Grida DUMA
Erion Veliaj, jo vetëm mbylli një program televiziv që kishte investiguar rreth aferës së tij korruptive e kriminale në Sharrë, por ai nuk lejoi dje as transmetimin e denoncimit të Partisë Demokratike në lidhje me këtë skandal të rëndë të cenimit të lirisë së medias, të lirisë së fjalës.
Denoncimi ynë dje nuk u dha nga pjesa më e madhe e medias, që gjendet nën kontrollin e rreptë të pushtetit.
Nën kontrollin e Edi Ramës dhe dorës së tij të zgjatur në tërë aferat korruptive e kriminale të Bashkisë së Tiranës, që është Erion Veliaj.
Ky mashtrues i pafytyrë që fshihet pas pamjeve me biçikletë e me tuta po bën gjithçka që të fshehë të vërtetën për vdekjen e një 17-vjeçari në landfillin e tij, duke i mbyllur gojën medias dhe duke kërkuar t’i heqë zërin edhe opozitës së vendit.
Kjo censurë e dyfishtë edhe pse dëshmon se kush janë në të vërtetë Erion Veliaj dhe Edi Rama, është një turp për vendin, për shoqërinë dhe mediat tona.
Po i drejtohemi sot mediave të vendit me mesazhin që të mos bëjë kompromis me këto ngjarje të rënda, të mos pranojë harresën që kërkon të vendosë Veliaj mbi vdekjen e një 17-vjeçari të pafajshëm.
Ne e dimë se jeni në kushtet e presionit, kërcënimit dhe joshjes, por është në nderin tuaj të ruani lirinë e shprehjes, arsyeja kryesore për ekzistencën e medias.
Partia Demokratike nuk do të heqë dorë asnjë ditë nga denoncimi i aferave korruptive e kriminale si ajo e Sharrës, e aq më tepër nga denoncimi i presionit ndaj medias.
Pika e vlimit po afron.
Edi Rama dhe Erion Veliaj mund të errësojnë ekrane e pushojnë gazetarë, por nuk do ta ndalin revoltën e popullit që po rritet përditë kundër sundimit të tyre të korruptuar e kriminal.