Te Pescara është momenti i Rey Manajt. Sulmuesi shqiptar, i dhënë në formë huazimi nga Interi, pritet të luajë titullar edhe në transfertën me Sampdorian për javën e tetë të Serisë A. Talenti 19-vjeçar e ka lënë pas dëmtimin që pësoi në humbjen 0-2 me Chievon dhe është 100% në dispozicion të trajnerit Massimo Oddo. Në fakt pasojat fizike të sfidës me veronezët Manaj i vuajti edhe në kombëtare, duke lënë grumbullimin e kuqezinjve për sfidat me Lihtenshtejnin dhe Spanjën si masë paraprake.
Gjithsesi faza e riaftësimit ka shkuar sipas parashikimeve dhe talenti i lindur në Lushnjë mund të japë kontribut për skuadrën e tij ndaj Sampdorias. Mediat italiane raportojnë se, Manaj konsiderohet zgjedhje e parë nga Oddo, që kërkon nga sulmuesi të jetë pikë referimi në fazën sulmuese. Në 7 javët e para të Serisë A, Manaj është aktivizuar në 6 ndeshje, ku në 5 raste si zëvendësues. Në këtë fillim sezoni ka mundur ta dërgojë dy herë topin në rrjetë, pikërisht ndaj Sassuolos, sfidë të cilën Pescara e fitoi më pas 0-3 në tavolinë dhe në barazimin 1-1 në transfertë me Genoan.