Viktima tjetër që fshihet në landfillin e vdekjes

Dokumentari i patransmetuar i emisionit investigativ “Publicus” “Kodrina e vdekjes”, ka sjellë edhe një fakt tjetër shokues për landfillin e Sharrës. Një tjetër grua u vra ashtu si 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Historia e saj kaloi në heshtje dhe pa bujë në media ashtu siç do të kishte kaluar edhe historia e Arditit të gjorë pa këmbënguljen e disa gazetarëve.
Sipas dosjes së Prokurorisë që disponon “Boldnews”, më 25 nëntor të vitit 2015, shtetasja Mirvete Duka humbi jetën në landfillin e Sharrës pasi u shtyp nga një traktor me zinxhirë.
Edhe në atë kohë, ky territor kontrollohej nga Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt, por vdekja e 48-vjeçares kaloi në heshtje duke i faturuar fajin viktimës, pasi kishte hyrë pa leje në landfill. Edhe e vrarë edhe fajtore, kjo është ironia e fatit të të mjerëve. Edhe e masakruar edhe e mohuar, njësoj si Arditi.
“Nga këqyrja e kufomës së shtetases Mirvete Duka rezulton se ka dëmtime në kokë me heqje të lëkurës, dëmtime në buzë dhe thyerje të brinjëve, të duarve dhe këmbëve të shkaktuara nga mjeti agregat, i cili ka manovruar para dhe mbrapa. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor ka rezultuar se shkaku u vdekjes së shtetases Mirvete Duka ka qenë politrauma automobilistike me mekanizmin e shokut të rëndë traumatik-hemorragjik”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, referuar ekspertizës ligjore.
Për ngjarjen pati një person të arrestuar për shkaktim të aksidentit, por jo përgjegjës për kushtet skandale ku punonte ajo.
“Publicus” ka sjellë edhe dëshmitë e mjaft minorenëve të tjerë që punojnë në Sharrë pa asnjë siguri fizike dhe pa asnjë kontratë apo sigurime. Ndryshe nga ajo që reklamon kreu i Bashkisë, landfilli i Sharrës është një fushë e vdekjes ku çdo ditë rrezikojnë edhe dhjetëra njerëz të tjerë, një pjesë e madhe fëmijë. Heshtja e medias për këtë tragjedi që zhvillohet çdo ditë është tmerruese dhe tregon për shkallën e lartë të presionit e korrupsionit të institucionit të Bashkisë më të madhe në vend.

Artikulli paraprakGazetarja Tota dhe drejtuesit e “Publicus” do të dëshmojnë
Artikulli tjetërAlbpetrol vë sekuestron për 25 prona dhe objekte të ARMO