SHPPL kundër PAMECA IV: Mbron të inkriminuarit dhe ministrin

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 u njoh nga mediat me qëndrimin e misionit policor të Bashkimit Europian, PAMECA IV në lidhje me disa çështje të rëndësishme që janë në proces hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe subjekt i vendimeve të gjykatave.
PAMECA IV ka reaguar ndaj disa dosjeve hetimore me sensibilitet të lartë për opinionin publik për shkak të ngarkesave të mëdha kriminale të autorëve.
Do të ishte mirëpritur ky reagim i Misionit PAMECA IV nëse do të inkurajohej drejtësia për të goditur krimin e organizuar. Në të vërtetë ajo që ne konstatojmë fatkeqësisht, është dalja e Misionit PAMECA IV jashtë objektit të punës duke u bërë pjesë e lojës politike të ministrit të Brendshëm, i cili njihet për lidhjet e dyshimta me botën e krimit dhe në veçanti me këta persona që janë objekt i hetimit nga drejtësia.
Ky mision ka heshtur ndaj emërimeve të hapura në kundërshtim me ligjin brenda organizatës së policisë edhe kur janë provuar lidhjet e tyre me krimin e organizuar.
Ky mision nuk ka reaguar mbi paligjshmëritë e ministrit të Brendshëm që kanë shoqëruar në vazhdimësi punën e tij në këtë detyrë duke politizuar dhe inkriminuar organizatën e policisë.
Nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e tyre për situatën tejet shqetësuese të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe përfshirjen e ministrit dhe drejtuesve të lartë të policisë në këtë aktivitet kriminial.
Ky mision, fatkeqësisht konstatohet se po devijon nga pritshmëritë që qytetarët shqiptarë kanë pasur ndaj tij, por edhe taksapaguesit europianë, që nuk do të donin që taksat e tyre të shpërdoroheshin. Ata presin që PAMECA IV të jetë garante e ligjit dhe jo mbrojtëse e paligjshmërisë.
“SHPPL-2013” njeh dhe vlerëson të gjithë kontributin e këtyre misioneve në vite për ngritjen e profesionalizmit të organizatës së policisë dhe forcimin e kapaciteteve të saj.
“SHPPL-2013” është në mbështetje të çdo anëtari të organizatës së policisë që i shërben ligjit dhe sigurisë në vend dhe çdo misioni që kontribuon në këtë drejtim.

Artikulli paraprakAuditimi, institucionet keqmenaxhuan 25 milionë euro
Artikulli tjetërPD, rezolutë për dënimin e krimeve të regjimit komunist ndaj klerit, kërkon votimin