Lojtarët e kombëtares shqiptare, pas humbjes me Spanjën në “Loro Boriçi” thanë mendimet e tyre. Ja çfarë thanë kuqezinjtë:
Mërgim Mavraj: “Besoj që në përgjithësi derisa pësuam gol u mbrojtëm me mish e me shpirt, ishim kompaktë, sepse e dinim që Spanja do të bënte lojën. Patëm pak fat në pjesën e parë, na shpëtoi Berisha në disa raste. Pasi pësuam gol humbëm shpresat dhe kjo nuk duhet të ndodhte. Është e pamundur që brenda 90 minutave të ndalësh lojtarë të kalibrit të Spanjës. Gabimet tona erdhën nga cilësia e lartë e kundërshtarit. Duke vrapuar pa top aty e kupton se rasti i Spanjës do të vinte. Është normale që të ndodhin gabime individuale. Edhe me Lihtenshtejnin gabuam, por kundërshtari s’kishte cilësi për të na ndëshkuar. Ne nuk u futëm në fushë se do të fitonim, por të bënim që tifozët të na duartrokasin. Për aq kohë sa do ta mbanim rezultatin 0-0 do të rritet shpresa për të marrë rezultat. Jemi realistë që kundërshtarët tanë janë Izraeli, Maqedonia dhe Lihtenshtejni. Nuk është një humbje që na mërzit shumë”.
Bekim Balaj: “Nuk krahasohet me ndeshjet e tjera, diferencat në fushë ishin të mëdha. Bëmë lojën tonë për aq sa mundëm, rezistuam dhe po ta shtynim edhe ca minuta mund të flisnim për një barazim 0-0. Isha më shumë si mesfushor sepse kështu ishin detyrat tona. Ndoshta me 2-3 dalje tentuam të rrezikonim, por Spanja e meritoi fitoren, mori atë që meritonte. Ndoshta kjo ishte mënyra e vetme që mund të pësonim”.
Berat Gjimshiti: “Ndeshje shumë e vështirë me Spanjën, pasi patën disa raste gjatë pjesës së parë. Bëmë më të mirën në pjesën e parë dhe golin e pësuam pas një gabimi. Aty ndryshoi loja. Forma ime? Ishte e vështirë pasi pata probleme në Bergamo. Tani po luaj në vazhdimësi në Avellino dhe kjo po më jep besim”.
Etrit Berisha: “Ishte një koordinim i keq i imi, sepse topin që më erdhi desha ta luaja, por në momentin e fundit Gjimshiti nuk ishte gati. Fatkeqësisht topi shkoi te kundërshtari. Goli sikur na i preu këmbët. Nuk kishim shumë mundësi ku të luanim topin, edhe terreni ishte i vështirë. Loja më pas shkoi ashtu si shkoi. Lojën e përgatitëm sikurse shkoi. E dinim se nuk mund t’i bënim presion Spanjës sepse luajnë thjesht dhe shumë shpejt. Ishte mënyra e vetme për të marrë barazim. Ndoshta dhe pak lodhja apo përqendrimi jo në nivelin e duhur ndikuan për ta humbur lojën. Spanja kundërshtari më i vështirë që kemi patur, humbja pjesë e lojës dhe kur humbet ndaj saj, nuk është tragjedi. Më vjen keq sepse pjesën e parë u mbrojtëm shumë mirë dhe gjërat i patëm nën kontroll”.
Ansi Agolli: “Synimi ynë ishte që ta prisnim kundërshtarin, sepse nuk mund të dilnim në aventurë për të mos pësuar shumë gola. Që të vijë goli dikush duhet të gabojë dhe i ra rasti të gabonte lojtarit më të mirë të ndeshjes”.