Ditari i drogës, 42.4 tonë janë bllokuar vetëm brenda një jave

Prokuroria shqiptare dhe Guardia Di Finanza italiane kanë sekuestruar 42.4 tonë drogë në terrotorin shqiptar dhe në Itali. Operacionet në Shqipëri janë organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të informacioneve të marra nga SHISH për shkak se Policia nuk ka ndërhyrë për të asgjësuar parcelat me kanabis edhe pas urdhërit të organit të akuzës për shkak se drejtuesit e policisë janë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Ndërsa Guardia Di Finanza italiane ka mundur të sekuestrojë 14.4 ton drogë të nisur nga bregdeti i Vlorës dhe Durrësit. Këto dy qytete janë kthyer në baza të nisjes së drogës drejt Italisë pa asnjë problem për policinë. Mediat italiane shkruajnë se, Deti Adriatik është rruga kryesore nga ku hyn kanabisi shqiptar në Itali, prodhimi vjetor i të cilit llogaritet 900 tonë.
5 tetor
23 tonë drogës në Vlorë
Prokuroria e Krimeve të Rënda  më 5 tetor sekuestroi 23 tonë drogë në Vlorë. Policia deklaroi se u sekustruan 10 tonë, por Prokuroria bëri të ditur se sasia e drogës së sekuestruar ishte 23 tonë. Plantacionet me kanabis u zbuluan nga një raport i SHISH dhe më pas, Prokuroria ndërmori operacionin duke ardhur Forcat Speciale nga Tirana dhe Fieri pa e njoftuar Policinë e Vlorës për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie në bashkëpunim me trafikantë që kanë mbështetje nga lart.
30 shtator
Sekuestrohen 5 tonë drogë në Mat
Plot 5 ton kanabis i tharë gati për t’u shitur u zbulua në fshatin Rremull të Matit, pas një hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Punishtja e drogës u zbulua nga përgjime të SHISH, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda organizoi operacionin. Magazina përdorej për të fshehur dhe përgatitur lëndën narkotike për trafikim. Policia deklaroi se u bllokuan 3 ton drogë, por Prokuroria saktësoi se sasia e bllokuar ishte 5 tonë.
25 shtator
Gomonia me 812 kg marijuanë kapet në Leçe
Një tjetër gomone nga Shqipëria me 812 kg marijuanë është kapur dje në Leçe. Mediat italiane bëjnë të ditur se gjatë një operacioni të policisë italiane u bë e mundur kapja e mjetit lundrues me 812 kg marijuanë të ndarë në 30 pako. “Mbi 8 kuintalë marijuanë e nisur nga Shqipëria me vlerë 8 milionë euro u kap nga Guardia di Financa në brigjet e Leçes në Itali, ndërsa dy trafikantë shqiptarë në gomone u arrestuan”, shkruajnë mediat e vendit fqinj.
23 shtator
1.2 ton kanabis kapen në Leçe
Guardia di Finanza e Leçes sekuestroi 1.2 tonë kanabis të mbërritur nga Shqipëria. Fillimisht gjatë operacionit të Guardia di Finanza u sekuestruan mbi 100 kg drogë dhe u vu në pranga një italian dhe katër shqiptarë. Një patrullë e grupit antidrogë, angazhuar në një shërbim patrullimi në afërsi të Komunës Cerano, kanë pikasur dy makina që ishin bërë pis me baltë, një “Toyota” Yaris dhe një “Fiat” Iveco Daily, që udhëtonin njëra pas tjetrës, raportojnë mediat lokale. Efektivët ndaluan mjetet në Roccabascerana dhe në brendësi të furgonit që drejtohej nga 48-vjeçari italian Vittorio P., gjetën 1.2 ton marijuanë të mbështjella me celefon dhe të ndarë në 66 pjesë.
22 shtator
3.2 ton drogë nga Shqipëria në Pulia e Leçe
Policia italiane sekuestroi plot 3.2 tonë kanabis gjatë dy operacioneve në Pulia dhe Leçe. 2 tonë marijuanë nga Shqipëria, 1 kg heroinë, 100 gramë kokainë, dhjetëra bimë kanabis, koli cigaresh kontrabandë e të mira materiale në vlerë rreth 2 milionë euro u sekuestruan nga policia italiane. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, operacioni “Carola” ka marrë emrin nga skafi me të njëjtin emër me të cilin trafikanti italian Alessandro Marchesani po transportonte në Itali rreth 2 tonë marijuanë.
9 shtator
4 ton drogë nga Shqipëria kapet në Itali
Policia italiane ka sekuestruar në Leçe, një sasi rekord prej 3 ton e 900 kg marijuanë që ishte futur nga Shqipëria. Bëhet e ditur se kjo sasi e madhe droge është sekuestruar në dy operacione në rrethinat e Leçes dhe të Brindisit. Sipas policisë italiane, pjesa më e madhe e lëndës narkotike është sekuestruar në Leçe, 2.7 ton. Ndërsa pjesa tjetër e sasisë totale, rreth 1 ton marijuanë u sekuestrua rreth orës 5 të mëngjesit në një autostradë pranë Brindisit. Në pranga ranë 5 shqiptarë. Droga po transportohej me furgon nga dy prej shqiptarëve të arrestuar.
5 shtator
1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Greqi
Policia greke ka bllokuar 1 ton kanabis në zonën detare të Mesologjit në Greqi që po transportohej me një gomone nga Shqipëria. Sipas mediave greke, mësohet se lënda narkotike u gjet në Mesologji, në afërsi të Patras. Mediat greke raportojnë se gomonia vinte nga Shqipëria. Gomonia u braktis nga trafikantët sapo e kuptuan se po ndiqeshin nga roja bregdetare greke.
2 tetor
500 kg kanabis kapen në Bari
Mbi 500 kilogramë kanabis u kapën nga Guardia di Finanza në Bari në një skaf që vinte nga Shqipëria. Bëhet e ditur se skafi me drogë është nisur nga Kepi i Rodonit, pranë zonës së Ishmit. Skafi me drogë është kapur nga Guarda Di Finanza italiane dhe në të udhëtonin dy italianë, një 38-vjeçar me inicialet A.M, dhe një 60-vjeçar me inicialet A.C.
4 tetor
2 ton kanabis e 90 kg heroinë kapen në Rimini
Guardia di Finanza në Rimini më 4 tetor sekuestroi 2 ton kanabis, 10 kg kokainë dhe 90 kg heroinë. Policia italiane bëri të ditur se ka shkatërruar një organizatë kriminale trafikantësh droge e përbërë nga italianë, shqiptarë dhe rumunë. Operacioni i koduar “100%” i kishte nisur hetimet në gusht të vitit 2013. Sipas mediave italiane, 16 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë vënë nën hetim. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, droga trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit nga Shqipëria.
5 tetor
Gomonia me 750 kg drogë kapet në Leçe
Gomonia e radhës me drogë e nisur nga Vlora është ndaluar nga autoritetet italiane. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, gomonia me drogë ishte nisur nga Vlora, ndërsa autoritetet italiane e kanë pikasur në kanalin e Otrantos. “Ka qenë një patrullë e Policisë Financiare me helikopter që ka pikasur gomonen oqeanike tek përpiqej të arrinte brigjet e Salentos në veri të Otrantos”, njoftojnë mediat italiane. Operacioni u zhvillua në ngushticën e Otrantos.

Artikulli paraprakSondazhi nxjerr statistikën skandaloze: 91% e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria
Artikulli tjetërNdotet sërish bregdeti i Durrësit me hidrokarbure, qeveria hesht