Njerëzit e tyre jashtë u dërgojnë herë pas here dollarë, por, që kur ne, domethënë shteti,- vazhdoi të shpjegonte ai,- filloi tua blinte me njëzet lekë një dollarë dhe jo me shtatëdhjetë si më parë, ata nuk po kthejnë më. Ne erdhëm t’u mbushim mendjen që të na i shesin neve. Ti e kupton nevojën që ka shteti për valutë… Por, si duket, edhe ata presin të vijë një kohë tjetër. Ja, për këtë, siç e kemi edhe porosinë, erdhëm të kërkojmë ndihmën tuaj. ”
Duke mos u ndalur në atë që lexuesi e kupton fare thjesht mes stilit të thjeshtë tek romani, sikurse dhe tek këto tre paragrafë të shkëputur, le të themi qartë se gjuha dhe mesazhi i narrativit janë një variacion tipologjik, rrëfyes dhe sqarues, mjaft fluid, që duke pranuar për hir të argumentit vlerën e domosdoshme të koncepteve Lacaniane, ne mendojmë se vetëm këto paragrafë, ose këto fjali në këto shembuj mjaftojnë të themi se e gjithë e shkruara e romanit është sipas standardeve të stilit të thjeshtë, ku natyrshëm dhe logjikshëm sintaksa nuk torturohet, idea dhe thelbi i saj nuk bëhen tërkuzë, por pikëtakojnë tërë ato që ka pasur në mendje autori dhe ato që dalin si dytësore në prurjen e tij.
Duhet të sqarojmë se në retorikë, termi stil i thjeshtë i referohet fjalës ose shkrimit që është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i drejtpërdrejtë. Njihet gjithashtu si senekan, që vjen nga koha e shkrimeve filozofike të shkrimtarit Seneka, (rreth 4 para Krishtit – 65 pas Krishtit) që ishte një burrë shteti, filozof dhe dramaturg romak. Kjo vjen nga stili afektiv i Senekas, që është shumë deklamues në marshimin e tij të efektit të tingullit për t’i dhënë jehonë fjalës së tij të shkruar, në nuancat e vetë mesazhit që metohet. Në kontrast me stilin madhështor, ky stil nuk mbështetet shumë në gjuhën figurative. Stili i thjeshtë lidhet zakonisht me shpërndarjen e informacionit nga fakti, si në shumicën e shkrimeve teknike. Sipas Richard Lanham,“tre vlerat qendrore” të stilit të thjeshtë janë “Qartësia, Shkurtësia dhe Sinqeriteti” (Analizimi i Prozës, 2003).
Retrospektiva narrative mes këtij stili
Rrjedhat në narrativ nuk janë thjesht një bosht që sillet dhe rrethrrotullohet në pikiatën e tipit Aleks Kristo, që “ndonëse nuk ishte aktiv në këto ndryshime dhe zhvillime, e kuptonte se ngjarjet po ndiqnin pikërisht rrjedhën”, por një arsye më shumë me të cilën retrospektiva narrative kërkon të bëjë diskursin e ngjarjeve mes këtij stili të lartcituar. E me këtë stil kuptohet më së miri se si “së pari u krijua Komiteti i Helsinkit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, me në krye njeriun që lidhej drejtpërdrejt me nivelet më të larta të nomenklaturës komuniste”. Më tej stili i tillë na jep qartë restrospektivën “Në javën e parë të dhjetorit u organizua një takim i të parit të vendit me një grup studentësh dhe pedagogësh, që në dukje u zgjodhën nga vetë studentët, por në të vërtetë lista e emrave pjesëmarrës, me ndonjë përjashtim, dhe e personave që do t’i propozonin, ishte hartuar më parë nga operativët e Sigurimit të Shtetit, të cilët ndiqnin nga afër veprimtarinë e universitetit.” Detajet e autorit janë mjaft efikase në këtë retrospektivë, pasi na jepet qartë të kuptojmë se “Në këtë takim, pas ditirambeve që u thanë për kreun e vendit, sidomos nga pedagogë anëtarë të partisë, ky i fundit tha se ishte për pluralizmin politik dhe u propozoi pjesëmarrësve të krijonin partinë e tyre.” Ky pluralizëm politik tashmë kishte vënë në skalion të parë angazhuesit e dritëhijeve dhe duke bërë lojën e studentëve “vendosën krijimin e partisë së parë opozitare, në drejtim të së cilës ishin jo pak komunistë apo njerëz të lidhur me nomenklaturën komuniste, si dhe nga ata që kishin qenë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Pas së parës parti politike, si kërpudhat pas shiut mbinë një sërë partish të tjera, në dukje si etje e një populli që i kishte munguar për gati gjysmë shekulli pluralizmi politik, por në të vërtetë ishte realizimi i një skenari të hartuar me mjeshtëri për ta zhvlerësuar që në embrion këtë proces të rëndësishëm për demokracinë e porsalindur.”
Dhe fill pas kësaj retrospektiva qaset duke e parë Aleksin, aktiv, vëzhgues të gojës së tregut, kapitalist me cigaret e Turqisë, rregullator në dogana, kafepirës i “Dajtit”, kartmonedha mbajtës dhe lëshues i bëshëm i zërit në TV…, pra Aleksi që tashmë fliste dhe piqte rrugën e ndritur të kapitalizmit, të cilën e kishte sharë dhe mallkuar me rrënjë e me fis më parë: “Tjetri e vështroi përmes tymit të cigares si pa ndonjë interes të veçantë dhe pa folur i tregoi me dorë karrigen.
– Ju dëgjova mbrëmë në takimin me kreun e shtetit dhe doja të bisedoja për ndonjë bashkëpunim të mundshëm, kuptohet, me interes të ndërsjellë.
– Kush jeni ju dhe përse është fjala, se nuk po ju kuptoj?
– Keni të drejtë. Më quajnë Aleks dhe kam disa muaj që kam krijuar një kompani. Jo ndonjë gjë e madhe, por kam blerë disa mjedise që mund t’ju interesojnë.
– Ku i keni këto mjedise?- foli ai me një ton, në të cilin Aleksi dalloi interesimin e tjetrit.
– Më falni. Pa dashje dëgjova bisedën me ata të dy që ikën dhe e kuptova se përse interesoheni. Mjediset i kam edhe në qendër, por nga sa dëgjova mbrëmë ju interesoheni për të ndërtuar.
– Po, kemi rënë dakord për ndërtime në qendër, që ta shndërrojmë krejt qytetin.
– Kuptohet se fuqia ime financiare nuk më mundëson tani për tani ndërtime të mëdha, por unë kam disa troje të miat këtu në qytet, të tjera në bregdet, sidomos në jug. Kam blerë disa ish-ndërmarrje, të cilat së shpejti fillojnë nga prodhimi dhe jam në lidhje me një kompani turke që prodhon cigare.”
Duke shkëputur këtë paragraf si një arsye më shumë në këtë retrospektivë të narrativit mes këtij stili kuptojmë qartë edhe atë që vetë autori e shkëput nga Volteri, ku mësohet se “Rastësia është një fjalë e zbrazët për nga kuptimi, asgjë nuk mund të ekzistojë pa një shkak.”
Politika e errësirës dhe dritëhijet
Zbulimi i dritëhijeve dhe vetë efektit të errësirës në këtë roman na jep mundësinë të kuptojmë realitetin e kamufluar të asaj kohe të vështirë si të ishte një pikturë, dhe tek ajo pikturë ka me hije të imëta, ku nuk i mungon dritëhija e madhe dramatike. Megjithëse kjo mund të thuhet në mënyrë metaforike, për të treguar emocione gjithëpërfshirëse dhe fluksin narrativ, e njëjta gjë mund të thuhet për mizanskenën vizuale të romanit ku protagonisti nuk është thjesht individi, por e tëra e strukur në këto dritëhije dhe efekti i kësaj errësire të gjatë në një kohë të tillë që është ngulur pikiatë.
Prania e dritës dhe errësirës së mirëfilltë në tablotë përshkruese të këtij romani hedh një themel vizual që shpesh projekton në strukturën më të madhe narrative. Imazhet e dritës intensive dhe hijet e errëta janë të ndërlidhura me goditjen e penelit në mënyrë të ngjashme në komplot, ku dritëhija funksionon si poetikisht dhe narratologjikisht. Ndërsa ky fenomen është delikat faktet dhe përshkrimet e “Oligarkët”, ilustrojnë këtë lojë në hije. Në këtë pikë narrativi sintetizon metoda sasiore dhe cilësore për të theksuar romanin në stilin. etij, për të treguar se si shkrimtari përdorin efekte optike për të kornizuar dinamikën e ngjarjeve teatrore. Aty ku Minarolli përdor dritëhije për të rritur intensitetin dramatik, duket se efikasiteti i saj shtohet dhe e ripërdor atë si një manovër paraprake artistike drejt një mesotinti më të hollë qëllimisht.
Kjo analizë llogaritëse e fjalëve të lehta dhe të errëta në këtë roman sugjeron, në çfarëdo shkalle të vogël që mund të përcaktohen këto trope, Minarolli mund të ketë pasur të drejtë që I vendos edhe kur i mungon “dritëhija”, të paktën në krahasim me një numër të vogël të romaneve të tjera të kësaj periudhe, që përhumben në dilema detajesh. Për të provuar këtë pretendim, duke përdorur konceptet e aspektualitetit “dritë” dhe “errët” natyrshëm nëkuptohen dhe paragrafe të tillë:
Paragrafi i katërt: “Një ditë i erdhi në zyrë një mik i dikurshëm i tij, ish-komunist, që kishte punuar si drejtor në një ndërmarrje jo të vogël të qytetit të tyre. Aty nga viti 1988 atë e arrestuan, duke e akuzuar se në një takim me disa miq në zyrën e tij, pasi kishin konsumuar disa shishe raki Skrapari, njëri prej tyre, që si duket e kish tejkaluar masȅn e tȅ pirit, kishte gjuajtur me shishen bosh në drejtim të fotografisë së varur në mur. Sigurisht lajmi vajti që atë mbrëmje në vesh të Degës së Brendshme dhe po atë natë u arrestuan i zoti i zyrës dhe ai që kishte gjuajtur me shishe. Drejtori u dënua për mungesë vigjilence me pesë vjet burg, ndërsa tjetri me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Për fat, pas dy vjetësh e gjysmë të gjithë dolën me rastin e amnistisë që u shpall pas ndryshimeve politike.
Pikërisht ish-drejtori, Kristaqi erdhi tani në zyrën e Aleksit dhe të dy u përqafuan si dy miq të vjetër. Aleksi nxori nga sirtari shishen e uiskit dhe mbushi deri në gjysmë dy gota jo shumë të mëdha.
– Mos bëjmë ndonjë gabim dhe më kthejnë përsëri atje ku isha,- tha Kristaqi për t’i dhënë humor atmosferës dhe për të nisur bisedën.
– Iku ajo kohë. Vërtet kohë e çmendur,- tha Aleksi dhe trokiti gotën me atë të mikut të tij.
– Mirë thua, ta lëmë mënjanë dhe të shohim përpara,- tha tjetri.
Aleksi e kuptoi se ardhja e tij kish një qëllim të veçantë.
– Mora vesh se ke filluar punë në ministri,- i tha Aleksi.
– Po, ashtu është. U krijua një drejtori e veçantë për ish të përndjekurit politikë dhe drejtuesi, një i njohur nga atje ku isha, më afroi një pozicion, i cili ka të bëjë me politikën që shteti do të ndjekë për të përkrahur këtë shtresë.
– Ka ndonjë gjë tani? – e pyeti Aleksi sa për të vazhduar bisedën.
– Mendimi është goxha i mirë, po deri tani jemi në fazën e organizimit. Se në këtë punë do të përfshihen edhe ministri të tjera, si ajo e Financës, e Ekonomisë apo e Arsimit.
– Po e Arsimit përse?”
Paragrafi i pestë: “Me dhënien e të drejtave të studimit pa konkurs për ata studentë që vijnë nga familjet e ish të përndjekurve politikë. Ti e kupton se atje ku kanë jetuar ata, në internim, edhe shkollat nuk kanë qenë aq cilësore siç janë këtu në qytet. Në rast se do t’i fusje ata në konkurs së bashku me këta të qyteteve, kuptohet se do të dilnin të humbur.
– Ky, për mendimin tim, është një vendim shumë i drejtë.
– Pastaj janë edhe shkollat për gjuhët e huaja në disa qytete, po ashtu me konkurs. Edhe në këto shkolla është hequr konkursi për këta fëmijë.
– Shumë mirë do të bëhet,- tha Aleksi dhe dukej se donte të shtonte diçka.”
Paragrafi i gjashtë: “Ne jemi partnerë, madje shumë të ngushtë. Mua më është dhënë nga votuesit një përgjegjësi, të cilën patjetër duhet ta ndaj me ju. Ju jeni… quajeni veten si të doni, oligarkë apo biznesmenë, por gjithnjë jeni partnerë të qeverive. Sot jam unë, nesër do të vijë një tjetër, unë largohem, por ju do të vazhdoni punën tuaj. Kështu janë ndarë rolet. Dakord jemi deri këtu?- dhe vështroi me radhë secilin prej tyre.- Tani, a ju kam anashkaluar, siç keni menduar?
Asnjëri nuk u përgjigj, por as ai nuk kishte ndërmend të priste ndonjë përgjigje.
– Po, ia dhashë Adrianit aeroportin. Ti Edmond e more konçesionin e pastrimit të qytetit? Po ti Astrit, e more atë të shëndetësisë? Pra, që të mos e zgjas, të gjithë keni marrë, por edhe do të merrni, se punët e vendit nuk mbaruan këtu. Kemi tri rrugë të mëdha dhe kur them këtë kam parasysh fondin që kemi në plan për t’i ndërtuar. Kemi edhe një aeroport tjetër, se pa to nuk kemi turizëm, kemi… Ç’të rri e të numëroj punët që do të bëjmë. Kush do t’i bëjë? Ju ore, ju do t’i bëni, aq sa do të filloni t’i jepni edhe me nënkontraktor. E di unë që kështu do të bëni! Jeni të qartë tani?”
Kjo mënyrë e thjeshtë dhe e qartë e stilit të Minarollit na jep një ngjasi me proporcionet e fjalëve të lehta dhe të errëta në romanet e zgjedhura viktoriane, të munguara në letërsinë shqiptare në të gjitha kohët. Kjo nuk ka të bëjë me strukturën e quajtur të “romaneve të errëta” por sigurisht, me një kërkim të thjeshtë fjalësh që tentojnë dhe mund të zbulojnë në mënyrë të qartë gjerësinë e plotë të shprehjes leksikore, që përcjell një gjendje shpirtërore, një skenë e errët ose mjaft lehtë mund të përshkruhet më shumë e më mirë se sa duhet pa përdorur kurrë fjalët “e errët” ose “dritë“, ose ndonjë prej hiponimeve të tyre.
Konkluzion
Shumë gjerësisht, shoqërimet tradicionale të dritës dhe errësirës janë përkatësisht të njohuara si simbolika të së mirës dhe së keqes. Trajtimi i romanit të Minarollit për “dritën dhe hijen”, kthehet pothuajse menjëherë në një diskutim të moralit dhe “problemit të së keqes”. Një interpretim i dritëhijess që ndalet e s’ndalet në atë nivel, sidoqoftë, humbet shumë. Të lidhura ngushtë janë konotacionet kohore: drita, veçanërisht në imagjinatën konceptuale, mund të thuhet se shoqërohet me të ardhmen dhe progresin, ndërsa e kaluara gjithnjë e më shumë është e mbështjellë me errësirë, kjo e fundit është pasojë e dritëhijeve që mbushin narrativin që rrëfen kohën. Ekziston gjithashtu një konotacion i anatemuar, në vetë titullin e romanit, i cili shton një dimension të mëtejshëm në këtë imazh. Shumësia e kuptimeve të shoqëruara me dritëhije lejon një eksplorim të modeleve të caktuara të paqartësisë, siç është ajo në binaret e vizualit, prekjes, emocionales, epistemologjikes dhe ontologjikes.