Zbulohet skandali tjetër i Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës: 100.8 milionë euro për 16 vjet për dhënien e plehrave me koncesion. Gjatë viteve 2015-2016 Bashkia Tiranë ka qenë shumë aktive në procesin e mbledhjes/ përpunimit/ magazinimit të mbetjeve apo plehrave siç i quajmë rëndom. Ajo ka proceduar qoftë me skemat tradicionale të prokurimit si për shembull, kontratë me shoqërinë “3R”, ashtu si dhe me një skemë më moderne, siç ishte krijimi i një shoqërie aksionere me një palë të huaj (italiane, me eksperiencë të mëparshme në qytetin e Veronës) për të zgjidhur problematikat e plehrave.
Shoqëria aksionere e krijuar ka në fakt një mandat shumë më të zgjeruar se sa thjesht problematika e mbetjeve dhe këtu mund të flitet dhe më gjerë për një problem transparence, duke qenë se Bashkia Tiranë nuk ka sqaruar asnjëherë për publikun e gjerë realisht qëllimin e kësaj shoqërie aksionere, si dhe planet disavjeçare që ka ndërmend të realizojë me këtë shoqëri.
Në tërë këtë përçapje të Bashkisë Tiranë binte në sy mungesa e skemës kryesore që pushtoi mediat këto vitet e fundit. Bëhet fjalë për skemën koncesionare apo motrën e saj, skemën PPP. Transparenca ka qenë zero dhe në këtë rast dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin 146/2014 që flet për transparencën dhe njoftimin publik.
Konkretisht, Bashkia Tiranë ka dërguar shkresën nr.prot.2657, datë 28.01.2016 dhe numër protokolli 8100, datë 11.03.2016 në Ministrinë e Financave me të cilat ka aplikuar për koncesionin/PPP “Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës”.
Deri më sot Bashkia Tiranë nuk ka informuar publikun për këtë qasje të sajën. Ajo çka bie në sy në aplikimin e Bashkisë Tiranë është se: Aplikimi koncesionar kërkon mbështetje nga buxheti shtetëror. Mbështetja është në vlerën e 5-6.3 milionë euro në vit për 16 vjet. Domethënë 100.8 milionë euro në total. Nuk ka studim dhe as parashikim për gjenerim të ardhurash nga procesi i magazinimit të mbetjeve. Ka një IIR minimale të propozuar në masën 16%.
Dhënia e 22 mijë metrave katrorë për djegien e plehrave
22 mijë metra katrorë në mes të Tiranës vihen në dispozicion të mafias për djegien e plehrave. Vendimi është miratuar para një jave, nga Bashkia e Tiranës me votat e këshilltarëve të majtë. Kjo sipërfaqe (deri tani pronë e Bashkisë Tiranë) i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqëri kjo e krijuar në maj për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet. Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania”, 51% e ka në pronësi Bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë, të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. “Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe menaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.
Bashkia e Tiranës ka miratuar projektvendimin që t’i kalojë pa kundërshpërblim shoqërisë “Eco Tirana” Parkun e Transporteve në rrugën “Don Bosko”, me një sipërfaqe toke prej rreth 22 mijë metra katrorë. Kjo sipërfaqe, që deri tani ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë, i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqërisë së krijuar në maj nga Bashkia për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet.
Veliaj nën hetim për një nga aferat me plehrat
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë task-forcë pranë organit të akuzës në kryeqytet. Ppas kallëzimit të selisë blu, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin për akuzën e “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim. Burimet thonë se, krahas hetimit penal për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, po hetohet edhe mënyra e funksionimit dhe menaxhimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane. Sipas Prokurorisë, po verifikohet e gjithë procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës, në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Veronës. Krijimi mes tyre të një shoqërie të përbashkët me emër “Eco Tirana” sh.a. ku 51% të aksioneve i disponon Bashkia e Tiranës dhe 49% të aksioneve të tjera një shoqëri publike italiane e Bashkisë së Veronës për menaxhimin e landfillit të Sharrës. Në kallëzim e PD-së, thuhet se zyrtarë të lartë të Bashkisë së kryeqytetit që në nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkinë e Veronës ka shkelje ligjore. Më pas edhe krijimi i kësaj shoqërie me emrin Eco Tirana që është bërë pa asnjë procedurë konkurrimi apo kritereve të parashikuara në ligj është një shkelje tjetër e ligjit për shoqëritë tregtare. Edhe pse ka kaluar gati 2 muaj nga vdekja e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që humbi jetën duke punuar në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës nuk ka bërë ende publike marrëveshjen që kishte me firmën 3R. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, promovoi aktivitetin e kësaj firme në landfillin e Sharrës, pak ditë përpara vdekjes së Ardit Gjoklajt. Pas vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, landfilli i Sharrës është braktisur dhe aty mund të hyjë kushdo. Bashkia e Tiranës ende nuk ka bërë publike dokumentat dhe proçedurat, sipas të cilave kompania 3R mori në dorëzim landfillin.