Heshtja si përgjegjësi direkte e dhunës shtetërore!

Nga Bardh SPAHIA

Përsëritja e dhunës së policisë edhe ndaj intelektualëve, po dëshmon se frymëzuesit e këtij modeli janë ende në funksion dhe vazhdojnë me frymën e kundërvënies së policisë ndaj qytetarëve.

Katër intelektualë të rinj Astrit Seranaj, Donald Martini, Ergys Mertiri dhe Gentian Hasani, secili i spikatur në fushën e vet, por edhe qytetarë aktivistë, pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u shoqëruan dhe u dhunuan mbrëmë në polici. U fshihen pamjet filmike përmes të cilave kishin regjistruar abuzimin e policëve dhe dhunohen nga policë brenda ambienteve të komisariatit nr.1 ku u shoqëruan.

Shenjat e dukshme fizike dhe dëshmitë e tyre për dhunën e policisë janë përcjellë në cdo media, por pushteti hesht: hesht kryeministri, sic bëri pas vrasjes së 25 vjecarit nga një polic i shtetit; hesht drejtori i policisë së shtetit, dorëheqja e të cilit u kërkua për shkak të vrasjes së 25 vjecarit; hesht edhe ministri i ri i brendshëm, që zëvendësoi paraardhësin e larguar për shkak të dhunës policore.

Eshtë skandaloze që policia po përdoret si mjet dhune ndaj qytetarëve në emër të pushtetit! Frika e Edi Ramës nga revolta e qytetarëve të cdo moshe, po krijon precedentin e rrezikshëm të mosbesimit ndaj policisë, institucioni që në këto 3 dekada pluralizëm ka patur dhe ka nevojë për besim të gjerë publik. Eshtë e turpshme sesi militantë me uniformë policore janë verbuar aq shumë sa nuk e kuptojnë dëmin e madh që i bëjnë gjithë shoqërisë! Dhuna në komisariate, e dëshmuar edhe nga minorenë e të rinj të shoqëruar më herët, nuk mund të anashkalohen.

Heshtja i bën bashkëpunëtorë, të parin kryeministrin, ministrin e ri të brendshëm e më pas, atë që ka përgjegjësi direkte për sjelljen e policëve, drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit!

Artikulli paraprakKemi një kryeministër miop dhe një komitet të tredhur që na kanë rreshtuar përkrah vendeve afrikane
Artikulli tjetërBasha mesazh ngushëllimi për ndarjen para kohe nga jeta të ish-deputetit të PD