Rama po kërkon të asgjësojë zgjedhjet

Në tre vite, Edi Rama ia ka dalë të kriminalizojë shtetin, të kanabizojë Shqipërinë, të rrisë papunësinë, dhe të përqendrojnë në duart e një grushti njerëzish të lidhur me tenderat dhe koncesionet, pasuritë publike të qytetarëve. Kjo u theksua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Gramsh. Zoti Basha tha se, klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar nga korrupsioni dhe arbitrariteti. I vetmi biznes që lulëzon është ai i hashashit. Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve, Edi Rama po përpiqet të asgjësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi kreu i demokratëve, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë fundi i pushtetit të Edi Ramës. “Në këtë realitet të keqqeverisjes së gjithanshme të përkeqësimit që shënon çdo fushë të jetës, Edi Rama ka prezantuar edhe një gjëmë të madhe për shqiptarët, kriminalizimin e shtetit që i ka hapur rrugë drogës së mbjellë anembanë, drogimit të Shqipërisë. E ka bërë me ndërgjegje të plotë. Edi Rama e ka ditur. E ka bashkë planifikuar me kriminelët, që ka vënë në çdo strukturë shtetërore, se kriminalizimi i shtetit do të çonte në kanabizimin e Shqipërisë. E ka ditur dhe prandaj se ka vënë ujin në zjarr, sepse për të paratë dhe pushteti është gjithçka që kanë rëndësi. Sepse për të, punë e madhe se ka papunësi, shkoni në emigracion ju tha kuksianëve para një viti, punë e madhe se ka varfëri. Po pate varfëri eja skllav në fermën e drogës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve, mendon se e ka ulur dhe më tej çmimin e votës  dhe se me paret e korrupsionit dhe me kërcënimin e krimit do t’ia dalë të asgjësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Ndërkohë, që pas tre vitesh qeverisje Edi Rama nuk ka asnjë bilanc për të treguar shfaqet me arrogancë para fermerëve që i varfëroi dhe shkatërroi me keqqeverisjen e tij dhe u thotë merrni kredi. Shëndetësia është në ditën e saj më të zezë. Nëpër spitale mungojnë medikamentet kryesore, nuk ka mjek për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, ndërkohë që 1 milion euro në muaj i merr Vilma Nushi për chek-up -in. Kurrë më parë nuk kemi patur një qeveri të tillë plaçkitëse që i merr shumicës gjithçka për t’ia dhënë pakicës, theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha.

Artikulli paraprakLefteri Luzi, kandidatura e Ramës në KQZ, PD voton skualifikimin e saj
Artikulli tjetërKoncesioni 100.8 milionë euro për plehrat i Veliajt