“Exit.al”
Në një konferencë shtypi, të premten e shkuar, organizuar nga Ministria e Brendshme shqiptare së bashku me përfaqësuesit e Misionit të Interforcës së Ministrisë së Brendshme të Italisë, në prani të Ambasadorit italian në Shqipëri, u bënë publike disa të dhëna mbi aksionet e kultivimit të kanabisit në vend. Të dhënat u paraqitën nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Sipas zotit Çako, që nga muaji qershor deri më sot janë zbuluar nga helikopterët e Guardia di Finanza rreth 2 086 parcela të mbjella me kanabis, ku janë llogaritur rreth 750 mijë rrënjë kanabis, nga të cilat mund të ishin prodhuar rreth 200 ton marijuanë për konsum-një bimë kanabis, në varësi të llojit dhe zhvillimit, prodhon 200-500 gram marijuanë për konsum.
Zoti Çako u shpreh se policët italianë kanë pohuar se policia shqiptare ka shkatërruar 99,8 për qind të sipërfaqes së mbjellë me kanabis. Nuk është e qartë se si e kanë vërtetuar këtë gjë policët italianë, pasi në konferencë ata deklaruan se kishin marrë pjesë në shkatërrimin e vetëm 21 parcelave me kanabis, nga 2086 që ata vetë kishin identifikuar.
Ndaj, pyetja e parë që lind është pikërisht kjo: si e vërtetuan policët italianë që 99,8 për qind e parcelave që ata identifikuan u shkatërruan nga policia shqiptare?
Përveç kanabisit të zbuluar nga policia italiane nga ajri, në konferencë u deklarua se policia shqiptare ka shkatërruar, bazuar në zbulimet e saj-pra jo në patrullimet e policisë italiane-më shumë se 1 milion e 650 mijë rrënjë të tjera kanabis. Nëse do të përdornim të njëjtat të dhëna mesatare si ato të zbulura nga policia italiane, kjo sasi kanabisi duhet të jetë rritur në një sipërfaqe të kultivuar prej rreth 500 hektarësh dhe do të prodhonte rreth 450 tonë marijuanë për konsum.
Pra, në total sipërfaqja e mbjellë me kanabis në vend duhet të ketë qenë të paktën mbi 700 hektarë.
Nisur nga këto të dhëna të siguruara nga vetë policia shqiptare lindin disa pyetje të tjera. Si ka mundësi që patrullimet nga ajri të Guardia di Finanzia nuk i kanë zbuluar 500 hektarët e mbjellë me kanabis, të cilat i zbuloi vetëm policia shqiptare? Kush ka vendosur se cilat zona duhet të patrulloheshin nga ajri, policët italianë apo në bashkëpunim me policinë shqiptare? A kanë qenë parcelat e zbuluara në mënyrë të pavarur nga policia shqiptare, pjesë e zonave të monitoruara nga Guardia di Finanzia?
Të gjitha të dhënat e konferencës për shtyp u bënë publike në gjuhën shqipe, nga policia shqiptare, duke cituar shpesh Guardia di Finanzia. Por ende edhe sot nuk është publikuar dhe nuk gjendet asnjë dokument nga qeveria shqiptare apo pala italiane.
Gjithçka që ne dimë, të paktën deri më sot, janë të dhënat e shkëputura, të bëra në shqip në emër të italianëve nga policia shqiptare; si dhe një sërë pllakatash propagandistike të publikuara nga Ministria e Brendshme shqiptare në rrjetet sociale, të cilat përmbajnë me dashje deklarime të pjesshme, të shoqëruara me logot e Republikës së Italisë dhe të Guardia di Finanza.
Madje, u desh ndërhyrja e opozitës që të mësonim se sipërfaqja e mbjellë këtë vit me kanabis e zbuluar nga Guardia di Finanza është pesë herë më e lartë se ajo e vjetshmja. Këtë shifër drejtori i Policisë, Çako, “harroi” ta thoshte në konferencën për shtyp, ndërkohë që zyrtarët italianë të pranishëm u mjaftuan vetëm me deklarata të mirësjelljes diplomatike.
E vetmja deklaratë me “përmbajtje” e palës italiane në konferencën për shtyp ishte thënia e pashpjegueshme e njërit prej policëve italianë që u shpreh se po qe se do të kishte një copë tokë në Shqipëri do të mbillte kanabis edhe ai.
Kur shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm se kultivimi i kanabisit ka arritur në nivele të larta, kur pohimet e qeverisë shqiptare përfshi të famshmin 99,8 për qind duken qesharake në sytë e publikut, kur shumë shqiptarë presin një deklaratë të qartë të institucioneve italiane, Ambasada italiane hesht, Misioni i Interforzës hesht, Guardia di Finanza hesht.
Dhe qeveria shqiptare përfiton nga heshtja e Italisë për t’u krenuar me një miratim të pakushtëzuar nga pala italiane, duke u përpjekur me këtë miratim të zvogëlojë tragjedinë e një vendi në të cilin rendi kushtetues është vënë në rrezik, ndërsa qeveria ka humbur kontrollin mbi territorin, mbi kufijtë dhe mbi të gjitha nuk garanton sigurinë e qytetarëve.
Situatë e mundësuar me “heshtjen” e lejuar nga ndërkombëtarët.