Sali BERISHA
Ju zotërinj keni kohë që, në një marrëzi kolektive, nuk them të gjithë, por tre a katër nga ju, përpiqeni me çdo kusht t’u thoni shqiptarëve se është pakësuar kanabisi, se po e luftoni me sukses, në një kohë kur vetëm dje nga e mbarë bota ka katër artikuj që damkosin Shqipërinë dhe që s’ka ndodhur kurrë në një hark kohor të shkurtër të shkruhen katër shkrime, secili më i zi se tjetri për Kolumbinë e Evropës. Qëndrimi ynë mbi këtë është denoncimi, nga mëngjesi deri në darkë, me të gjitha mënyrat e mundësitë, me të gjitha lidhjet, me të gjithë potencialin. Mund të ketë prej jush që mendoni se kjo është e gabuar. Por ju garantoj se kjo është në interesin më absolut të fëmijëve tuaj. Edi Rama po e çon vendin drejt drogës sepse vetë është i droguar, është përdorues droge. Mediat njoftuan se është futur Krokodili, droga letale, vdekësore, droga e të varfërve. Po nuk vumë kufi dhe po nuk qëndruam, këtë që i keni bërë ju Shqipërisë, s’ja ka bërë asnjë pushtues deri sot. Në mënyrë absolute asnjë nga pushtuesit nuk ka cenuar në këtë mënyrë qenien shqiptare sa ç’po e sulmoni ju me drogën. U bëj thirrje shqiptarëve të largohen prej saj, se në mënyrë absolute është alternativa më e dëmshme, më e rrezikshme, për veten e tyre, fëmijët, vendin e tyre, për kombin e tyre. Unë që e them këtë e di shumë mirë që ka dhe shtete apo vende që po shkojnë drejt legalizimit. Hajt ta marrim variantin që po e legalizojmë, të mbjellim tokat me hashash. Ku do e çojmë? Fëmijëve tanë? Do të ketë një rënie katastrofale të çmimit, tregu europian nuk e merr kurrë. Ku do e çosh, çfarë do të bësh? Do të mbytesh në kanabis, do të mbytesh në drogë. Një gazetar amerikan investigativ dha një mesazh këto ditë për shqiptarët: mos u bëni si kolumbianët. 30 vjet ka vazhduar lufta në Kolumbi, vetëm me një qëllim, drogën dhe vetëm drogën. Sigurisht ja u qan hallin ky (Tahiri), sepse Habilajt e tij mbjellin gjysmën e Vlorës ndaj ja u qan hallin ky. Unë i mirëkuptoj ata që e mbjellin thotë. Sigurisht që i mirëkupton sepse është përfitues kryesor i drogës në Shqipëri. Ju në këtë mënyrë po ngrini një mur, por murin më të rrezikshëm të Shqipërisë në Evropë, po shkatërroni me shpejtësi të madhe imazhin e vendit dhe të kombit. Ata që përpiqen që të bëjnë krahasime me kombin e Spinozës apo e gjenive të tjerë, gabojnë shumë rëndë. Së pari, nuk njohin legjislacionin e atij kombi, së dyti, asgjë s’mund të nxijë as Rembrantin, as Rubensin, as Spinozën dhe asnjë nga gjenitë e atij kombi që i ka bërë dritë njerëzimit.
Nuk po ju quaj unë kanabista, po ju quan e gjithë Shqipëria, po ju quan e gjithë bota. Çfarë doni më shumë se sa 4 artikuj në të katër anët e planetit për Kolumbinë e Europës! A ju dhembset apo jo Shqipëria? Apo për xhepin tuaj jeni të gatshëm të shkelmoni çdo qelizë, çdo interes të këtij vendi dhe keni pafytyrësinë dhe paturpësinë dhe thoni se nuk ka kanabis në një kohë që çdo shqiptar e sheh sot se ka dy ministra bujqësie, njëri është zoti Panariti, tjetri është zoti kanabist Tahiri. Në një kohë kur gjitha Shqipëria e shikon se një vello e zezë krimi ka mbuluar Shqipërinë, nga thellësitë e Alpeve deri në Pogon. Vetën 3 ditë më parë, një djalë 31 vjeç u ekzekutua me kodin e mafies, në Shën Gjergj, me një plumb mbas koke dhe ky është viktima e tetë.
Qeveria socialiste i tha qeverisë greke se problemi çam nuk ekziston
Zoti kryetar kam dhe një çështje që dua të shpreh mendimin tim, lidhur me diskutimet që bëhen për marrëdhëniet me fqinjët dhe dua të të them këtu se, në tërësi marrëdhëniet me fqinjët, falë doktrinës së Davutoglu të “zero problemeve me fqinjët”, me keqardhje duhet të them se problemet me fqinjët janë sot më serioze se ndonjëherë më parë. Po pse? Nuk them se pala shqiptare ka bërë akte, të cilat e kanë përkeqësuar marrëdhënien, jo nuk e them këtë. Por them se pala shqiptare, si e papërgjegjshme ka pranuar fermentimin e problemeve. Fermentimi i problemeve është problem madhor në vetvete. Ne kemi probleme me fqinjët, por ne jemi të dënuar të bëjmë gjithçka për zgjidhjen e tyre me dialog dhe në mënyrë konstruktive. Unë mendoj se, gabimi më i madh është nëse këto probleme përdoren për qëllime elektorale. Ato nuk i shërbejnë cilitdo që i përdor. Me fqinjët ne duhet të jemi seriozë dhe sigurues, duke i trajtuar dhe qëndruar në çdo problem. Por mund të evitohet diplomacia e megafonit. Ajo nuk të sjell gjë. Të jep duartrokitje po asgjë tjetër. Unë po marr problemin çam. Më datën 13 janar ‘91 në takimin e parë me një Kryeministër që kam patur unë me tre a katër bashkëpunëtorë në hotel “Dajti”, ja kemi ngritur çështjen çame. E ngrita në Stamboll, edhe aty kam qenë me tre a katër vetë, më tha Kryeministri Mitsotaqis se sa herë takohemi po këtë problem më ngre ti. Po, i thashë, unë këtë problem do të ngre, po të duash takohu ose jo me mua, por unë, sa herë të takohemi këtë problem do ta kem çështje të dytë ose të tretë. Pra, domethënia e kësaj ishte që, po të duash mos më tako, por nëse më takon unë këtë problem do ta ngre. Ky problem, me gjithë komplikimet që lindën, u trajtua në çdo diskutim dhe u konkretizua në traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit, i cili ka një meritë të jashtëzakonshme. Është dokumenti i parë ligjor që sanksionon kufijtë. As Enver Hoxha nuk kishte vënë kufij. Një pjesë e madhe e kufirit të Jugut ishte pa asnjë piramidë. Zona të tëra në kufij ishin pa piramida sepse shmangej sherri. Ne i thamë jo, ne do të njohim. U bënë kaq debate, pati pretendime për protokollon e Firenzes dhe për shumë gjëra, por ne thamë jo, duhet ta njohim bilateralisht dhe u arrit kjo. Çfarë ndodhi? Qeveria socialiste që erdhi pas nesh i thotë qeverisë greke se nuk ekziston për ne problemi çam. Këtë ma ka thënë Simitis në ambasadën greke dhe e ka bërë publike që atë ditë. Jo i thashë, problemi çam ekziston. Dhe këtë ja thashë jo vetëm atij, por edhe Kancelarit Shreder në “Rogner”. Pra, e varrosën problemin çam. Dhe unë i them Kancelarit gjerman se këta heqin nga axhenda një gjë të tillë. E vërteta është se e mbajti shënim dhe e tha diku. Tani ç’ndodh? Unë nuk flas në mënyrë përfundimtare këtu, por u them shqiptarëve një gjë: në mënyrë absolute shumë shpejt do të kuptoni se në interes të kujt vepruan. Dhe u them këtu, në bindjen më absolute, se vepruan në interes të një pale të tretë. Historia do e provojë. Kjo është deklarata ime. Por unë nuk ngutem.
Çdo lloj insinuate për rivendikime territoriale është e gabuar
Duke thënë këto, në çdo takim që kam patur, kam insistuar pranë autoriteteve greke dhe insistoj ende edhe sot edhe pse nuk kam ndonjë peshë, se qeveria shqiptare nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj dhe çështja duhet të shkojë të zgjidhet sipas ligjit ndërkombëtar sepse qeveria nuk mund të thyejë vendimin e gjykatës pavarësisht, e them këtu dhe mbajeni mend mirë, e keni bërë për llogari të një pale tjetër. Kaq! Tani vijmë te kjo qeveri. Unë besoj se kjo qeveri greke, me dy vizita të ministrit tregoi një vullnet për t’i çuar gjërat përpara, sepse gjëja më e gabuar është t’i lësh ato në vendnumëro. Nga ana tjetër dëgjova edhe përfaqësuesit tanë që thanë se duhet ta rishqyrtojmë traktatin dhe do ta plotësojmë. Plotësisht dakord, nuk them se është i përsosur se kanë kaluar 20 vite. Le ta plotësojmë, por ajo është një bazë solide e pandryshueshme. Dhe është gabim i madh nga shqiptarët të heqin dorë, por dhe nga grekët që duan të përmirësojmë marrëdhëniet me Shqipërinë s’mund të heqin dorë nga ai traktat. Jo. A mund të thuash që çështja çame nuk ekziston? S’mund ta thuash kurrë, sepse ajo ekziston. Se ajo është një çështje ndërgjegje njerëzore në radhë të parë. Ka një spastrim etnik, ka një krim të papërshkrueshëm aty, ka një mashtrim. Kolaboracionizëm ka patur në gjithë Europën, por çamët kanë luftuar dhe nuk mund të shkelësh mbi gjakun e tyre nëse do t’i qëndrosh të drejtës historike. Natyrisht çdo lloj insinuate për rivendikime territoriale është absolutisht e gabuar. As kërkojmë as mund të kërkojmë ndryshimin e kufijve. Kërkojmë të zgjidhim mbi bazën e konventave ndërkombëtare dhe të drejtave ndërkombëtare ato çka u takon çamëve, dhe kjo vetëm e lartëson Greqinë, djepin e demokracisë botërore.
Urimi për ditëlindjen e Dritëro Agollit
Kam zgjedhur këtu një strofë nga poeti i talentuar, poeti i madh, kolosi i kulturës dhe letrave, në ditëlindjen e tij, Dritëro Agollit, por dhe si mesazh për t’ja uruar këtë ditëlindje:
“I dashur shok,
i miri vëlla,
etërit tanë mbathin opinga,
s’duhet të flas me fjalë të mëdha,
vetëm të lutem mos më bëj të liga”
Shqiptarët janë njerëzit e opingave, njerëz që vijnë nga varfëria, njerëz që vijnë nga vuajtje kolosale, pse doni t’i zhysni në kazanë dhe në kanabis?! Apo vetëm që të mbushni xhepin ju o zotërinj kanabistë dhe zonja kanabina? Apo vetëm e vetëm që t’u mbyllni gojën apo vetëm që të blini vota? Është një akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm.