7 viktima për konfliktet për trafikun e kanabisit

Trafiku masiv i lëndëve narkotike ka fuqizuar bandat kriminale, e për rrjedhojë ka forcuar gjithashtu përplasjet mes tyre për të kontrolluar terrenin. Si pasojë e kësaj lufte mes karteleve të drogës në vend, niveli i kriminalitetit në vend është rritur, ku vetëm në një hark kohor të më pak se dy javëve janë shënuar plot 7 viktima.
Dje, në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, denoncoi bilancin e frikshëm të viktimave për shkak të narkotrafikut, ndërsa tha se edhe i riu i gjetur i vrarë të premten që shkoi në Shëngjergj ishte viktimë e konflikteve për drogën.
“Viktima në Shëngjergj, i vrarë me armë zjarri, është për parcelat e drogës, dhe me këtë rast bëhen 7 jetët e humbura nga konfliktet për kanabisin vetëm në pak javë. Pse e mohon deri në fund, dhe pse e mbron deri në fund, Edi Rama, drogën dhe Tahirin? Sepse është vetë i përfshirë. Ky është biznesi kriminal që është ndërtuar me lejen dhe bekimin e Edi Ramës.
Karteli i drogës që ka krijuar në vend, është arma e tij që të mbajë me çdo kusht pushtetin, të ruajë miliardat e krimit dhe korrupsionit”, tha Ristani.
36-vjeçari u gjet i vrarë në fshatin Kollogjesh të Shëngjergjit. Bëhet e ditur se, viktima me iniciale B. P., 36 vjeç, banues në Shkozë, është gjetur i vrarë në një stan. Pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një armë zjarri pistoletë. Ishte një telefonatë që njoftoi forcat e policisë për trupin e viktimës. Dyshohet se, personi është vrarë për shkak të konflikteve me drogën, duke iu shtuar kështu listës së viktimave të tjera që kanë humbur jetën për shkak të kanabisit.

Shqiptarët do të dinë të reagojnë ndaj kartelit të drogës

Partia Demokratike paralajmëron se, fundi i kartelit të drogës do të vijë nga reagimi i fuqishëm qytetar. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, ngriti shqetësimin se qytetarët gjenden përballë një pushteti narkotrafikant, ndaj të cilit kërkohet reagim i menjëhershëm.
“Një pushteti që synon të drogojë mbarë vendin. Por shoqëria jonë i ka mekanizmat për ta mbrojtur veten, për ta mbrojtur familjen, fëmijët dhe të ardhmen. Shqiptarët do të dijnë të reagojnë. Shqipëria më mirë pa drogë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, tha Ristani.
Monitorimi nga ajri tregon se, sipërfaqja e mbjellë me drogë në vetëm 17% të territorit që u vrojtua, është 5 herë më e madhe se një vit më parë.
“Vetëm për 17 për qind të territorit 5 herë më shumë drogë se vjet. Po në 83 për qind të territorit që nuk u vrojtua dot? Nuk u vrojtuan dot as brigjet e lumenjve dhe zona të tjera përgjatë akseve kombëtare dhe qendrave urbane, ndonëse janë mbushur me drogë si kurrë më parë”, vijoi Ristani.
Ai tha se droga është shtrirë në gjithë vendin dhe ka pushtuar toka edhe pranë akseve kombëtare si në Rinas, apo në zona urbane.
“Gënjeshtrat dhe mashtrimet e Ramës dhe Tahirit kanë plasur si tullumbace.
Çdo shqiptar e di se, droga ka mbuluar vendin. Por, Rama dhe Tahiri, pasi u fshehën dje pas raportit tronditës, dolën dhe rrahën shpatullat e njëri-tjetrit. Edhe sot, Tahiri tha se: Janë kultivuar 30 për qind më pak drogë dhe policia ka asgjësuar 98 për qind të sipërfaqes së mbjelle me drogë. Tahiri tha sot se, beteja është e pabarabartë dhe kjo e bëka hero Tahirin që po lufton këtë betejë të pabarabartë.
Betejë e pabarabartë, e pabarabartë me kë? Krimi qenka mbi policinë, krimi qenka superior me shtetin? Si pohon vetë Tahiri, duke pranuar pabarazinë me krimin. Pikërisht këtë po themi, me forcë çdo ditë që krimi është mbi shtetin, sepse krimi ka kapur shtetin, sepse krimi është vetë shteti, dhe lufta me shtetin e kriminuar është sigurisht e pabarabartë”, tha Ristani.
Masivizmi i trafikut të drogës po bën që vendi të shkojë drejt destabilizimit, ku madje edhe fëmijët janë të përfshirë tanimë në trafikun e drogës.
“Gjoja Tahiri po punon shumë, por nuk ka arritur së pari të parandalojë mbjelljen e qindra hektarëve drogë, nuk ka arritur të kapë askënd nga bosët e drogës, me përjashtim të të pamundurve. Karteli e ka gjetur zgjidhjen, fajin e ka opozita. Ndërkohë, çdo ditë, nga Ura e Tapizës e deri në Fushë Krujë, në orët e para të mëngjesit, dhjetëra gra e fëmijë transportohen me furgonë në malet e Krujës për të përpunuar hashashin. Nxënësit e shkollave helmohen me drogën që është bërë e pranishme kudo. Banditët ju presin rrugën prokurorëve dhe policia hesht”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Ristani tha se, asnjë trafikant nuk është në pranga, ndërsa kujtoi se mbrëmjen e së premtes, policia me urdhër të Tahirit fshehu ndalimin e Qefalive me 50 kilogramë kanabis të tharë dhe vetëm pas denoncimit të PD, u detyrua të japin informacion.

Artikulli paraprakMaturantët: Protestat nuk do të ndalen. Rama është një turp!
Artikulli tjetërNga 44.7 hektarë vitin e kaluar në 213.7 hektarë kanabis këtë vit