Kryetarja e Dhomës së Parlamentit Italian, Laura Boldrini bëri thirrje dje nga Tirana për intensifikimin e luftës kundër drogës. “Unë besoj se është në interes të dy vendeve tona për të luftuar trafikun e narkotikëve, sikurse duhet të luftojmë me forcë trafikun e qenieve njerëzore, të administrojmë edhe flukset migratore dhe duhet të bëjmë dallimin mes viktimave dhe atyre që janë elementë kriminale” tha Boldrini gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryetarin e Parlamentit, Meta. Po dje, Boldrini u prit edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili, i sapokthyer nga një vizitë zyrtare në Itali, shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Boldrini në Tiranë, duke e vlerësuar këtë takim si pjesë të axhendës shumë intensive dhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Nishani e konsideroi shkëmbimin e këtyre vizitave si shprehje të qartë dhe shumë domethënëse të nivelit të shkëlqyer e të partneritetit të veçantë strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kreu i shtetit përshëndeti kontributin personal të zonjës Boldrini në ndihmë të popullit shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht përgjatë viteve 1997-1999, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi edhe rolin e dhënë në përgjithësi nga Parlamenti italian në mbështetje të politikave të bashkëpunimit dhe të proceseve të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane, ku sigurisht zonja Boldrini ka luajtur një rol të veçantë. Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e Evropës, si dhe domosdoshmërisë për të ridimensionuar sensin e solidaritetit së pari mes vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kreu i shtetit përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Pas takimit, kreu i shtetit në një ceremoni të veçantë i akordoi, me sugjerim të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë, si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit Adriatik dhe Jon”.
Kryesore
Continue to the categoryNgjarja e rëndë në Shkodër, reagon Elezi i PD-Demokratët Euroatlantikë: Besimi...
Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facabook, anëtari i Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, shprehet se ngjarjet kriminale të...