Rama, 91 mijë mbifaturime qytetarëve në vitin 2015

Edi Rama ka vërsulur bandën e OSHEE kundër qytetarëve me një valë të re represioni, abuzimi, mbifaturimi, për të rrjepur sa më shumë para kryesisht nga familjet që po vuajnë krizën ekomonike. Partia Demokratike denoncoi dje mbifaturimin masiv ndaj qytetarëve. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tha se në të gjithë territorin e vendit ka nisur fushata masive e mbifaturimeve, duke nisur nga banesat e emigrantëve që janë të pabanuara nga njeri e deri tek shtëpitë e plazhit. “Faturimet shkruhen sipas nevojës për të mbushur arkën e Edi Ramës, e jo sipas konsumit. Vetëm për vitin e kaluar, 91 mijë e 400 qytetarë janë ankuar për faturimet abuzive. Gjahu i preferuar janë familjet që kursejnë energjinë dhe kur matësi tregon pak, atëherë banda e Edi Ramës i kalon në aforfe, duke ua shumëfishuar gjobën. Shtëpitë në zonat e plazhit janë gjithashtu objekt sulmi. Edhe pse ato janë të mbyllura dhe pa konsum, familjarët zbulojnë papritur tarifa të kripura. Faturohen sikur të kenë konsum normal edhe banesa emigrantësh që janë prej kohësh të mbyllura e ku nuk jeton njeri. Ndërkohë që bizneset e mëdha që u përkasin oligarkëve të Ramës trajtohen me përkëdheli dhe lehtësohen në pagesat e energjisë”, u shpreh Zhupa. Ajo u bëri thirrje qytetarëve për mosbindje civile kundër padrejtësive të pushtetit oligarkik. “Paratë që merr me dhunë e me manipulim faturash, Edi Rama i ndan më pas me miqtë e tij, me tendera ku fituesit janë të paracaktuar. Ndërkohë që qytetarët varfërohen çdo ditë, ku çdo ditë Edi Rama gjen një mundësi të fusë dorën në xhepin e tyre e të marrë dhe qindarkën e fundit, ai vetë dhe klientela e tij mbushin thasët dhe janë të shqetësuar për parajsat fiskale. Mbifaturimi është krim dhe ata që e kryejnë këtë krim duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi. Qytetarët e abuzuar nga ky mbifaturim, nuk kanë asnjë detyrim dhe ky abuzim është një thirrje për mosbindje civile”, tha zëdhënësja e PD.

Mbifaturimi dhe keqfaturimi

Prej dy vitesh ankesat e qytetarëve për mbifaturimin e faturës së energjisë elektrike sa vijnë e shtohen. Në spektrin e ankesave një vend të konsiderueshëm zënë dhe ankesat në lidhje me mbifaturimin dhe keqfaturimin e energjisë elektrike që janë shkaktuar nga problematika të ndryshme si: mosrakordimi i gjendjes së hedhur në sistem me gjendjen reale të matësit, gabime nga ana e faturuesve, vonesa në hedhjen e të dhënave të matësve të rinj në sistem. Këto problematika rrisin në mënyrë të konsiderueshme peshën financiare që iu ngarkohet abonentëve, duke ulur nivelin e arkëtimeve. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë që ankesat në lidhje me mbifaturimin dhe keqfaturimin e energjisë elektrike të jenë konsideruar si problematike edhe për vitin 2014 e për 2015. Për të gjitha këto ankesa, ERE ka kërkuar nga OSHEE sha, informacionin e nevojshëm dhe verifikimin në vend të tyre. Nga të dhënat e disponuara rezultojnë 536 ankesa mbifaturim dhe keqfaturim.

Artikulli paraprakDeputetët holandezë: Integrimi i Shqipërisë, i rrezikuar
Artikulli tjetërTë rinjtë fshijnë parrullat për Enverin në zyrën e Kokëdhimës në Qeparo