Mafia e gjobave, Tahiri mburoja e Shullazit!

Emiljano Shullazi me anë të dhunës dhe kërcënimit me armë e ka detyruar biznesmenin Ylvi Beqja të paguajë shuma të ndryshme parash për llogari të tij dhe pjesëtarëve të bandës. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, vetë Shullazi i ka dhënë biznesmenit Beqja, disa emra për llogari të cilëve do të lëshonte çeqet me pagesat e “gjobës”. Në mesin e personave, në emër të cilëve janë firmosur çeqet për tërheqjen e parave, Prokuroria thotë se, janë edhe dy të arrestuarit e mesditës së enjte, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Burimet thonë se në dhjetor të 2014, të dy të arrestuarit Qyqja dhe Zela kanë tërhequr para nga bankat e nivelit të dytë me çeqet që ka lëshuar biznesmeni Beqja.
Në vendimin e Gjykatës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit, ndër të tjera thuhet se, Emiljano Shullazi ka përdorur në dy raste emrin e nipit të tij, Endrit Zela në tërheqjen e parave. Të dy këto raste, thonë burimet janë dokumentuar, ku Zela ka thyer dy çeqe në bankën e nivelit të dytë brenda dy ditëve, duke tërhequr në total 50 mijë euro. Vetëm një ditë pasi nipi i Shullazit kishte marrë 50 mijë euro, në bankën e nivelit të dytë është paraqitur edhe Endrit Qyqja. Ai ka thyer një çek me vlerë 16 mijë euro, duke i tërhequr nga llogaria bankare e kompanisë arabe që biznesmeni Ylvi Beqja e përfaqësonte. Në të tre këto raste, thonë burimet nga akuza, paratë janë marrë me anë të kërcënimit dhe dhunës fizike ndaj biznesmenit Beqja, i cili tashmë është marrë në mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë.
Grupi hetimor ka sekuestruar nga bankat e nivelit të dytë të gjithë praktikën e ndjekur në tërheqjen e parave dhe pamjet filmike. Sipas Prokurorisë këto para janë marrë në kërcënim, pasi mes palëve nuk ka patur kontrata të tjera.
Endrit Qyqja nuk është një emër i panjohur për policinë. Në 2005, ai ka vrarë pranë zonës së ATSH-së në Tiranë, Erind Koçinë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e dënuan me 18 vjet burg 33-vjeçarin Qyqja për vrasje me dashje. Ndërsa Gjykata e Lartë në 2009 prishi vendimin, duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje me dashje, në vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, pas një sherri mes të rinjve.
Nga ana tjetër, burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se, Emiljano Shullazi ka përdorur edhe persona të tjerë, në emër të cilëve janë firmosur çeqet nga biznesmeni Beqja si pasojë e dhunës dhe kërcënimit. Por, për shkak të sekretit hetimor, burimet nuk konfirmojnë emrat e personave që po hetohen si përfitues të paligjshëm të shumave që Ylvi Beqja është detyruar të paguajë në formën e gjobës shuma të mëdha parash që ndodhen edhe në proces verifikimi.
Ndërkohë, burimet thonë se pas arrestimit, asnjëri nga dy të dyshuarit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela nuk kanë pranuar të japin shpjegime për akuzat.

Pse hesht Tahiri për arrestimin e dy miqve të Emiljano Shullazit?

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk dhanë asnjë lajm për arrestimin e dy ushtarëve të Shullazit mesditën e të enjtes. Policia e Shtetit, që nuk ka lënë të dehur pa ia nxjerrë videon e arrestimit në televizione, heshti për arrestimet e dy “ushtarëve” të Emiljano Shullazit. Pavarësisht se shoqërimi i tyre në furgonin e policisë ishin kryelajm në të gjitha mediat, zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme nuk njoftoi për asgjë. Të gjitha detajet e arrestimit iu bënë të ditur publikut nga “burime nga Prokuroria”. Asnjë njoftim zyrtar nga policia, asnjë mesazh zyrtar, asnjë fjalë për arrestimet e gjobëvënësve Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Emiljano Shullazit, të akuzuar drejtpërdrejt për kërcënimet dhe dhunën ndaj biznesmenit Ylvi Beqja.
Rastësi apo jo, arrestimet e udhëruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda u filmuan nga kamerat e televizioneve, ndërsa dy të arrestuarit prisnin të takoheshin me Emiliano Shullazin. Por pavarësisht se lajmi ishte në të gjitha mediat, ra në sy heshtja e dikasterit që drejtohet nga Saimir Tahiri.
Çfarë e pengon Policinë e Shtetit të informojë publikun për këto dy arrestime? Përse nuk njoftoi gazetarët se kush u arrestua? Përse ndodhi ky arrestim? Dhe si u kapën dy të dyshuarit për akuza të rënda, si gjobëvënia dhe pjesëmarrja në një grup të strukturuar kriminal?
Në një situatë si kjo, nuk ka sesi të mos vijnë ndërmend akuzat që i janë bërë Saimir Tahirit për marrëdhënien që ka me Emiljano Shullazin. Edhe sikur të mos jenë të vërteta, është e pashmangshme të mos e mendosh në një rast si ky, kur Tahiri ka ndalur çdo informacion zyrtar që ka të bëjë me bandën e Emiljano Shullazit.
Vetë ministri i Brendshëm e ka përmendur vetëm një herë në publik emrin e Emiljano Shullazit. Madje në media është shkruajtur se, Shullazi e thërret ministrin Tahiri: “Saje Qorri”.

Merret në mbrojtje biznesmeni që iu vu gjobë nga Shullazi

Biznesmeni Ylvi Beqja është marrë në mbrojtje pas urdhërit të Prokurorisë, pasi ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë rastet, kur është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi dhe dy të arrestuarit e ditës së enjte, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Prokuroria ka administruar dëshminë e biznesmenit dhe është prova më e fortë që kanë hetuesit.
Sipas hetimeve, marrëdhënia mes tyre ka filluar me nënshkrimin e një kontrate noteriale, ku Shullazi ka marrë përsipër t’i kthejë biznesmenit pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Në këmbim të kësaj pune, Beqja do t’i dhuronte Shullazit 20% të pronës.
Pas nënshkrimit të kontratës, në vazhdimësi Emiljano Shullazi ka kërkuar nga biznesmeni sasi të mëdha parash nën kërcënimin e dhunës verbale, psikologjike dhe fizike. Të pranishëm në situata të tilla kanë qenë Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, si dhe disa persona të tjerë.
Dani është personi, i cili ka folur disa herë në telefon me biznesmenin, duke i kërkuar dhe marrë para prej tij. Ndërsa Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa raste, kur Emiljano Shullazi ka kërkuar paratë nga Beqja. Dy të arrestuarit e të enjtes kanë marrë të paktën 3 çeqe të lëshuara nga Beqja. Konkretisht, në datat 5 dhe 15 dhjetor të vitit 2014, Endrit Zela ka tërhequr gjithsej 50 mijë euro. Qyqja në 16 dhjetor të po atij viti ka tërhequr nga banka 16 mijë euro.
Ndërkohë, dy “ushtarët” e Shullazit e kanë vizituar këtë të fundit në burg për porositë e veçanta. Ai u ka dhënë deri më tani 100 mijë euro në çeqe dy personave të arrestuar. Ditën e shtunë, Zela dhe Qyqja pritet të dalin përpara gjykatës, ku do të njihen me masën e sigurisë marrë në mungesë nga Gjykata për Krimet e Rënda.

R.POLISI

Artikulli paraprakMinistri i Jashtëm i Kosovës paralajmëron Ramën: Nuk ke punë me Prishtinën në Beograd
Artikulli tjetërPolicia po eleminon dëshmitarët e drogës