Mbesa e Mogherinit e përfshirë në bandën e kokainës, drejtohej nga një shqiptar dhe djali i një mafiozi
Autoritetet italiane shkatërruan një ditë më parë një organizatë që merrej me trafikimin e kokainës dhe marijuanës në lokalet, klubet dhe restorantet vip të Romës. Mes 15 personave të arrestuar është edhe mbesa e Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme.
Sipas mediave italiane, organizata kriminale drejtohej nga shqiptari Rigers Durici dhe Manuel Zumpano, djali i një anëtari të organizatave mafioze në Romë, në vitet ‘80.
Në fakt, mbesa e zyrtares së lartë të BE-së është ndaluar, pasi dyshohet si bashkëpunëtore e të dashurit të saj Roberto Nicoletti, i cili ishte pjesë e organizatës që merrej me trafikun e kokainës në kryeqytetin italian.
Sipas përgjimeve, 26-vjeçarja, Gaia Mogherini rezulton se ka marrë nga Manuel Zumpano në 28 shkurt të vitit 2015 “një sasi të papërcaktuar lëndë narkotike të tipit kokainë, me qëllim që të siguronte tregtimin e saj”.
26-vjeçarja është vajza e vëllait më të madh nga një prind e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Mediat italiane shkruajnë se organizata e drejtuar nga shqiptari Durici dhe djali i mafiozit Zumpano e siguronte drogën nga Spanja dhe Shqipëria. Sipas hetimeve, dyshohet se ky grup kriminal qarkullonte drogë me vlerë 100 mijë euro gjatë një jave.
Nuk dihet nëse përfshirja në kartelin e drogës e mbesës së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian do të ndikojë në të ardhmen politike të Mogerinit. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Mogerini dhe as nga Italia që është edhe vendi që vendos për kuotat e veta në Komisionin Europian. Rasti konsiderohet si mjaft serioz. Ajo që të habit është fakti se mbesa e Mogerinit është pjesë e një karteli droge që drejtohet nga një shqiptar, ndërsa vetëm pak javë më parë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian dha një prononcim të zbehtë në lidhje me drogën nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
Ndërsa kartelet e drogës nga Shqipëria po inkriminojnë edhe familjarë të zyrtarëve të lartë perëndimorë në trafikun e drogës politikat vendimmarrëse të Brukselit nuk kanë një reagim të fortë ndaj këtyre karteleve që drejtohen nga Shqipëria dhe nga pushteti i lidhur direkt me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm.
Deklarata e Mogerinit për drogën dhe Ramën
8 shtator
Për Komisionerin Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë; A jeni të shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Sepse Raporti i Transparency International tregon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Përveç kësaj, shqetësuese mbetet dhe situata për drogën në vend. Ka një raport të inteligjencës italiane dhe gjermane, ku thuhet se në Shqipëri ka 363 plantacione kanabis, disa prej të cilave mbrohen nga persona të armatosur, dhe se disa kultivues kanë lidhje me policinë.
Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:
Krimi i organizuar, korrupsioni, përfshirë gjithashtu edhe lufta kundër drogës, padyshim janë çështje që duhet të zgjidhë jo vetëm Shqipëria, por ajo që unë shoh është vendosmëria e madhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe ashtu siç e përmendi dhe Kryeministri, puna në këtë drejtim po vazhdon. Mbetet angazhim i përbashkët për ta përmirësuar këtë situatë. Gjithashtu, kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kryesisht për vetë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend të çliruar nga një fenomen që ka qenë shumë problematik në të kaluarën dhe siç e shohim, trendi po shkon në drejtimin e duhur.
Komisioneri Hahn:
Mendoj se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim.