Thomas Tuchel beson se Borusia e Dortmundit ishte e pafat në barazimin e arritur ndaj Herthës së Berlinit në “Signal Iduna Park”, duke theksuar se skuadra krijoi shumë volum dhe raste në 30 minutat e fundit të ndeshjes. “Goli i tyre na ndihmoi shumë sepse u zgjuam nga gjumi dhe arritëm të luanim më të shpenguar. Rritëm volumin e sulmeve dhe gjetëm më shumë hapësira. Në ndeshje të tilla ne meritojmë të fitojmë sepse luajtëm me intensitet të lartë”, u shpreh Tuchel.
Një deklaratë që shoqëron momentin jo shumë pozitiv të Borusias së Dortmundit që erdhi në këtë sfidë pas humbjes 2-0 ndaj Bayer Leverkusen. Gjithsesi, Borusia vazhdon të mbetet e pathyer në shtëpi që prej 25 ndeshjesh rresht në Bundesligë dhe ky është një rekord historik për këtë klub. Aktualisht, skuadra e Tuchel renditet në vendin e tretë të klasifikimit me 13 pikë. Deri në javën e shtatë, Borusia numëron 2 humbje dhe një barazim, çka e bën pothuajse të pamundur duelin në distancë me Bayernin e Mynihut. Objektivi i klubit është rritja e talenteve që vazhdon të promovojë Tuchel dhe ringjitja në majën e futbollit gjerman gjatë viteve të ardhshme.
Borusia Dortmund nuk arrin të dalë nga tuneli. Skuadra e Thomas Tuchel për të dytën javë rresht nuk arrin të fitojë, pasi u ndal në barazim 1-1 në “Signal Iduna Park” nga Hertha Berlin. Ndeshja u bë interesante në minutën e 17, kur Alexander Esswein gaboi edhe pse ishte në një pozicion shumë të mirë, ndërsa Borusia Dortmund nuk arriti të krijonte asnjë rast të rrezikshëm, duke shfaqur dobësi në fazën sulmuese. Në fraksionin e dytë ndodhi pothuajse gjithçka, pasi në minutën e 51 Vedad Ibisevic tregoi një vizion të madh loje me një pasim për Valentin Stocker, i cili nuk gaboi.
11 minuta më pas Marcel Schmelzer u ndal nga Rune Jarstein, ndërsa Genki Haraguchi replikoi me një rast të rrezikshëm në krahun tjetër. Rastin më të pastër, Borusia e regjistroi në minutën e 67 me Aubameyang, topi i të cilit u ndal në mënyrë të pabesueshme nga shtylla. Rreth 10 minuta më pas, sulmuesi afrikan kishte mundësinë e artë për të korrigjuar shënjestrën nga pika e bardhë, por sërish nuk ia doli mbanë. Në tentativën e tretë në minutën e 80, Aubameyang i asistuar nga Dembele arriti të thyente mallkimin.
Ndeshja u komplikua për vendasit 6 minuta nga fundi, kur Emre Mor u ndëshkua me karton të kuq dhe deri në fund të sfidës, shifrat mbetën të pandryshuara.