Rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar në tremujorin e dytë të vitit 2016, teksa rritja vjetore e PBB-së është përshpejtuar në shumicën e vendeve të rajonit. Ndërsa investimet e forta vazhdojnë të mbështesin rritjen e performancës, konsumi privat është bërë një orientues kryesor i rritjes, duke reflektuar zhvillimet pozitive të tregut ekonomik dhe punës apo rritjen e pagave dhe transfertave. Performanca e eksportit në rajon ka fituar ritmin, por ka mbetur në përgjithësi modeste, pavarësisht përmirësimit në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së. Rimëkëmbja çoi drejt krijimit të mëtejshëm të vendeve të punës në sektorin privat, por papunësia mbetet e lartë.
Pavarësisht progresit në konsolidimin fiskal, nivelet ende të larta të borxhit publik në shumicën e vendeve të rajonit mbeten një shkak për shqetësim.
Performanca e rritjes në tremujorin e dytë është përmirësuar në Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Në Malin e Zi, rritja e PBB-së reale u përshpejtua në mënyrë të konsiderueshme në 2.7% me bazë vjetore në tremujorin e dytë, nga 1.1% në tremujorin e parë, kryesisht për shkak të një rritjeje të investimeve. Në Maqedoni, ekonomia u përshpejtua lehtë, në 2.2% në krahasim me 2% në tremujorin e parë, e mbështetur kryesisht nga shpenzimet konsumatore dhe të konsumit të qeverisë. Gjithashtu, Shqipëria ka shënuar një rritje të vogël në normën e zgjerimit të PBB-së, nga 3.1% në 3.2%, nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme në veçanti në formën e konsumit privat. Ndryshe ka qenë trendi në Serbi, ku rritja vjetore e PBB-së reale u ngadalësua në 2%, duke zbritur nga 3.8% në tremujorin e mëparshëm. Edhe në Bosnjë, rritja e prodhimit real ra në 1.4% nga viti në vit, në krahasim me 1.9% në tremujorin e parë.