Thirrje kandidatit Trump të largohet

Një anketë me më shumë se 1500 votues e realizuar nga “Politiko.com” dhe “Morning Consult” pas publikimit të regjistrimit, tregon se rreth 70 për qind e demokratëve, por vetëm 12 për qind e republikanëve, mendojnë se zoti Trump duhet të largohet nga gara.
Disa zyrtarë të zgjedhur republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të heqë dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, nuk ka pasur konsensus se kush mund ta zëvendësonte zotin Trump, nëse ai do të dëshironte të largohej.
Ndërkohë, në SHBA ka filluar votimi i hershëm dhe me postë. Vetëm ditët e fundit janë hedhur rreth 400.000 vota. Shtetet në të gjithë vendin kanë shtypur tashmë fletëvotimet me emrat Trump dhe Pence si kandidatë republikanë; ndërkaq fletët e votimit i janë dërguar personelit të shërbimit ushtarak të stacionuar jashtë vendit.
Republikanët kryesorë, duke përfshirë edhe kandidatin për nënpresident, guvernatorin e Indianës Mike Pence, i kanë dënuar komentet e vitit 2005 të zotit Trump.
“Unë nuk i toleroj komentet e tij dhe nuk mund t’i mbroj ato”, tha zoti Pence, i cili anuloi një fjalim të planifikuar fushate të shtunën në Wisconsin, ku pritej të fliste në vend të zotit Trump.
Senatori i Arizonës, John McCain, ish-kandidat republikan për President në vitin 2008, tërhoqi mbështetjen e tij për zotin Trump, por nuk i bëri thirrje të largohet nga gara presidenciale. Edhe ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney, gjithashtu kandidat për President në vitin 2012, dënoi mburrjet seksuale të zotit Trump.
Gjuha vulgare e përdorur nga zoti Trump i vuri në vështirësi gazetat dhe mediat amerikane, të cilat nuk ishin të sigurta se si duhej t’i përshkruanin komentet e tij. Disa prej tyre i shtypën fjalët ashtu siç ishin thënë nga Trump, ndërsa të tjera përdorën eufemizma të ndryshme.

Artikulli paraprakObama: Trump, “i pasigurt”
Artikulli tjetërDom Ernest Troshani, kleriku që u burgos për meshën për Xhon Kenedin