Vetëm dy ndeshje, kaq arriti të luante në stadiumin e rikonstrukuar “Loro Boriçi” skuadra e Vllaznisë. Skuadra veriore do të rikthehet sërish në “Reshit Rusi”, ku për rreth një muaj do të luajë të gjitha ndeshjet si pritëse, pasi tapeti i gjelbër i stadiumit do të rikonstruktohet për shkak të dëmtimeve të mëdha që pësoi gjatë dy muajve të fundit. Gjatë javëve të fundit, gjendja e terrenit në “Loro Boriçi” u rëndua shumë dhe firma që punoi me mbjelljen e barit gjatë rikonstruksionit, do të ndërhyjë sërish me disa modifikme për ta rikthyer katërkëndëshin në gjendje sa më optimale.
Në këtë mënyrë, pas ndeshjeve me Kukësin dhe Famurtarin, Vllaznia është e detyruar të rikthehet në “Reshit Rusi”, ku priti gjithë ndeshjet e sezonit të shkuar. Stadiumi “Loro Boriçi” do të rihapë dyert në datën 12 nëntor për ndeshjen eliminatore Shqipëri-Izrael dhe vetëm pas kësaj date, skuadra e Cungut mund të rikthehet të luajë në stadiumin kryesor të qytetit. Sipas parashikimeve, Vllaznia do të presë Partizanin në datën 19 nëntor për ndeshjen e vlefshme të javës së 11 të Kategorisë Superiore.