RAI dhe AFP zbulojnë Kolumbinë e drogës

Mediat e huaja vijojnë të raportojnë për situatën e kultivimit të marijuanës në vendin tonë. Agjencia franceze e lajmeve AFP shkruan, se ndër të tjera përveç kultivimit të marijuanës, Shqipëria është kthyer dhe në një vend tranzit për kokainën dhe heroinën afgane.
Shqipëria e vogël malore ka qenë për dekada, vendi më i izoluar i Evropës, por tani 26 vjet pas rrëzimit të komunizmit ajo po del në pah me shenjën e padëshiruar dalluese si prodhuese kryesore e marijuanës për kontinentin. Në malet veri-qendrore të Krujës, Iliri është një prej shumë fermerëve të varfër të Shqipërisë, i cili i është kushtuar rritjes së bimës së paligjshme.
“Unë nuk po bëj ndonjë krim, është dëshpërimi që më shtyu të kultivoj kanabis”, thotë ai. “Unë mezi mbijetoj”, shton 50-vjeçari, duke u përpjekur të justifikojë arsyen e vendimmarrjes së tij pas kthimit si emigrant nga Greqia, i detyruar nga kriza e ekonomike atje.
Në tregun fitimprurës evropian paratë nga marijuana janë joshëse. Dy kilogram farë shiten për 600 euro (670 dollarë amerikanë) – sa çmimi i rreth një ton grurë. Shqipëria është bërë edhe një rrugë kryesore tranziti për kokainën e Amerikës së Jugut si dhe heroinës afgane me destinacion Evropën, duke ia shtuar qeverisë në Tiranë, (e cila dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian) presionin ndërkombëtar për të gjurmuar dhe shkatërruar fusha me kanabis që si pika mbushin fshatrat e thella të vendit.
E vendosur në bregdetin e Adriatikut, Shqipëria ka kushte ideale klimatike dhe gjeografike për tregtinë e kontrabandës. Terreni shkëmbor ku rritet kanabis për Policinë është i vështirë për të ndërhyrë. Dhe bregdeti shqiptar më pak se 100 km (60 milje) larg nga Italia është portë për pjesën tjetër të Evropës Perëndimore.
Bandat kriminale kontrollojnë biznesin, i cili (siç mendon dhe një diplomat i huaj Perëndimor) është i mbushur me “dëshpërimin e fermerëve”.
Iliri mbolli bimën e tij të parë më pak se një vit më parë rrëzë një përroi në një copë toke shkëmbore prapa shtëpisë së tij.
Është e vështirë të bjerë në sy, edhe nga helikopterët italianë të policisë ushtarake që monitorojnë zonën në përpjekjen për të ndihmuar autoritetet shqiptare që të godasin kultivuesit.

“Nuk mungojnë blerësit”

Ndërkohë Xhaferri, babai 82-vjeçar i Ilirit, thotë se kultivuesit e marijuanës “ua shesin të korrat kujtdo që dëshiron të blejë dhe blerësit nuk mungojnë”. Ai thotë se të korrat e tij të ardhshme do jenë pas dy javësh – nëse nuk ndërhyn Policia më parë. Gjithsesi, trafikantët e drogës fitimet nga narkotrafiku i kanë shumëfish më të larta se 2.000-5.000 lekë (15-35 euro) që fitojnë çdo ditë kultivuesit.
I shitur për 200-300 euro kilogrami në Shqipëri, kanabisi arrin 10-fishin e çmimit në Greqi e Itali. Në vitin 2014, Policia Shqiptare nisi një spastrim në qytetin jugor të Lazaratit, njohur si “mbretëria e kanabisit”. Sipas një raporti italian, çdo vit aty prodhohej 900 ton kanabis me një vlerë tregu prej 4.5 miliardë euro – që është një e treta e GDP të Shqipërisë.
Tregtia gjithashtu përfshin policë të korruptuar. Rreth 20 janë akuzuar deri më tani dhe politikanët në të gjithë spektrin e akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje me trafikantët. Krahu i djathtë fajëson qeverinë e tanishme socialiste se e ka kthyer Shqipërinë në “Kolumbinë e Evropës”.
Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu, tha kohët e fundit se, “ka politikanë, të cilët kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Ne e dimë se ka disa anëtarë të Parlamentit, kryetarë të komunave në Shqipëri dhe persona që kanë kandiduar për kryetarë komune, të cilët ishin dënuar për trafik droge në vendet anëtare të BE”, tha ai. Por Lu gjithashtu përgëzoi përpjekjet për të vënë gjërat në vijë, ndërsa shenjat e ndryshimit janë të dukshme.

“RAI” në parcelat e kanabisit: 40 përqind e fitimit për policinë

Dy ditë pas publikimit të raportit të Guardia Di Finanza, televizioni publik në Itali, RAI3, ka transmetuar një reportazh për plantacionet me kanabis të Shqipërisë, të titulluar “bari i fqinjit”. Gazetari Leonardo Zellino ka mundur të hyjë në disa zona të mbjella me drogë pjesa më e madhe e së cilës trafikohet nga vendi ynë drejt Italisë, ku kryesisht zbarkon në Puglia. Gazetari italian ka shkuar në malet e Krujës, rreth 30 kilometra nga Tirana. Gazetari fillimisht prezantohet dhe filmon me kamera të ndezur plantacionet e drogës të shkatërruar nga policia. Për të konfirmuar këtë gjë, ai pyet edhe një shqiptar, i cili shfaqet si një bari dhe thotë se, nuk ka plantacione me drogë.
Kurse, në momentin që gazetari italian fik kameran dhe nuk regjistronte, atëherë “bariu” bëri një telefonatë dhe mori konfirmimin t’i tregonte grupit italian plantacionin e shkatërruar nga policia.
Më pas, gazetari sqaron të gjithë sistemin e ujitjes së parcelave të kanabisit.
“Fusha e marijuanës është e ndërtuar nga një sistem mjaft i zgjuar i renditjes. Niset nga lart ku shohim se ka bidona të mëdhenj të mbushur me ujë dhe më pas përmes këtyre tubave të gomës bëhet e mundur ujitja e çdo bime”, thotë gazetari italian.
Personi i prezantuar si bari mban në dorë edhe një degë kanabisi dhe sqaron se vlen 100 euro. Nga kjo shumë, sqaron “bariu”, 60 euro i merr vet ai dhe 40 euro policia lokale e Krujës që angazhohet për të mos shkatërruar parcelat.
Gazetari thekson gjithashtu se këto plantacione droge në Krujë janë shkatërruar nga Policia e Tiranës, pasi policia lokale është e përfshirë në kultivimin e kanabisit dhe nuk njoftohen për operacionet nga frika e dekonspirimit.
Për këtë, ai interviston dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili nuk pranon se policia është e korruptuar, duke thënë se: “Nëse zbulohen parcela me kanabis në Itali, duhet thënë se policia italiane është lidhur me kultivuesit?”.
Shqiptari: “Nuk ka marijuanë këtu. E sigurt 100% nuk ka.
Gazetari: E, në fakt pikërisht këtu në këto male 30 km larg Tiranës që është zhvendosur zemra e kultivimit të drogës në Shqipëri nga fshati Lazarat më në jug, kryeqyteti evropian i kanabisit para ndërhyrjes së Forcave Speciale. Në malet e Krujës zbresim nga makina ku na bllokon “bariu” i rremë, i cili ndryshon versionin e tij sapo ulim kamerat dhe zbulojmë se po na vëzhgojnë.
Shqiptari: Të kanë parë atje dhe më thanë mua, ik shiko se kanë ardhur me kamera. Aty ka snajper e të qëllojnë.
Gazetari: Pranon të na tregojë kampin e tij me marijuanë tashmë të shkatërruar nga policia, pasi iu dha leja nga një telefonatë. Duhet të lëmë kamerat dhe të përdorim celularët, por kemi besim. Më shumë se një orë ecje në këmbë marijuana është kudo, por nuk mund të ndalojmë guida është e autorizuar të na shoqërojë vetëm në fushën e tij 152 bimë në mal.
Gazetari: Policët kanë prerë gjithçka, policë të ardhur nga Tirana, jo ata që ai i njeh mirë…
Shqiptari: Kjo bën 100 euro, 60 janë për mua 40 për policin.

Berisha: Edi Rama kërkon strehim politik

Ish-Kryeministri Berisha përllogarit se prodhimi total i kanabisit këtë vit arrin më së paku në 20 mijë ton. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Rama po kërkon strehim politik. “Edi Rama kërkon strehim politik, kësaj radhe tek Guardia di Financa, e cila deklaroi në mënyrën më miqësore se ka kontrolluar 17% të territorit të vendit dhe se krahasuar me një vit më parë, sipërfaqja e mbjellë këtë vit është pesëfishuar. Por po të kemi parasysh të gjithë sipërfaqen e vendit, del se prodhimi total i kanabisit këtë vit arrin më së paku në 20 mijë ton.
Rama, i cili nuk la gur pa lëvizur, duke përdorur çdo mjet për të bllokuar dhe modifikuar raportin, tani pas publikimit të tij, bërtet duke besuar se do të bindë shqiptarët se rritja me pesë herë e sipërfaqes së mbjellë me kanabis, nuk është rritje-madje është ulje – dhe se ai ka këputur çdo bimë të mbjellë kanabisi.
Kësaj i thonë se pavarësisht çfarë thonë faktet për kanabisin, qytetarët do të dëgjojnë për suksesin e tij, pasi ai në botë nuk beson gjë tjetër përveçse gënjeshtrat e tij. Kjo është Shqipëria e gjeneratës së kanabisit dhe qenve, që lehin në roje të tij!”, përfundon ish-Kryeministri Berisha.

Artikulli paraprakPAMECA kritikon Prokurorinë për arrrestimet e vrasësve dhe kriminelëve!
Artikulli tjetërRama me Briseidën me çarter në Hamburg