Sondazhi nxjerr statistikën skandaloze: 91% e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria

Largimi nga Shqipëria është e vetmja rrugëzgjidhje dhe shpresë që shohin shqiptarët për të ardhmen e tyre. Varfëria ekstreme, papunësia, mungesa e shpresës, mungesa e mundësive dhe pamundësia për të krijuar një jetë me kushte normale ka bërë që shqiptarët të shohin si rrugëzgjidhje të vetme  largimin nga vendi dhe nisjen e azilimit apo plotësimin e Lotarisë Amerikane.  Dy mundësi këto, që vitet e fundit janë shndërruar në një fenomen për shqiptarët.
Këtë e konfirmon edhe një sondazh i publikuar dje nga faqja opinion.al në të cilën morën pjesë rreth 5 mijë votues.
Pyetja e sondazhit ishte një temë shumë sensitive për aktualitetin e vendin dhe kjo u reflektua edhe në një pjesëmarrje të madhe në sondazh, gati 5 mijë votues.
“A mendoni të largoheni nga Shqipëria drejt një vendi për të ardhme më të mirë?”
Kjo ishte tema për të cilën u pyetën ndjekësit e opinion.al dhe pothuajse me vendim unanim ata kanë zgjedhur alternativën “po”.  91% e votuesve kanë thënë se do të largohen nga Shqipëria drejt një vendi tjetër për një të ardhme më të mirë, duke konfirmuar kështu se jetesa që po bëjnë aktualisht në vendin tonë lë për të dëshiruar.
Nga ana tjetër, vetëm 9%  e votuesve kanë votuar se do të qëndrojnë në Shqipëri, duke shprehur kënaqësi për jetesën në vend.
Shqipëria është një ndër 5 vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian.  Shqiptarët vazhdojnë që të kryesojnë listat e kërkesave për azil në Europë edhe gjatë 2016. Në Islandë Shqipëria renditet e para në listë, ndërsa në Holandë të dytët pas sirianëve. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, 287 100 azilkërkues kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil. Në rang të përgjithshëm të këtij tremujori të parë Shqipëria ka një shifër prej 2%, duke u radhitur së bashku me vende si Eritrea dhe Nigeria. Normalisht lista kryesohet nga Siria me 36% e më pas Iraku dhe Afganistani me 12%. Ndërkohë, janë mbi 1 milion kërkesa për azil që duhet të shqyrtohen nga autoritetet e vendeve europiane. Me 473 mijë kërkesa, 47% në total, Gjermania kryeson listën e vendeve që ka pritur më shumë azilkërkues, ndërsa ndiqet nga Suedia me 15%, Austria 8%, Italia, 6% dhe Franca me 4%. Për sa i përket mbërritjeve të emigrantëve në brigjet italiane, ritmi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë. Sipas statistikave të Bankës Botërore, Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale më 2016.  Në raportin e publikuar nga Eurostat për 2015 për azilkërkuesit të regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë 2015-ës, shifrat flasin negativisht për vendin tonë. Sipas shifrave të publikuara, Shqipëria përbën 5% të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil.

Artikulli paraprakVëllezërit e kryepolicit të Lezhës ruajnë me armë parcelat me kanabis
Artikulli tjetërDitari i drogës, 42.4 tonë janë bllokuar vetëm brenda një jave