Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar programin e Partisë Demokratike për arsimin dhe bujqësinë me të rinj, fermerë dhe banorë të Mulletit, Baldushkut dhe Priskës. Duke iu përgjigjur interesimit të të rinjve për arsimin e lartë, Basha ritheksoi se ligji i arsimit të lartë i hartuar në mënyrë klienteliste do të shfuqizohet dhe në qendër do të vendoset studenti. Të gjithë të rinjve, tha zoti Basha, do t’u garantohet e drejta për arsimim, ndërsa studentët do të mbështeten nga buxheti i shtetit. Tarifat do të ulen përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit ku studion studenti. Kjo sipas liderit të opozitës do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do të orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.
“Çdo të riu e të reje shqiptare do t’i jepet mundësia për arsim. Do të vendosim studentin në qendër të vëmendjes. Studenti vendos vetë ku do të studiojë. Qeveria përcakton nivelin e mbështetjes. Për shembull, po studiove juridik do të kesh 50 pikë bonus. Po studiove inxhinieri mekanike do të kesh 100 pikë bonus. Po studiove zooteknikë, agronomi do të kesh 120 pikë bonus. Pse?! Sepse unë e di që një inxhinier mekanik, një agronom, nesër brenda tregut shqiptar dhe në bashkëpunim me tregun europian do ta kemi shumë më të lehtë ta punësojmë, pra të krijojmë vlerë të shtuar, sesa një person me një profesion që është më i kudogjendshëm dhe më pak i përdorshëm” është shprehur Basha.
Banorët janë thellësisht të zhgënjyer nga qeveria, e cila sipas tyre vetëm vjedh paratë dhe djersën e tyre.
“Me fjalën ‘rilindje’ duke thënë unë do të bëj shtet këto zotni nuk po bëjnë shtet. Këto po rilindin veten e vet duke vjedh lekët çdo tre muaj që i marrin djersën popullit” është shprehur një nga banorët.
Bujqësia është konsideruar si prioritet kryesor i qeverisjes së demokratëve për nxjerrjen e vendit nga kriza. Për këtë kryetari i Partisë Demokratike ka theksuar se mbështetja nga buxheti për bujqësinë do të jetë në nivelin më të lartë të parashikuar ndonjëherë. Kjo mbështetje prej 1,5% e PBB do të përdoret për investimet kapitale në ndihmë të bujqësisë, infrastrukturës bujqësore dhe për subvencione të drejtpërdrejta për fermerin shqiptar.
“Buxheti i financimit të bujqësisë do të jetë 150 milionë euro në vit. Hapi i parë do të jetë mbështetja direkte për bujqësinë, që është 50 për qind e popullsisë. Mbështetje drejtpërdrejt për fermerët, për familjet e fermerëve me subvencionim të drejtpërdrejtë nga shteti. Se sot edhe ato 5 lekë që shpërndahen, 2.5 lekë i mban hajduti që i thotë vetes ‘shef’, e gjysma tjetër e merr kur paguan gjysmën. Paraja do të shkojë në konton tuaj. E vetmja gjë që do të kontrollohet është që këto para realisht po shkojnë për prodhim bujqësor dhe blegtoral” është shprehur Basha.
Një socialist i zhgënjyer nga mosmbajtja e asnjë premtimi, thotë se ajo votë që i solli në pushtet po ajo votë do t’i largojë një orë e më parë.
“Jam një socialist. Po të kisha frikë nuk do të kisha ardh sot këtu. Nuk kam frikë se deputeti i zonës tonë këtu kur donte votën më kërkoi dorën dhe ja dhashë, me mirëbesim, me programin që më pëlqeu, ia dhashë. Por ai program që ishte nuk është më sot, u tjetërsu, edhe unë tjetërsohem” tha një tjetër banor.
Basha ka theksuar gjithashtu se do të falen kamatëvonesat dhe për familjet në ndihmë ekonomike do të ketë subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kilovat, si dhe do të krijohet një fashë mbrojtëse për shtresat në nevojë.
Në Priskë, një fshat jo shumë larg Surrelit ku ndodhet shtëpia e Kryeministrit, banorët shprehin shqetësimin për infrastrukturën rrugore, mungesën e investimeve në bujqësi dhe mungesën e ujit të pijshëm. Tregu për produktet e tyre ishte po ashtu një tjetër shqetësim.
“Ujë këtu nuk ka. Bën një kokërr domate, çfarëdo që prodhojmë do t’i hedhim në plehra se nuk të lë njeri me i shit poshtë. Fshati do treg. A i mbollëm, ku do ta çojmë?” u shpreh një banor.
“Aksesi në treg do të jetë i lirë dhe pa kufizim, pa NIPT, pa kartë fermeri, me kartë identiteti” tha Basha.