Debati i dytë, Trump sulmon me buldozer

“The Guardian”

Donald Trump i zënë ngushtë e shtangu sallën e debatit ditën e dielë duke e kërcënuar kundërshtaren e tij me burg dhe duke e quajtur “djall”. Me një sulm keqdashës kundër Hillary Clinton, e cila u përball me goditje të njëpasnjëshme që nga jeta seksuale e bashkëshortit të saj tek çështjet e Wall Street dhe gjykimin për politikën e jashtme, kandidati republikan e mbizotëroi natën, por nuk u shqetësua aspak që të fitonte zemrën e zgjedhësve.
Në të kundërt, ai e filloi natën duke mbledhur një grup femrash në një konferencë për shtyp për të rishqyrtuar akuzat për ngacmime seksuale nga ana e Bill Clinton-it, përpara se ta godiste akoma më fort kundërshtaren për çështjen e serverit të e-mail-eve. “Mirë, Donald, e di që kërkon të shpërqendrosh vëmendjen sonte”, ia ktheu Clinton. “Mund të bësh gjithçka vetëm për t’u larguar nga fushata dhe nga fakti që republikanët po të braktisin… Gjithçka që dëgjoni nga Donald nuk është e vërtetë, më vjen keq të vazhdoj ta them, por ai jeton në një realitet alternativ”, shtoi ajo.
Kandidatja demokrate lëshoi gjithashtu disa sulme sporadike, duke e akuzuar Trump-in se ndodhet në xhepin e Vladimir Putinit, por u duk e sfilitur nga goditjet e vazhdueshme që mori për rezultatet e saj kur ishte sekretare Shteti. Trump kësaj radhe kishte vendosur të vinte Hillary-n me shpatulla pas murit dhe ta kërcënonte: “Nëse fitoj, do ta udhëzoj prokurorin e Përgjithshëm që të nisë një hetim special për situatën tënde. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë gënjeshtra dhe kaq shumë zhgënjime”, kërcënoi ai.
Clinton tha se ishte një gjë shumë e mirë që dikush me temperamentin e Trump-it nuk ndodhej në krye të zbatimit të ligjit në vend, duke provokuar një tjetër sulm nga ana e tij: “Sepse po të ishte ashtu, do të ndodheshe në burg”, e ndërpreu ai.
Kërcënimet prej luani të republikanit iu kundërvunë madje edhe moderatorëve të Universitetit të Washington-it, të cilëve i tha dhjetëra herë përse po e ndërprisnin dhe nuk i bënin Hillary-t pyetje më të vështira. Pak momente pasi kandidatët u takuan në skenë, pa i shtrënguar dorën njëri-thetrit, nata u kthye në një luftë të shëmtuar fjalësh pa asnjë shenjë civilizimi, një spektakël ndryshe nga çdo debat tjetër presidencial të kohëve të fundit.
Pasi ndoqi për pak kohë pikat e debatit rreth rezultateve politike të Barack Obamës dhe nevojës “për ta bërë Amerikën përsëri madhështore”, Trump u zhyt lehtësisht në një ndërveprim keqdashës me Clinton-in. Dyluftimi nisi menjëherë pasi Trump-it iu kërkua të shpjegohej për një video të vitit 2005 ku ai shfaqej duke thënë se ishte krenar që arrinte “t’i fuste duart femrave” pa pëlqimin e tyre. Ish-protagonisti i një reality show, Trump, më pas kishte kërkuar falje duke thënë se ndihej shumë i turpëruar nga fjalët e tij dhe se kishte qenë thjesht një bisedë informale mes miqsh.
“Unë i respektoj jashtëzakonisht femrat. Askush nuk ka më shumë respekt se unë për femrat”, tha Trump. Clinton u përgjigj duke thënë se videoja përshkruante pikërisht atë çfarë ai mendon për femrat dhe mbi të gjitha, atë që iu bën femrave. “Ai ka thënë se videoja e publikuar nuk e përfaqëson personin e tij, por unë mendoj se kushdo që e ka dëgjuar, e di që ato fjalë e përfaqësojnë më së miri”, tha Clinton.
“Kandidatët e mëparshëm republikanë kanë pasur gjithmonë mosmarrëveshje për çështje politike, principe apo ideale, por kurrë nuk kanë vënë në dyshim aftësinë e tyre për t’i shërbyer Amerikës”, shtoi ajo. Me Trump-in situata është ndryshe. Manjati i biznesit ishte dukshëm i tërbuar teksa Clinton fliste. Duke hedhur poshtë çdo formë pendimi për videon, Trump filloi të përmendte të gjithë incidentet e Bill Clinton-it, duke ngritur akuza të paprovuara se ish-Presidenti kishte ngacmuar seksualisht disa femra. “Nuk ka pasur asnjeri në historinë e politikës që ka abuzuar me femrat”, tha Trump. “Unë i them vetëm me fjalë, ai i ka bërë me vepra”.
Duke refuzuar të kundërpërgjigjej, Clinton-i përmendi fjalimin e famshëm të zonjës së parë Michelle Obama në Konventën Kombëtare Demokratike në muajin korrik: “Kur ata tregohen të ulët, ne tregohemi të lartë”. Por Trump-i as që ishte i interesuar për batuta. Debati u bë akoma më i fortë kur u kthye tek përdorimi i serveri privat të e-mail-it nga ana e Clinton-it kur ishte sekretare Shteti dhe sulmi me buldozer i Trump-it shkaktoi dëmin e dëshiruar.
“Duhet të të vijë turp nga vetja”, i tha Trump rivales së tij, duke ngritur gishtin shumë herë në drejtim të saj. Clinton e sulmoi edhe një herë Trump-in për lavdërimin që i bën Vladimir Putinit dhe theksoi sulmet kibernetike të vazhdueshme nga hakerët rusë në përpjekje për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Kremlini, që do të thotë Putini dhe qeveria ruse, janë duke kryer sulme kundër llogarive amerikane në përpjekje për të influencuar zgjedhjet. WikiLeaks është pjesë e kësaj skeme”, tha Clinton. “Kurrë më parë në histori nuk ka ndodhur që një pushtet i huaj të punojë kaq shumë për të influencuar rezultatet e zgjedhjeve të një shteti tjetër”, shtoi ajo.
Trump u përgjigj duke sugjeruar se, “ndoshta sulmet kibernetike nuk kanë ndodhur” dhe mohoi çdo lidhje të tij me Rusinë. “Unë nuk e njoh Putinin, mendoj se do të ishte fantastike nëse do të shkonim mirë me Rusinë, por nuk e njoh Putinin”. Më pas vazhdoi të këmbëngulte duke përsëritur: “Unë nuk di asgjë për Rusinë”.

Të dy palët deklarojnë fitoren në debat

Vetëm afër fundit të një 90 minutëshi verbalisht të dhunshëm, pati një moment armëpushimi kur kandidatëve iu kërkua të përmendnin diçka pozitive për njëri-tjetrin. “Respektoj fëmijët e tij”, tha Clinton, e cila fillimisht ktheu kokën dhe filloi të qeshë kur dëgjoi pyetjen. “Ajo nuk di të heqë dorë”, u përgjigj Trump. “Ajo nuk i braktis sfidat. Është një luftëtare dhe mendoj se ky është një tipar shumë i mirë”.
Ndërkohë që debati u përshkrua gjerësisht si i egër dhe mizor, fushata e Clinton u shfaq e bindur se zgjedhësit kishin arritur të bënin dallimin ndërmjet dy kandidatëve që kanë përballë. “Sot kishte vetëm një President mbi atë skenë debati”, tha zëdhënëni i Clinton, Brian Fallon. “Pati vetëm një person që shfaqi sjelljen, aftësinë dhe disiplinën për të qenë një President i vërtetë”.
Për sa i përket rivalit Trump, ai shtoi: “Gjithçka, që nga përgjigjet gjarpëruese për politikën, ku shfaqi paaftësi për të kuptuar çështjet e rëndësishme si Siria dhe kujdesi shëndetësor e deri tek gjuha e trupit të tij kur e shihte me kërcënim gjatë përgjigjeve që jepte Clinton, sugjerojnë se ai nuk është një person me temperamentin e duhur për të qenë President”.
Jason Miller, këshilltar i lartë i komunikimeve të fushatës republikane argumentoi se, Trump kishte ngritur pikëpyetjet e duhura kundër Clinton-it dhe se e kishte mundur atë në debat. Mbështetësit e Trump-it gjithashtu e mbrojtën kandidatin e tyre për çështjen e fjalëve që kishte thënë në videon e publikuar. Ben Carson, një ish-rival i zgjedhjeve partiake të kandidatit republikan, këmbënguli se Trump i kishte thënë ato fjalë gjatë një periudhe tërësisht të ndryshme të jetës së tij dhe në atë kohë ishte një donzhuan miliarder, gjë që duket qartë nga gjuha e përdorur në video.
Ish-kryebashkiaku i New York-ut, Rudy Giuliani, mohoi gjithashtu valën e republikanëve që kishin deklaruar gjatë 48 orëve të fundit se nuk do të votonin për Trump-in. “Ndonjëherë, republikanëve fillojnë t’u dridhen gjunjët”, tha Guiliani. “Unë jam republikan me gjunjë të fortë”. Vetëm dy zyrtarë republikanë ndodheshin në dhomën e gazetarëve për të lavdëruar performancën e Trump-it, aleati i vjetër i Trump-it, senatori Jeff Sessions dhe kongresmeni Jason Smith i Misurit. Kur i pyetën rreth pakicës së republikanëve që mbronin Trump-in pas debatit, Smith tha për “The Guardian”: “Më kujtohet ajo që më tha gjyshi im: njerëzit do të të lëndojnë për të ndihmuar veten”.
Republikani i Misurit vazhdoi duke folur për ata që kishin braktisur Trump-in, duke shtuar: “Shumica e njerëzve që janë larguar ishin të fundit që erdhën dhe të parët që u larguan dhe ajo që duhet të mbajmë mend si parti është lufta për principet dhe çështjet madhore, jo të përqendrohemi kaq shumë tek personaliteti”.
Nigel Farage, lider i përkohshëm i Partisë së Pavarur britanike, ndodhej gjithashtu në dhomën e gazetarëve për të mbrojtur Trump-in dhe për të sulmuar Clinton-in si kërcënim ndaj demokracisë. “Nëse vlerësoni demokracinë dhe të qenurit nën kontroll të fatit tuaj, atëherë do të refuzoni idetë e Clinton-it. Kaq e thjeshtë është”, tha Farage.
Një orë pas fillimit të debatit, Trump u përpoq ta shpërqendronte vëmendjen nga videoja e fundit e tij e publikuar ku mburrej duke ngacmuar femrat, duke iu kundërvënë rivales me akuza të ngritura kundër bashkëshortit të saj. Pavarësisht se kishte thënë dikur se preferonte që debati i dytë të ishte për “politikë” dhe jo për “sulme personale”, kandidati republikan mbajti një deklaratë për shtyp të pazakontë me katër femra që kishin akuzuar Bill Clinton-in për ngacmime seksuale. Një prej tyre madje tha: “Bill Clinton më ka përdhunuar dhe Hillary Clinton më ka kërcënuar”.
Teksa fliste në dhomën e konferencave përpara pak reporterëve në një event të publikuar drejtpërdrejt në Facebook, Trump u shfaq bashkë me Paula Jones, Juanita Broaddrick, Kathy Shelton dhe Kathleen Willey. Tre nga katër femrat kanë pretenduar se janë ngacmuar seksualisht nga Bill Clinton, akuza që ai i ka mohuar. Shelton ka qenë viktima e një përdhunimi në vitin 1975 dhe Hillary Clinton u caktua nga Gjykata e Arkansasit që të mbronte përdhunuesin e saj.
Gratë folën me radhë pasi Trump i kishte përgëzuar për kurajën e jashtëzakonshme që po tregonin. Më pas ata iu bashkuan kandidatit republikan në sallën e debatit si të ftuara. “Nuk çuditemi teksa shohim Donald Trump-in të luajë një lojë kaq të pistë”, tha zëdhënësja e Clinton-it, Jennifer Palmieri në kundërpërgjigje të konferencës për shtyp. “Hillary Clinton e kupton që debati presidencial është një mundësi për t’i folur zgjedhësve për çështjet që ata kanë më për zemër dhe spektakli i shëmtuar i ngritur nga Trump-i nuk e ndryshon këtë”.
Deklarata për shtyp u ideua vetëm 48 orë pasi ishte publikuar një video ku Trump mburret se përdor famën e tij për të puthur dhe për të prekur femrat pa pëlqimin e tyre. Videoja kishte kapur Trump-in teksa fliste me Billy Bush në vitin 2005 dhe ku dëgjoheshin thënie si: “Unë i tërheq automatikisht femrat e bukura. Thjesht filloj t’i puth. Jam si magnet. Nuk kam nevojë as të pres… kur je një superyll të lënë të bësh ç’të duash. Mund të bësh çfarë të duash”.
Edhe pse kandidati republikan lëshoi një video publike ku kërkonte falje pas mesnatës së ditët së premte, debati i nxehtë që është krijuar bëri që shumë republikanë të deklaronin se nuk do të votonin më për Trump-in në nëntor. Këtu përfshiheshin ish-kandidati për President i vitit 2008, John McCain, si një numër senatorësh që ndodhen përballë zgjedhjeve të tyre si Rob Portman i Ohios dhe Kelly Ayotte i New Hampshire.
Shumë kanë dalë duke mbështetur bashkëgaruesin e tij, kandidatin për zëvendëspresident, Mike Pence, duke sugjeruar që duhet të ishte ai kandidati kundër Hillary Clinton në zgjedhjet e nëntorit, edhe pse kjo mundësi është e pamundur sipas rregullave të Partisë Republikane. Trump-i po lufton tani kundër një skepticizmi të madh ndërmjet zgjedhëseve femra, gjë që është manifestuar në rënie të ndjeshme të rezultateve të sondazheve që rrezikojnë t’i reduktojnë ndjeshëm shanset e tij për të fituar.
Clinton, nga ana e saj, u shfaq shumë optimiste dhe me humor të mirë pas debatit, duke biseduar dhe qeshur me bashkëshortin e saj Bill Clinton dhe pjesëtarët e stafit teksa priste avionin për në New York. Përpara se të nisej, ajo ndaloi të fliste me reporterët. “U befasova nga orteku i gënjeshtrave. Vërtet mendoj se është e paimagjinueshme se si një person mund të vazhdojë të flasë pa pushim duke thënë një gënjeshtër pas tjetrës. Të gjithë e mbajmë mend që ‘Politifact’ ka thënë se ai është kandidati më gënjeshtar që kanë vlerësuar ndonjëherë. Më duket se kanë vlerësuar se 70% e thënieve të tij janë gënjeshtra, por me siguri sot e ka rritur përqindjen”, tha Clinton.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakShevchenko: Kosova, ekip me potencial
Artikulli tjetërKLSH: Hetimet për Gjiknurin për aferën CEZ u pushuan padrejtësisht