Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu është ftuar nga Europian Society for Quality Research (Shoqata Evropiane për Hulumtime të Cilësisë – ESQR) për të marrë çmimin “ESQR Quality Choice Prize 2016”. “ESQR Quality Choice Prize 2016” njeh organizatat, kompanitë, administratat publike dhe individët me etikën dhe iniciativën që shfaq sukses të jashtëzakonshëm në cilësinë e menaxhimit dhe që maksimizon potencial të plotë të shërbimeve nëpërmjet praktikave të orientuara drejt cilësisë.
Në Berlin të Gjermanisë, të hënën, më 12 dhjetor 2016, Europian Society for Quality Research (ESQR), në kuadër të programit të saj vjetor të njohjes, do të prezantojë “ESQR Quality Choice Prize 2016”, për të zgjedhurit, siç janë: kompanitë, administratat publike dhe organizatat që përfaqësojnë sektorë të ndryhem të Evropës, Azisë, Amerikës, Afrikës dhe Australisë, në konventën e saj që do të mbahet në hotelin “Grand Hyatt Berlin”.
“Është kënaqësia jonë për t’ju informuar se Bashkia Kamëz është e përzgjedhur nga Europian Society for Quality Research të marrë çmimin e sipërpërmendur në Berlin. Ne ju ftojmë ju dhe/ose përfaqësuesit e Bashkisë Kamëz për të marrë pjesë në konventën tonë dhe për të marrë “ESQR Quality Choice Prize 2016” në Berlin”, shkruhet ndër të tjera në letrën dërguar kryebashkiakut Mziu. Konventa dhe ceremonia e dhënies së çmimit në mbrëmjen gala do të zhvillohet të hënën, më 12 dhjetor 2016, në “Grand Ballroom” të hotelit “Grand Hyatt Berlin”.
Liderë të biznesit, ekspertë akademikë dhe profesionistë cilësorë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në eventin e sipërpërmendur dhe momentet më domethënëse do të fiksohen nga fotografët dhe kameramanët. Në mëngjesin e së njëjtës ditë, përveç fjalimeve kryesore të ekspertëve cilësorë, edhe pjesëmarrësit, si përfaqësues të kompanive, organizatave dhe administratave publike do të kenë gjithashtu mundësinë për të mbajtur fjalime rreth aktiviteteve të tyre dhe për të krijuar një lidhje me liderët e biznesit, ekspertët akademikë, shërbyes civilë dhe diplomatë nga shtete të ndryshme.
Kjo është edhe një mundësi e mirë për të takuar dhe për të krijuar kontakte me delegatë nga e gjithë bota, qoftë edhe për partnerë, klientë apo investitorë. The Europian Society for Quality Research (ESQR) është një organizatë, me zyrë qendrore në Lozanë (Zvicër), kushtuar kërkimeve dhe njohjes së teknikave të përmirësimit të cilësisë. ESQR përbën një kontribut pozitiv në kulturën e cilësisë nëpërmjet konventave të përvitshme dhe ceremonive të dhënies së çmimeve në qytetet kryesore. Ajo njeh ekselencën, shpërndan inovacionin dhe të menduarin vizionar, shpërndan njohuritë, ndan praktikat e vlerësimit të komformitetit dhe lehtëson lidhjet.