Deklarata e fortë: Rama do të rrënojë portin e Durrësit për të ndërtuar kulla pranë shëtitores “Taulantia”

Kryetari i degës së PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj akuzon qeverinë Rama për projektin e ri që ka për portin e qytetit bregdetar. Ai thotë se, projekti është një justifikim i kryeministrit Rama për rrënimin e portit dhe ndërtimin e disa kullave pranë shëtitores “Taulantia”. Xhaferraj shprehet se, Rama do të ndërtojë një zonë rezidenciale për qëllime abuzimi.

Reagimi plotë i kreut të PD Durrës

Ideja e hedhur si rrufe për ndërtimin e një porti turistik, mbi portin ekzistues të qytetit, është një justifikim i kryeministrit Rama për rrënimin e Portit dhe ndërtimin e disa kullave pranë shëtitores “Taulantia”.

Porti i Durrësit, një port mbi 100 vjeçar, tashmë pjesë e pandarë e qytetit, ka nje Master Plan (2009) të miratuar e të financuar nga Komisioni Europian. Master plani është hartuar jo nga kompani që ndërtojnë kulla, por nga kompania shumë e njohur europiane dhe ndërkombëtare në fushën e detarisë, Royal HaskoningDHV. Mastër plani përcakton se porti i ka mundësitë të shtojë me tre herë kapacitetet e përpunimit për mallra dhe kontenierë. Nisur nga këto mundësi Porti i Durrësit ka përfituar financime dhe kredi nga Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim.

Si mundet që në mënyrë arragonte dhe duke nëpërkëmbur qytetarët e Durrësit Edi Rama, duke shëtitur në Dubai, edhe të projektojë edhe të urdhërojë për transferimin e portit në Porto Romano? Ku është projekti dhe studimi i vlefshmërisë për këtë port të ri? A ofron mundësi reale Porto Romano për një port te Ri, apo edhe këtu ka thjesht një PPP? Me cfarë kushtesh do të jepet kjo pronë publike, theksoj është pronë publike, dhe jo pronë private e ciftit Rama-Balluku.

Projektimi me cilësinë e duhur i një porti të madh, qoftë edhe turistik, nuk është as punë tre ditësh vizitë në Dubai, dhe as punë për një kompani si EMMAR e specializuar për ndërtimi kullash dhe qëndrash komerciale. Pra është e qartë se qellimi i vetëm është që për interesa korruptive, pa transparencë, pa vision, pa projekt, pa ballafaqim me qytetarët Rama do të ndërtojë një zonë rezidenciale për qëllime abuzimi.

Artikulli paraprakRaporti i BE: Shqiptarët me pagat më të ulta në Europë
Artikulli tjetërLumë droge nga Shqipëria në Itali, policia italiane në operacion