Maradona e sulmon

Diego Armando Maradona aktualisht ndodhet në Itali, pasi do të marrë pjesë në ndeshjen e paqes, por një personazh si ai nuk mund t’i shpëtojë kurrë vëzhgimit të mediave. Në një intervistë El Pibe D’Oro ka folur për shumë tema që kanë të bëjnë me Napolin e tij, futbollin italian, por edhe lojtarët argjentinas që luajnë në Serinë A. Teksa  ka inkurajuar Arkadiuz Milik për dëmtimin e rëndë që pësoi, Maradona ka thurur elozhe për Francesco Totin. “Më vjen keq për Milik, sepse ishte një zëvendësues i denjë i Higuain te Napoli. Totti? Mendoj se mund të luajë futboll deri në moshën 50-vjeçare. 40 futbollistë të skuadrave italiane të vendosur sëbashku nuk bëjnë dot një Totti”, deklaroi ish-futbollisti argjentinas. Më pas, Maradona u përqendrua te Higuain, i cili la Napolin gjatë kësaj vere për t’u transferuar te Juventusi. “Më vjen vërtetë shumë keq që Higuain kaloi te një rival direkt i Napolit siç është Juventusi, por përgjegjësia është edhe e atyre që realizojnë transferime të tilla. Ndoshta në kohën time diçka e tillë nuk do të kishte ndodhur”, theksoi  në vijim El Pibe D’Oro.
Nga Higuain te Icardi, Maradona nuk nguroi për të sulmuar edhe njëherë tjetër bomberin e Interit. “Mund të ndodhë që ta grumbullojnë në përfaqësuesen argjentinase, por unë për tradhëtarët si ai nuk flas”, deklaroi ai. Maradona ka qenë gjithmonë pro Maxi Lopez dhe nuk i ka pëlqyer asnjëherë sesi Icardi ka ndërhyrë në lidhjen mes ish-sulmuesit të Milanit dhe Wanda Narës, aktualisht bashkëshortja e Mauritos. Por pas këtyre fjalëve të kampionit të Botës me Argjentinën në vitin 1986 ka ardhur menjëherë kundërpërgjigja e Icardit. “Maradona nuk është një shembull për asnjë, fjalët e tij nuk kanë aspak lidhje me paqen. Nuk është në karakterin tim të flas për persona që nuk janë shembull për të tjerët”, deklaroi sulmuesi i Interit.
Ndërkohë, Leonardo Bonuçi duket se do të jetë i fituari i madh i zërave të merkatos që tregojnë për interesin e madh të Çelsit kundrejt tij. Sipas mediave italiane, mbrojtësi italian shumë shpejt do të ftohet nga Juvetusi për të zgjatur akordin aktual. Sipas klauzolave të reja, lojtarit do t’i rritet rroga deri nga 3.5 milionë euro në 4.5 milionë euro si dhe do të shtyjë qëndrimin në Torino deri në 2021.
Një lëvizje të tillë Juventusi e ka bërë e shtyrë nga interesi i madh që ka shfaqur Çelsi për mbrojtësit. Pak ditë më parë, “The Sun” bëri me dije se, Konte ishte gati që të shpenzonte deri në 56 milionë euro për 29-vjeçarin. I njëjti tabloid ditën e djeshme zbuloi se londinezët për të rritur ofertën për Bonuçin ishin gati që të privoheshin edhe prej shërbimeve të Hazardit.
Pak muaj më parë edhe Mançester Siti ishte gati që të ofronte 50 milionë euro për Bonuçin. Josep Guardiola kurrë nuk ka fshehur simpatinë për 29-vjeçarin.

Artikulli paraprakMaldini refuzon Milanin: Nuk ka një skuadër fituese
Artikulli tjetërLiverpool gati të “blindojë” Coutinho