23 tonët e kanabisit në Vlorë, aty ku një vit më parë u nis një avion

Parcelat e hashashit të gjetur në fshatin Treblovë të luginës së lumit të Vlorës, ndodhen pikërisht pranë vendit, ku në gushtin e vitit të kaluar u ul avioni me pilotin shqiptar, të arrestuarin në Itali Vilson Lamaj. Prokuroria për Krime të Rënda zbardh detaje të dosjes hetimore, të 23 tonëve të hashashit, (policia këmbëngul se janë 23 kg) ku saktësoi se parcelat ndodheshin shumë pranë vendit, ku vitin e kaluar uleshin avionët për t’u ngarkuar me drogë. Ky fakt, për hetuesit nuk përjashton mundësinë e verifikimit nëse edhe gjatë këtij viti janë ulur avionë në këtë zonë. Apo edhe mundësinë e ndërtimit të këtyre parcelave pranë fushave, që të kenë më të lehtë trafikantët të transportojnë lëndën narkotike drejt Italisë me avion.
Nga ana tjetër, Prokuroria dyshon se për këto parcela kishte dijeni edhe Policia lokale e Vlorës, zyrtarët e të cilës po hetohen nga Prokuroria për bashkëpunim të mundshëm, me oficerin e shpallur në kërkim Renaldo Avduli. Ky i fundit pronar i dy parcelave në këtë zonë dhe personi që i kishte ofruar siguri të arrestuarve Shkëlqim Koçiaj, Taulant Haxhiraj dhe Arjan Hasani. Sipas Prokurorisë, është kërkuar sekuestrimi i materialeve dhe planeve operacionale të Policisë së Vlorës në lidhje me operacionet e asgjësimit të hashashit, për të parë nëse policia ka kaluar pranë tre fshatrave Treblovë, Vranisht dhe Vezhdanisht. Kjo, pasi nga informacionet e marra në rrugë operative nga Shërbimi Informativ Shtetëror, dyshohet se policia ka bërë në mënyrë selektive asgjësimin e parcelave të mbjella me hashash. Pasi këto parcela, dalloheshin qartë nga rruga, pasi ishin ndërtuar edhe kasolle me gjatësi deri 40 metër, ku bëhej procesi i tharjes së kanabisit.
Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” Xhovalin Bakos, i arrestuar në operacionin e 4 tetorit në Vlorë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. Mësohet se 18-vjeçari ka kërkuar lirimin nga burgu, por ka qenë prokurori që ka dorëzuar para Gjykatës disa komunikime, ku tregonte se i riu me kërkesë të Taulant Haxhirajt, kishte dërguar në plantacionet e hashashit sende të ndryshme për punëtorët. Ndërsa për Klajdi Imerin, Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditor, kohë kjo që Prokuroria të gjejë prova që implikojnë të riun në këtë grup kriminal.

Artikulli paraprakDhunoi fëmijët në kopësht, shkon në Gjykatë dosja e Anjezës
Artikulli tjetërGrabitet Argjendaria nën hundën e Tahos