Lulzim BASHA
Tema qendrore e Partisë Demokratike e grupit parlamentar, mendoj që edhe e gjithë qytetarëve shqiptarë sot është ajo që në faqet kryesore të shtypit botëror, mediave botërore është kryefjala për Shqipërinë, problemi i jashtëzakonshëm i drogës, i kartelit të drogës që ka përpirë vendin dhe që është kthyer në një problem të madh sigurie, stabiliteti, madje edhe një problem në lidhje me aktivitet të mundshëm terrorist në vendin tonë, siç shkruante sot një nga autorët më në zë të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, Bill Coëan.
Edi Rama nuk ia ka dalë dot t’i mbyllë gojën opozitës, nuk ia ka dalë dot të zhdukë të vërtetën. E dimë presionin e jashtëzakonshëm që ka ushtruar mbi mediat dhe vazhdon ta ushtrojë në mënyrë të përditshme. Mundohet me të gjitha format dhe mënyrat e një regjimi të zhytur deri në fyt në krim dhe korrupsion, të mbyllë ekranet dhe gazetat e shqiptarëve nga lajmet që demaskojnë këtë problem të jashtëzakonshëm të shoqërisë tonë.
Por problemi tashmë i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, problemi është ndërkombëtarizuar. Në Gjermani, në SHBA, Itali, në Zvicër, në Francë, sot kryefjalë është regjimi narko-trafikant, i cili ka bërë të mundur kthimin e Shqipërisë në pikën kryesore të furnizimit të Europës me kanabis dhe një linjë kryesore të furnizimit të Europës me droga të forta.
Shkrimi i Bill Coëan i bën thirrje presidentit të ardhshëm të SHBA-ve ta trajtojë me përparësi çështjen e drogës si rrezikun kryesor për destabilizimin e Ballkanit dhe të nisë një hetim ndërkombëtar për përfshirjen e krerëve të qeverisë shqiptare në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Aleanca e drogës do të kapë zgjedhjet e ardhshme
Ndërkohë “Le Matin” tregon qartë se si kultivimi i drogës në Shqipëri bëhet në bashkëpunim të plotë dhe të hapur me një kontingjent oficerësh policie të korruptuar që janë pjesë financiarisht përmes ryshfeteve e kultivimit të drogës.
Ne, Partia Demokratike i ka denoncuar prej më shumë se dy vitesh këto çështje. Ne nuk kemi heshtur, por kemi përballur me fakte, me prova, me emra dhe mbiemra Edi Ramën me këtë gjëmë që është droga në Shqipëri, drogimi i Shqipërisë. Edi Rama është përgjigjur me përqeshje, me tallje, me censurë. Ndërkohë gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar.
Tashmë që nuk ka asnjë shqiptar që nuk e ka kuptuar se pse Edi Rama nuk zbaton ligjin e dekriminalizimit; tashmë që nuk ka më asnjë faktor shoqëror pavarësisht prej bindjeve politike që nuk e ka kuptuar që pa dekriminalizim problemi i drogës dhe zgjedhjet që lidhen me drogën dhe kriminalizimin do të vijnë vetëm duke u rënduar; unë kam një thirrje. Kam një thirrje për çdo qytetar shqiptar, për çdo faktor shoqëror, për shoqërinë civile, për mediat, për gazetarët me guxim, me kurajo civile e qytetare: të ndërtojmë së bashku një koalicion të madh vlerash që t’i kundërvihet me të gjithë fuqinë e zërit tonë, të guximit tonë dhe të përgjegjësive tona, aleancës së krimit, aleancës së drogës që do të kapë dhe prishë zgjedhjet e ardhshme. Secili sipas përgjegjësive sigurisht me Partinë Demokratike dhe opozitën, duke marrë përgjegjësinë kryesore.
Pa dekriminalizim nuk do të ketë paqe
Së pari, ta ketë të qartë se pa dekriminalizimin e Shqipërisë, pa zbatimin e ligjit të dekriminalizimit nuk do të ketë paqe.
Së dyti, të bëjmë të mundur përmes bashkimit tonë që të gjithë faktorët politikë që e kanë shndërruar Shqipërinë në një hambar droge të përballen një orë e më parë me drejtësinë dhe të largohen nga funksionet e tyre drejtuese në shtet dhe në qeveri.
Dhe së treti, të gjithë së bashku, duke fituar betejën e dekriminalizimit, të ndalim këtë të keqe të madhe që përndryshe do ta përpijë të gjithë vendin tonë e do t’i shndërrojë fëmijët shqiptarë në përdorues droge dhe skllevër, siç janë sot duke punuar si argat në fermën e madhe të drogës të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit.
PD ka mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë
Nëse nuk veprojmë sot fermeri shqiptar do të shndërrohet në një skllav, i pasigurtë për të nesërmen e tij, që nuk shkon dot në arat e tij, sepse i dalin përpara rojet e armatosura të kanabisit, në emër të republikës së hashashit të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Do të shndërrojë mësuesit shqiptar, intelektualët shqiptarë, profesionistët shqiptarë në qenie pa dinjitet, pa të ardhme, pa perspektivë, pa shpresë sepse ekonomia, kultura, komunikimi, qytetaria nuk do t’i rezistojnë dot të zezës së Shqipërisë republikë droge. Të gjithë pra të bashkohemi përpara se kjo e keqe ta përpijë Shqipërinë.
Kjo nis me një betejë të fuqishme nesër (sot) në Parlament, por do të vazhdojë me një konsultim, me një dialog të hapur, me të gjithë këta faktorë shoqëror. Ku ne jo vetëm do të paraqesim rrugët e daljes, por do të kërkojmë mendimin e çdo shqiptari të ndershëm që i dhimbset vendi i tij, që nuk pranon më terrorin e drogës, vrasjet prej drogës, helmimin e fëmijëve prej drogës, nuk pranon më kriminelët si kryetarë bashkish, deputetë, drejtorë të administratës. Në mënyrë që të gjithë së bashku t’i japim formë këtij koalicioni të madh qytetar t’ia kundërvëmë aleancës së drogës, krimit dhe kapjes së zgjedhjeve dhe përmes një aksioni të fuqishëm politik dhe qytetar t’i japim fund regjimit të drogës dhe krimit në Shqipëri.
Të jeni të sigurtë që në këtë përpjekje që e bëjmë për fëmijët tanë dhe jo për PD, do të kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të faktorit ndërkombëtar, kambanat e alarmit të të cilit po bien dhe do të bien çdo ditë e më fort e nuk mund t’i shurdhojë asnjë mercenar i Edi Ramës.