Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka uruar suksese, kandidatit për Kryeministër të Kosovës, kryetarit në detyrë të PDK, Enver Hoxhajt, i cili po zhvillon sot një seri takimesh me liderët e politikës shqiptare.
Pas bisedës që patën në selinë e PD, Basha tha se, sot kemi diskutuar për sfidat përballw së cilës ndodhet Kosova, sfida të cilat janë sfida të përbashkëta dhe kam përsëritur qëndrimin tim të palëkundur se kontributi më i madh që Shqipëria mund, duhet dhe do të jap është të qëndroj fuqimisht në krah të Kosovës, në krah të institucioneve të Kosovës.
Lulzim Basha: Kam kënaqësinë e veçantë të mirëpres sot në selinë e Partisë Demokratike ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës doktor Enver Hoxhaj. Një politikan i sprovuar, Ministër i Jashtëm, zëvendës kryeministër me të cilin ndaj kujtimet më të mira të angazhimit të përbashkët në procesin e pavarësimit të Kosovës, njohjes ndërkombëtare, anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare. Sot kemi diskutuar për sfidat përballw së cilës ndodhet Kosova, sfida të cilat janë sfida të përbashkëta dhe kam përsëritur qëndrimin tim të palëkundur se kontributi më i madh që Shqipëria mund, duhet dhe do të jap është të qëndroj fuqimisht në krah të Kosovës, në krah të institucioneve të Kosovës, duke bërë thirrje për një qëndrim sa më të unifikuar të gjithë faktorëve politik, duke braktisur çdo agjendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave me të cilat përballet Kosova dhe duke unifikuar vullnetet tona për të dalë edhe njëherë triumfues mbi këto sfida.
Duke avancuar procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, duke insistuar në njohjen e ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë si para kusht për proceset stabilizuese dhe integruese në Ballkan. Duke mbështetur fuqimisht aspiratat dhe objektivat e Kosovës për heqjen e vizave, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian, diplomacia shqiptare duhet të jetë plotësisht në dispozicion dhe në mbështetje të Kosovës dhe në këtë aspekt kam garantuar se unë dhe Partia Demokratike sot por edhe pas 25 prillit do të japim kontributin tonë, do t’i japim kontributin tonë të plotë në mbështetje totale të këtyre (objektiveve) jetësore për Kosovën.
Natyrisht kemi folur për bashkëpunimin ekonomik, i cili nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një çështje protokollesh të nënshkruara. Kemi folur edhe për një sfidë konkrete që është ajo e përballjes me procesin në Gjykatën Speciale. Një proces i cili kurrsesi nuk mund të lejohet të kthehet në një gjykim ndaj Kosovës, ndaj Luftës Çlirimtare, ndaj drejtuesve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për këtë kërkohet një bashkërendim u plotë dhe u gjithanshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe kur të gjithë forcat politike në Shqipëri dhe në Kosovë duhet t’i japin kontributin e tyre dhe të jenë të njëzëshëm në mbështetjen e luftës Çlirimtare të Kosovës në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificave të bijve dhe bijave më të mira të Kosovës për tejkalimin me sukses të kësaj sfide që në fakt është sfidë për vetë realitetin e pavarësisë së Kosovës, njohjen e saj ndërkombëtare dhe avancimi i saj në fushën e Integrimeve Europiane dhe euro-atlantike.
Dua t’iu uroj nga zemra suksese doktor Enver Hoxhaj, mikut tim dhe kolegut tim të dikurshëm edhe para proceseve zgjedhore të gjitha partive politike në Kosovë, një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me përfundim sa më të shpejtë dhe dua të shpreh vullnetin dhe gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për një bashkëpunim edhe më të thellë dhe të konsoliduar me institucionet që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe nga procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë nga zemra ju uroj suksese dhe mirëseardhjen në këtë vend.
Kryetari i PDK, Dr. Enver Hoxhaj tha se, kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me zotin Basha edhe në kapacitetet e dikurshme si ish ministra të jashtëm në një kohë kur Kosova nuk ka pasur ministri të jashtme dhe unë isha ministri i arsimit.
Enver Hoxhaj: Faleminderit shumë zoti kryetar për mua është një kënaqësi e veçantë që sot takova kryetarin e Partisë Demokratike zotin Basha. Së bashku me nën kryetarin e Partisë Demokratike zotin Xhevit Haliti dhe me sekretarin e përgjithshëm jemi në vizitë në Shqipëri dhe çka tha kryetari janë temat të cilat kemi biseduar në këtë takim të përbashkët. Unë e falenderoj zotin Basha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha pozitat që ka pasur deri më tani.
Është e vërtet që kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me zotin Basha edhe në kapacitetet e dikurshme si ish ministra të jashtëm në një kohë kur Kosova nuk ka pasur ministri të jashtme dhe unë isha ministri i arsimit e kemi pasur bashkëpunimin e parë në mars të viti 2008 në Senegal dhe Dakar ku kemi bërë përpjekje që të marrim sa më shumë njohje për Kosovën dhe e përmend këtë ngjarje për një arsye se asnjëherë nuk kisha menduar që në vitin 2020 Kosova e pavarur do ta kishte një vit të vështirësitë, në të cilin vit krahas pandemisë, krizës ekonomike Kosova mori edhe një goditje nga Gjykata Speciale dhe kjo ka qënë temë e diskutimit tonë të përbashkët.
Ne mendojmë që faktori politik në Shqipëri duhet t’i japë mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në Gjykatë në Hagë dhe i jemi mirënjohës për qëndrimet që kanë mbajtur deri tani, por kërkojmë që edhe në të ardhmen të ketë një konsistencë të tillë meqënëse as Kadri Veseli, as Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi apo Rexhep Selimi, nuk janë si individë në Gjykatë.
Natyrisht që raportet politike në mes të dy shteteve janë vëllazërore. Për ne Shqipëria është një partner strategjik përderisa Kosova është një partner i natyrshëm për Shqipërinë, është një zgjatje e shtetit, është një zgjatje e Shqipërisë historike si identitet dhe si kulturë. Por tani e tutje duhet të mendojmë se cilat duhet të jenë qasjet tona në bashkëpunim në mes të dy vendeve tona.
Së treti, jemi dy shtete me dy kryeqytete, por duhet ta kemi një qëndrim. Një qëndrim në raport me Gjykatën Speciale, një qëndrim në raport me raportet tona bilaterale Kosovë-Shqipëri Dhe një qëndrim në raport me temat të cilat do t’i ketë Kosova ë të ardhmen edhe sa i takon anëtarësimit në NATO edhe sa i takon anëtarësimit në OKB, temës së liberalizimit të vizave ku z.Basha deri tani në të gjitha kapacitetet që ka pas, të gjitha pozitat që ka pas ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës. Unë po ndalem këtu. Faleminderit kryetar.