Auditimi, institucionet keqmenaxhuan 25 milionë euro

Mbetet shqetësuese për Audituesin e Pëgjithshëm dhe deputetët e Kuvendit vlera prej 25 milionë eurosh për keq planifikim të shpenzimeve nga institucionet e Kosovës për vitin 2015. Problem tjetër është edhe trendi i rritjes së shpenzimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore. Për vitin paraprak, nga buxheti i shtetit janë paguar 12 milionë euro për rastet e humbura në proceset gjyqësore. Kështu u bë e ditur gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të Auditimit për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Administratës Publike në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se shqetësim tjetër është edhe angazhimi i numrit të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër nëpër institucionet e shtetit dhe rritja e shpenzimeve në fund vit. “Janë shqetësuese mbulimi i pozitave me ushtrues detyre dhe lidhja e kontratave të shumta për shërbime të veçanta, të cilat po e sulmojnë disiplinën fiskale dhe kemi nevojë që të shmangim volumin e lartë të pagesave të fund vitit, sepse kjo po rritë rrezikun për pagesat e pa rregullta dhe blerje të pa nevojshme. Një rast i veçantë i cili donë një trajtim është rritja e pagesave drejtpërdrejt nga Thesari si pasojë e vendimeve gjyqësore që ka shkuar rreth 12 milionë euro sipas vendimeve gjyqësore tregon që megjithatë kemi një mos kujdes nga ana e organizatave buxhetore”, tha Osmani. Në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare raportoi Ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili theksoi se ka një tendencë të rritjes së menaxhimit më të mirë të financave publike, ku sipas tij, janë duke implementuar një varg reformash për rregullimin e kornizës ligjore që adreson implementimin e rekomandimeve. Hoti tha se kanë në plan formimin e një Këshilli që përfshin institucionet përkatëse për mbikëqyrjen e implementimit të rekomandimeve. “Ne kemi analizuar me kujdes raportin e audituesit si Ministri e Financave. Mua më gëzon fakti si ministër që numri i raporteve të auditorit që janë të pamodifikuara ose me theksim të çështjes është rritur krahasuar me vitin 2014 për 9.23 për qind. Normalisht nuk është nivel i kënaqshëm për të cilin mund të ndihem i kënaqur, por ka një tendencë të përmirësimit të menaxhimit financiar nëpër organizatat buxhetore… besoi se ka nevojë që të thellohen më tutje reformat”, tha ministri Hoti. Edhe ministri i MAP-së, Mahir Yagcilar, tha para anëtarëve të këtij komisioni se janë në përpjekje që të përmirësojnë punën e Qeverisë, por edhe të institucioneve ku interferon edhe Ministria e Administratës Publike, në mënyrë që të ketë organizim më të mirë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli nga radhët e LVV-së, tha se sheh një vështirësi të planifikimit dhe organizimit për menaxhimin e financave publike. Si shqetësim tjetër, Topalli sheh edhe mos implementimin e rekomandimeve të auditorit, dhe sipas tij qeveria nuk ka pasur asnjë plan në vitet e kaluara për këtë çështje. “Ajo që më së shumti më shqetëson është që krahas punëve të mira që janë duke u bërë, p.sh. kjo e kontrollit të brendshëm, është një punë që unë e vlerësoi shumë… e shoh në përgjithësi në organizatat buxhetore një vështirësi në kuptimin e planifikimit, të organizmit, të përcaktimit të përgjegjësive, këto janë problemet kryere të cilat nga pikëpamja janë të dalura. Ajo që më shqetëson më së shumti është që rekomandimet e auditorit të përgjithshëm nuk po implementohen dhe vazhdimisht Qeveria nuk dorëzon plan për implementimin”, tha Topalli.

Artikulli paraprakSurpriza e Çmimit Nobel në Letërsi për Bob Dylan
Artikulli tjetërSHPPL kundër PAMECA IV: Mbron të inkriminuarit dhe ministrin