Fitimi i sistemit bankar për tetë muajt e vitit ka shënuar rënie të ndjeshme prej 48% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të raportuara nga Shoqata e Bankave. Për periudhën janar-gusht 2016, bankat fituan 5.7 miliardë lekë, nga 11 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ambienti me norma të ulëta interesi dhe rritja e shpenzimeve për provigjione, teksa kreditë me probleme vijojnë të zgjerohen – janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në përkeqësimin e rentabilitetit të bankave. Kredia me probleme vijoi zgjerimin, duke arritur në 21.4% në gusht (duke i detyruar bankat që një pjesë të fondeve ta lënë si provigjione për huat që nuk kthehen në afat), ndërsa normat e interesit të kredive në lekë kanë zbritur në rreth 8%. Në të njëjtën linjë, raporti i kthyeshmërisë nga aktivet (fitimi mbi aktivet e ponderuara, që tregon me sa efektivitet i përdor banka mjetet e veta) ra nga 14.1% për 8-mujorin 2015, në vetëm 6.7% në të njëjtën periudhë të këtij viti. Kthyeshmëria nga kapitali (fitimi mbi kapitalin) gjithashtu u përkeqësua, në vetëm 0.6%, nga 1.3% për 8-mujorin 2015.
Bankat reagojnë duke shtrenjtuar kredinë
Që në fillim të vitit pritej që bankat të kishin vështirësi të operonin në mjedisin me interesa të ulëta dhe negative. Përballë kësaj situate dhe vazhdimit të politikës lehtësuese monetare, bankierët pohuan në fillim të vitit për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. Po si do të reagojnë ata. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive. Në fakt, rritja e interesave të kredive ka filluar, pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë në prill-maj të këtij viti, duke e çuar atë në rekorde minimale historike prej 1.25%. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se në gusht, interesi mesatar i ponderuar i kredive shënoi një rritje të fortë në 7.97%, nga 7.29% që kishte qenë muajin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga janari i këtij viti. Një tjetër element që po ndikon në shtrenjtimin e kredisë është dhe rritja e perceptimit të rrezikut nga bankat. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. Në kahun tjetër, ulja e normave të interesit nuk po e nxit kredinë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh. Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%.
Dobësimi i ekonomisë më 2016, rreziku kryesor i aktivitetit bankar
Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur se rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëumujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3 6 mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015 (shih grafikun).
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elementë që kërcënojnë stabilitetin financiar. Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon. Përmirësimi i cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët si rrjedhojë e pastrimit të bilanceve të bankave nga huat e humbura, rënia e nivelit të papunësisë në vend, si dhe ulja e luhatshmërisë në ecurinë e kursit të këmbimit, kanë ulur materializimin e rrezikut sistemik krahasuar me një vit më parë. Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit. Në ecurinë e indeksit të akumulimit të rrezikut sistemik, tkurrja e kredisë në valutë ka zbutur akumulimin e rrezikut, ndërsa efekt të kundërt ka pasur ecuria e tregut të banesave, rritja e nivelit të kreditimit të bizneseve, si dhe rritja e nivelit të borxhit të jashtëm. Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar. Gjatë periudhës, perceptimi i bankave mbi rreziqe të caktuara është rritur, por probabiliteti i materializimit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme vlerësohet “nën mesatar”.
Shoqata e Bankave: Të rritet siguria e informacionit
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Komiteti për Sigurinë e Informacionit, më 13 Tetor 2016, organizuan Forumin për Sigurinë e Informacionit. Forumi u ndoq nga ekspertë të fushës nga bankat që operojnë në Shqipëri si dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Bankës së Shqipërisë, Shoqatës së Bankave të Kosovës, shoqërive të këshillimit, etj.
Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i AAB, në fjalën e tij të hapjes ndër të tjera u shpreh se vëmendja dhe prioriteti i veçantë që po tregohet nga të gjitha institucionet shtetërore, publike dhe organizatat private për sigurinë ka të bëjë me të sotmen dhe të nesërmen e qytetarit si qendra e zhvillimit. Duke qenë se siguria e informacionit është një burim për risk sistemik, qëllimi i forumit është sensibilizimi për sigurinë dhe ndërgjegjësimi për të vepruar në botën elektronike njësoj si në botën reale. Siguria është nga ana e zhvilluesit dhe klientit, për të dhënat në transmetim dhe sulmet ndaj serverëve.
Aktiviteti u organizua në tre seksione gjatë të cilëve të ftuarit diskutuan dhe debatuan në panele të ndryshme mbi sfidat më të fundit në fushën e sigurisë së informacionit dhe bankingut dixhital, evoluimin e rreziqeve në teknologji, procedurat e reagimit në kushtet e rreziqeve të reja.
Muaji Tetor është shpallur nga vendet e Bashkimit Evropian si muaji i sigurisë. Gjatë këtij muaji zhvillohet një fushatë, e cila ka për qëllim të rris ndërgjegjësimin ndaj kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe të ofrojë informacion mbi sigurinë, përmes edukimit dhe ndarjes së eksperiencës dhe praktikave më të mira.