Papa Françesku bëri dje thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Siri.
Duke folur të mërkurën në Vatikan, Papa tha se armëpushimi duhet të respektohet për t’u dhënë kohë civilëve, veçanërisht fëmijëve, të largohen nga zonat e bombardimeve.
Përpjekjet e mëparshme ndërkombëtare për të krijuar një armëpushim kanë dështuar në të gjitha zonat e konfliktit më shumë se pesëvjeçar në Siri. Shembulli i fundit ishte ai i muajit të kaluar, kur një marrëveshje e ndërmjetësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për qytetin e rrethuar të Aleppos pati një jetë të shkurtër.
Vëzhguesit thanë të martën se avionët rusë rifilluan bombardimet në zonat lindore të Aleppos të kontrolluara nga rebelët, duke vrarë më shumë se 20 persona.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut e quajti bombardimin rus të së martës sulmin më të ashpër që kur qeveria e Presidentit Bashar al-Assad njoftoi javën e kaluar se do të ndërpriste sulmet ajrore, për të lejuar civilët të çarmatoseshin dhe të largoheshin nga lagjet e kontrolluara nga opozita.
Megjithatë, civilët, mosbesues ndaj qeverisë së Presidentit Assad, e kanë injoruar në masë të madhe këtë ofertë, të cilën kryengritësit që luftojnë për të rrëzuar qeverinë e kanë quajtur mashtrim.
Më parë të martën, Presidenti rus, Vladimir Putin, nën kritika të forta perëndimore për rolin ushtarak të Moskës në Siri, anuloi një vizitë të planifikuar në Francë, pasi Presidenti francez, Francois Hollande kishte këmbëngulur që takimi të përqendrohej vetëm mbi gjendjen në Siri.
Vendimi i zotit Putinit erdhi një ditë pasi ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault paralajmëroi se Rusia mund të përballet me akuza për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për vazhdimin e fushatës ushtarake në Aleppo.
Zoti Ayrault i tha radios franceze se, akuzat e mundshme për krime lufte mund të prekin të gjithë ata që janë përfshirë në atë që po ndodh në Aleppo, pa përjashtuar udhëheqësit rusë.
Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka sulmuar civilët në Siri, duke këmbëngulur se qëllimi i saj i vetëm është goditja e grupeve terroriste, në mbështetje të qeverisë së Assadit.
Për këtë qëllim, Rusia të shtunën bllokoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të propozuar nga Franca dhe Spanja për t’u dhënë fund bombardimeve në Aleppo. Vëzhguesit dhe punonjësit e ndihmave thonë se që nga shtatori në Aleppo, sulmet ajrore kanë vrarë më shumë se 300 persona, shumica e tyre civilë.
Nuk është e qartë se në ç’mënyrë Gjykata Ndërkombëtare Penale do të mund të hetojë bombardimet në Aleppo, sepse Rusia dhe Siria nuk janë anëtare të gjykatës.
Çështja mund t’i referohet gjykatës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Megjithatë, Rusia, së bashku me Kinën, kanë përdorur më parë veton, më së fundmi të shtunën, për të bllokuar disa projektrezoluta ndaj qeverisë siriane që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit 2011.