Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 4:15 të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë Durrës. Përplasja ballore e dy automjeteve shkaktoi 4 viktima në afërsi të Sukthit. Policia bëri të ditur se, automjeti me targa AA 979 GV që drejtohej nga Dashnor Deliallisi po ecte në sens të kundërt me një shpejtësi kur u përplas me mjetin me targa AA 694 IL që drejtohej nga 23- vjeçarja Greta Sherifi. Nga përplasja e dy automjeteve humbi jetën në vend 36-vjeçari Deliallisi dhe 3 vajzat që udhëtonin në automjetin tjetër, Greta Sherifi 23 vjeç, banuese në Sarandë, pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeç, si edhe Elona Kaçibaros, 34 vjeç, banuese në Tiranë. Ndërkohë sipas policisë drejtuesi i mjetit tip “Benz” Dashnor Deliallisi, një emigrant i sapo kthyer nga Italia po lëvizte me 150 km në orë. Rruga ku ndodhi aksidenti është zgjeruar nga të dy anët në tre korsi nga një subjekt privat.
Burimeve të policisë thonë se, shkak është bërë futja në krah të kundërt e automjetit tip “Benz” që pak minuta më parë nuk kishte ndalur një postblloku policie. Ai drejtohej nga 36- vjeçari Dashnor Deliallisi, nga Durrësi, baba i dy fëmijëve, emigrant në Itali. Sipas hetimeve paraprake të ekspertëve të policisë, për t’i shpëtuar ndjekjes së uniformave blu, ai ka kaluar në krahun e kundër të autostradës, ku është përplasur me automjetin ku udhëtonin 3 vajza dhe që drejtohej nga 23-vjeçarja Greta Sherifi nga Saranda. Në makinën e saj ndodheshin si pasagjere dy mikeshat e saj, Izabela Balla 33-vjeçe që jetonte në Greqi dhe Elona Koçibaros 34 -vjeçe nga Tirana, të treja humbën jetën.
Mësohet se të tre vajzat ishin nisur për një udhëtim drejt Greqisë ku jetonte njëra prej tyre. Automjetet në të cilat udhëtonin viktimat janë shkatërruar plotësisht, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikëses për të nxjerrë trupat e pajetë.
Ekspertë të policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë. Trupat e viktimave janë dërguar fillimisht në morgun e qytetit të Durrësit. Dyshohet se 36-vjeçari Deliallisi ka hyrë në rrugë nën efektin e pijeve alkoolike, por do të jetë ekspertiza që do të vërtetojë këto dyshime. Burime policore në vendin e ngjarjes thanë gjithashtu se, automjeti i tij ka qenë duke udhëtuar me një shpejtësi tej normave të lejuara dhe se në këtë aks rruga është e pandriçuar.
Pasi janë njoftuar mbi lajmin e kobshëm për ndarjen tragjikisht nga jeta e vajzave të tyre, familjarët e 3 vajzave kanë mbërritur në morgun e Spitalit të Durrësit për të identifikuar viktimat, si dhe për të marrë trupat e tyre të pajetë. Të zhytur në dhimbje të thellë e tronditje të pashoqe, familjarët e vajzave kanë thënë se 3 të rejat ishin në Greqi për disa ditë pushime. Njëra prej tyre, Izabela Balla, kishte familjen në Greqi ku jetonte prej vitesh. Paraprakisht, dyshohet se ajo ishte shoferja e mjetit, shkruan portali “Durrës lajme”.
Ndërsa për 36-vjeçarin nga Durrësi, Dashnor Deliallisi, mësohet se ishte emigrant në Itali, i martuar e me dy fëmijë. Nuk është ende e qartë se për çfarë arsye ai po lëvizte në sens të kundërt në autostradë, duke u përplasur me “Benz”-in tjetër ku udhëtonin 3 vajzat, përplasje e cila rezultoi fatale e tragjike.
Shoferi i aksidentit në krah të kundërt dhe me 150 km/orë
“Toni Montana”, është ky pseudonimi në rrjetet sociale i 36-vjeçarit, Dashnor Deliallisi, i cili është shkaktar i aksidentit në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth. Tre vajza, shoqe me njëra-tjetrën, gjetën vdekjen pasi u përplasën ballë për ballë me makinën e drejtuar nga Deliallisi, i cili ecte kundravajtje. Edhe 36-vjeçari gjeti vdekjen nga aksidenti. Automjeti i tij, me targa AA 979 GV, po ecte në sens të kundërt kur u përplas me automjetin me targa AA 694 IL, që drejtohej nga 23-vjeçarja Greta Sherifi.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se mjeti që ecte në krah të kundërt dhe që drejtohej nga 36-vjeçari Dashnor Deliallisi ishte në ndjekje nga policia. Policia sqaron se ka qenë një patrullë e efektivëve rrugorë që ka konstatuar mjetin tip “Benz” në afërsi të një karburanti, duke ecur në krah të kundërt dhe me shpejtësi tej normave të lejuara, 120 km në orë. Ata i kanë bërë shenjë të ndalonte, por Deliallisi ka shtuar shpejtësinë, duke vënë në rrezik edhe jetën e punonjësve të policisë.
Pas kësaj, policia është vënë në ndjekje, por mjeti është shkëputur, duke përfituar në kohë, pasi lëvizte në sens të kundërt dhe shërbimet e policisë nuk kanë lëvizur në atë sens. Sipas të njëjtave burime, vetëm pak minuta më vonë është konstatuar se po ky mjet ishte përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth, rreth orës 04:15.
Pasi eci për rreth 12 kilometra në krah të kundërt, duke qenë se ndiqej nga policia, e cila e kishte pikasur duke qarkulluar tej normave të lejuara, ai u përplas në Sukth me një automjet tip “Benz”, aksident nga i cili 36-vjeçari dhe tre të rejat gjetën vdekjen. Dashnor Deliallisi ishte qytetar rom, i lindur në Fushë Krujë dhe me mbiemër të ndryshuar. Aktualisht, ai bashkëjetonte me një grua në qytetin e Durrësit. Në fakt ai rezultonte i papunë, por nga fotot e publikuara në rrjetet sociale duket që bënte jetë luksoze me makina të shtrenjta, në lokale nate, me orë e unaza prej ari.
Sipas burimeve zyrtare, Dashnor Deliallisi është një shtetas me precedentë penalë, i cilësuar si “kamikazi shkatërrues”. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2011 në lagjen 12 në Durrës, pasi tentoi të vriste një person me një armë pa leje. Në momentin e aksidentit në Sukth, Dashnor Deliallisi dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës, por ende nuk kanë dalë përgjigjet përfundimtare, përsa i përket analizave toksikologjike, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria të hetojë dhe të zbardhë shkaqet e aksidentit
Një qytetar nga Durrësi i ka dërguar një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, policia është përgjegjëse për aksidentin që u mori jetën 4 të rinjve në Sukth. “Qytetari dixhital denoncon: përgjegjësinë e policisë në aksidentin që ju mori jetën 4 të rinjve në autostradën Tiranë-Durrës”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Duke shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave dhe ndarë me to dhimbjen e madhe, i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me përparësi këtë informacion për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik që tronditi sot mbarë vendin. sb”, shkruan Berisha duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje, po ndjek parlamentin të lutem Dr., thuaj Saje qorrit se vdekja e 4 të rinjve në autostradë është shkaktuar nga policia. Burim i sigurtë. Djali që u përplas me makinën e 3 vajzave ishte në ndjekje nga policia që i ishte vënë pas me sirenë ndezur”, shkruan qytetari nga Durrësi.
Udhëtimi i vdekjes, sms e fundit të 33-vjeçares
Ndonëse ato u nisën së bashku për një udhëtim drejt Greqisë, rruga e tyre u pre në mes nga një aksident që i mori jetën tragjikisht në një moshë të re. Në profilin e ‘Facebook’ e të treja vajzave shihen foto që ato kanë dalë bashkë, ndërsa shihen të pandara. Në mesazhet e fundit të Izabela Ballës, shihen se si ajo bën dedikime me foto dhe thënie për njerëzit e saj të dashur, ndërsa disa prej tyre janë domethënës.
Po ashtu, shihet se në postimin e fundit Izabela Balla ka shpërndarë horoskopin e datës 11 tetor. “Ujori, Hëna vazhdon të jetë në shenjën tuaj. Mund të ndjeheni më emocionalë se zakonisht, ta ndjeni më shumë dashurinë për partnerin apo partneren. Vëmendja është tek ju dhe ju duhet ta shfrytëzoni gjithashtu”.
Ndërkohë, një foto që Greta Sherifi ka postuar në ‘Fb’ është një tato, dedikim për babain e saj. “Nëse dikush ka humbur 5 kg, të vijë t’i marrë se i kam unë”, thuhet në mesazhin e fundit që ka shpërndarë Elona Kaçibaros, 34 vjeçe, nënë e një fëmije.
Greta Sherifi, vetëm 23 vjeç, drejtonte mjetin tip ‘Benz’ ndërsa pasagjere ishin Izabela Balla, 33 vjeçe dhe Elona Kaçibaros. Vajzat ishin nisur në mëngjes herët për në Greqi, ku do të kalonin disa ditë tek Izabela Balla, e cila jetonte atje, ndërsa fati i keq deshi që ky të ishte udhëtimi i tyre i fundit.