Zhgënjen Argjentina, fitojnë Brazili dhe Kili

Argjentina pësoi një humbje shokuese me Paraguajin në fushën e saj në ndeshjen e 10 kualifikuese për botërorin “Rusi 2018”. Skuadra bardhekaltër u mposht 0-1 në stadiumin “Mario Alberto Kempes të Kordobas”, duke vënë seriozisht në diskutim renditjen mes 4 skuadrave më të mira të Amerikës së Jugut, që kualifikohen direkt në botëror. Goli i Gonzalez i shënuar që në minutën e 18-të mbeti në fuqi deri në vërshëllimen e fundit të gjyqtarit, me vendasin që ishin të paaftë për të kthyer rezultatin edhe pse iu dha mundësia me një 11 metërsh në fillim të pjesës së dytë, por që nuk u shndërrua në gol nga Aguero. Ky ishte takimi i tretë radhazi që Argjentina nuk arrin të fitojë pa Lionel Mesin, i cili ka munguar në përfaqësuese për arsye dëmtimi.
Brazili mori kryesimin, pasi mposhti 0-2 Venezuelën në Merida. Gabriel Jesus i dha avantazhin “Selecaos” që në minutën e tetë, ndërsa golin që vulosi suksesin e brazilianëve e realizoi Willian në të 53-ën.
Rikthehet te fitorja pas tre ndeshjesh Kili, që mposhti 2-1 në kryeqytetin Santiago Perunë me një dygolësh të Arturo Vidal. Mesfushori i Bayernit realizoi fillimisht në minutën e 10-të pas asistit të Islas, por në të 76-ën Flores befasoi vendasit me golin e barazimit. Gjithsesi “La Roja” shënoi sërish me Vidal 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Edhe pas këtij suksesi, Kili mbetet në vendin e 7-të, por vetëm 2 pikë larg Argjentinës.

Artikulli paraprakGjermania s’ndalet
Artikulli tjetërKina, Gao Hongbo largohet pas humbjes me Uzbekistanin