Konferenca në Austri: Shqetësim papunësia e varfëria e të rinjve shqiptarë

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të YEPP (Youth of European’s People Party), forumi i të rinjve të Partive Popullore Europiane i mbajtur në Vjenë. Z. Këlliçi paraqiti para drejtuesve të të rinjve të djathtë europianë nevojën jetike për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke denoncuar fenomenin e blerjes së votës si në rastin e zgjedhjeve në Dibër. Kreu i të rinjve demokratë foli për gjendjen e rëndë ekonomike në vend ku mbi 40% të të rinjve janë të papunë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre duan të largohen nga vendi. Këlliçi mori mbështetjen e drejtuesve të të rinjve të Partisë Popullore Europiane për përballjen e këtyre sfidave të të rinjve shqiptarë. Ai u takua edhe me kryetarin e Junge ÖVP, Forumit Rinor të Partisë Popullore austriake dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm të Austrisë, z. Sebastian Kurz, me të cilin ndau nevojën për më shumë bashkëpunim mes forumeve të të rinjve.
Këshilli i kryetarëve të YEPP miratoi një deklaratë në përfundim të punimeve, e cila u nënshkrua nga krerët e forumeve rinore të 19 shteteve si: Austria, Holanda, Hungaria, Norvegjia, Finlanda, Kroacia, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Irlanda, Shqipëria me titull: “For a new European Centre Right”, pra për një qendër të djathtë të re europiane. Kjo deklaratë e të rinjve të djathtë europianë i kërkon Partive Popullore Europiane hapjen dhe modernizimin e strukturave partiake, hapjen më shumë ndaj shoqërisë civile, ekspertëve, njohjen e gabimeve të së shkuarës, etj.

Artikulli paraprakVeliaj në aferat e tenderave
Artikulli tjetërInkuizicioni, 25 gjyqtarë dhe prokurorë po emërohen