Hazard kundër trajnerit Konte

Klimë e nxehtë dhe aspak e qetë në shtëpinë e Çelsit përpara sfidës ndaj Leiçesterit. Skuadra e bluve të Londrës do të kërkojë patjetër fitoren, por përballë ka një skuadër të fortë dhe jo të lehtë për t’u mundur. Në stol do të qëndrojnë dy teknikët italianë, Antonio Konte dhe Klaudio Ranieri. Për këtë fakt, kjo sfidë ka marrë një vëmendje të veçantë mediatike. Në këto muaj të parë nën drejtimin e Çelsit, Antonio Konte ka bërë gjëra të mira, por pritshmëritë kanë qenë më të mëdha.
Kjo është një ndeshje shumë delikate për të ardhmen e tij, i cili duhet të konfirmohet në krye të londinezëve. Si të mos mjaftojnë problemet e shumta me mungesat dhe presionin e drejtuesve, ish-trajneri i Juventusit duhet të përballet edhe me deklaratat e yllit të skuadrës së tij, Eden Hazard.
Mesfushori belg është i pakënaqur me rolin e tij në fushën e lojës. Numri dhjetë i skuadrës londineze kërkon të luajë pas sulmuesit të parë sepse mendon se ka më shumë lirshmëri për të bërë maksimumin në fushë, por sipas tij diçka të tillë nuk ia lejon trajneri.
“Te Belgjika isha shumë mirë dhe tregova vlerat e mia sepse trajneri më aktivizoi në rolin që më pëlqen më shumë. Si fantazist jap më shumë sepse mund të shfrytëzoj edhe goditjen dhe pasimet e zgjuara për të tjerët. Nuk e di nëse mund ta bëj diçka të tillë edhe te Çelsi. Duhet të pyesni trajnerin tim”, ka thënë Hazard, duke lënë të kuptohet se Konte i kërkon të luajë në krahët e mesfushës.
Zërave të një largimi të mundshëm nga skuadra e Çelsit, Antonio Konte u përgjigjet me një të qeshur. Ai thotë se nuk ka frikë, por është i bindur që do të dalë shumë shpejt nga ky moment i vështirë.
“Kur thonë se mund të shkarkohem e marr me sportivitet dhe më vjen për të qeshur. Bastet thonë se mund të shkarkohem? Dua të gjej ata që kanë vendosur para për këtë çështje. E kuptoj që ne trajnerët jemi gjithmonë nën presion. Duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe me besim se do të arrijmë objektivin. Po punojmë shumë, por duhet kohë për të ndërtuar një skuadër fituese”, tha trajneri.

Artikulli paraprakThesari i Trepçes, 60 milionë tonë rezerva me plumb e zink
Artikulli tjetërNishani: PAMECA doli jashtë statusit të saj, raporti i papranueshëm