Banda e Tahirit trafikon edhe arrestimin e vëllait të Alibeajt

Partia Demokratike ka reaguar për fabrikimin e dalë nga zyrat e Policisë së Shtetit për gjoja arrestimin në Gjermani të vëllait të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj. Në reagimin e PD thuhet se, shpifja e qëllimshme dhe manipulimi i medias, rezultoi një përpjekje e dëshpëruar e Tahirit për të hedhur baltë mbi përfaqësuesin e PD dhe familjarët e tij. “Partia Demokratike dënon fabrikimin e ulët nga Policia nën urdhëra politike, të lajmit për gjoja arrestimin e vëllait të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj. Kjo shpifje e qëllimshme dhe manipulimi i medias, rezultoi një përpjekje e dëshpëruar e Tahirit për të hedhur baltë mbi përfaqësuesin e PD e familjarët e tij, pasi shpejt u pa se lajmi nuk ishte i vërtetë. Partia Demokratike shpreh indinjatën për sulme të tilla të paprincipta bazuar në gënjeshtra, të organizuara pikërisht nga njeriu më i inkriminuar në vend, Saimir Tahiri me bekimin e shefit të tij. Asnjë presion mjeran si ky nuk e lëkund Partinë Demokratike dhe përfaqësuesit e saj nga beteja e përditshme kundër krimit dhe lidhjeve të qeverisë dhe Edi Ramës me krimin”, thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike.
Ndërsa kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi të fabrikuar nga ministri i Brendshëm lajmin e përhapur për arrestimin e vëllait të tij. “Sot banda në Policinë e Shtetit e drejtuar nga kryebanditi Sajmir Tahiri ka shpërndarë një lajm të gënjeshtër për gjoja arrestimin e vëllait tim. Lajmi i dalë nga zyra e Sajmir Tahirit tregon se sa të dëshpëruar janë, se çfarë morali kanë e çfarë janë në gjendje të bëjnë vetëm e vetëm për të baltosur kundërshtarin”, u shpreh Alibeaj në reagimin e tij.
Sipas Alibeajt, qëllimi është i qartë. “Shantazh për t’i mbyllur gojën opozitës e për t’i zhytur të gjithë në llumin e krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës e bandës së tij. Njeriu i faktuar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere si i lidhur me krimin, njeriu që ve në dispozicion të trafikantëve makinën e tij, partneri i krimit, shpifësi, ordineri do të përgjigjet për këtë sajesë ordinere”, shprehet më tej Alibeaj.
Në përfundim, Alibeaj shprehet se nuk trembet e as nuk shantazhohet nga Saimir Tahiri dhe banda që drejton. “Keqardhje për mediat e keqpërdorura, të cilat sot i detyrohen një ndjesë publike vëllait dhe familjes time. Sa për mua, as nuk trembem as nuk shantazhohem. Përballë do më ketë ditë për ditë, bashkë me opozitën, Saimir Tahiri dhe banda që drejton”, përfundon Alibeaj.
Lajmi për gjoja arrestimin e vëllait të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj në Gjermani, u publikua dje nga mediat pranë qeverisë, duke iu referuar burimeve jozyrtare të Policisë së Shtetit. Ky lajm i fabrikuar vjen ndërkohë që Alibeaj si drejtues i Departamentit të Sigurisë në PD po udhëheq serinë e denoncimeve për situatën e rëndë të krimit në vend. Në shënjestër të deklaratave të tij ka qenë shpesh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por gjithçka u hodh poshtë nga vëllai i Alibeajt, Taulanti që u shpreh për mediat shqiptare nëpërmjet telefonit se nuk është arrestuar asnjë herë as në Gjermani dhe as në Itali dhe në asnjë vend tjetër ku ka qenë. Ai u tha se është i lirë dhe po konsumon kafe normalisht në Gjermani.

Vëllai i Alibeajt: S’di të jem arrestuar ndonjëherë, jam duke pirë kafe në Gjermani

Taulant Alibeaj, vëllai i kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka sqaruar personalisht të vërtetën për fabrikimin e lajmit për gjoja arrestimin e tij. Në një lidhje telefonike me studion e lajmeve News24, Taulant Alibeaj u shpreh se lajmi mbi një arrestim të tij është tërësisht i pavërtetë.
Madje, ai është shprehur për “Panorama” se, jo vetëm që nuk është në qeli, por është duke pirë një kafe në liri të plotë në Gjermani. “Unë nuk e di se çfarë kanë shkruar mediat në Shqipëri, por unë mund t’ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se në këtë moment që jemi duke folur, unë jam ulur dhe jam duke pirë një kafe në Gjermani. Unë nuk kam asnjë problem me policinë gjermane, dhe nuk jam ndaluar asnjëherë të vetme nga autoritetet këtu, madje nuk kam as makinë që të marr ndonjë gjobë”,¬ tha Taulant Alibeaj.

-Zoti Taulant Alibeaj, mediat shkruajnë se ju jeni arrestuar për grabitje me armë në Gjermani. Çfarë mund të na thoni?
Unë nuk di që të jem ndaluar asnjëherë as në Itali, as në Gjermani, as në një vend tjetër ku kam qenë. Pastaj imagjino grabitje me armë. Është vepër penale shumë e rëndë dhe duhet të isha në burg.

-Po ndonjë kontakt me policinë keni pasur?
Unë kam kontakt me familjarët e mi jo me policinë.

-Në këto momente që flasim nuk keni asnjë problem me policinë, nuk jeni në burg?
Si mund të isha në burg nëse jam në lidhje telefonike me ju këtu…

-Ju falenderojmë për këtë komunikim sëbashku
Ju faleminderit juve dhe një ditë të bukur të gjithëve!

R.POLISI

Artikulli paraprakAutizmi, zonjat e para të trupit diplomatik vizitojnë qendrat
Artikulli tjetërProkuroria ngre padi penale: Jo të ligjshme motivet e fluturimit