Vjedhja e parave publike në konflikt të hapur interesi nga deputetët dhe pjesa tjetër pranë pushtetit të Ramës është shndërruar tashmë në një garë. Pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë ankimimit të PD në lidhje me mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Abissnet, dhe Kuvendi bllokonte kërkesën për tiu drejtuar gjykatës për shpalljen e mandatit të tij të pavlefshëm, një rast i ngjashëm u denoncua edhe për dy deputetë të tjerë socialistë. Rakip Sulin dhe Valentina Leskajn, të cilët ashtu si Kokëdhima kishin përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Por lista e deputetëve të Ramës që rrezikojnë mandatin për shkak se kanë përfituar fonde publike është edhe më e gjatë se këta tre deputetë. Rama qëllimisht nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi në të kundërt gjysma e deputetëve të tij do të humbnin mandatin.
Dhjetëra tendera për çdo ditë ndahen nga pushteti për njerëzit e afërt dhe klientelën. Tenderat e koncesionet janë përqendruar në një grusht të vogël kompanish e biznesesh, pronarët e të cilave ose janë deputetë e pushtetarë të lidhur me Ramën ose ortakë të tij. Gazeta publikon sot rastin e dy deputetëve socialistë Pjerin Ndreu dhe Sadri Abazi si dhe të Safet Gjicit, kandidatit të Ramës për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e vitit të shkuar si dëshmi e asaj se si zhvaten e ndahen mes pushtetit paratë dhe fondet publike. Kujtojmë këtu që Safet Gjici para zgjedhjeve të 2015 mbante detyrën e Prefektit të Kukësit, dhe gjatë kësaj kohe kur ky mbante këtë detyrë publike ka përfituar përmes kompanive të tij dhjetra tendera e fonde publike.
Që të tre, si deputetët Ndreu e Abazi ashtu si edhe Gjici janë biznesmenë. Nga dokumentat e publikuara në media, por edhe të hedhura në portalin e të dhënave Open Data rezulton se vetëm për këta të tre persona që nga koha e ardhjes së Ramës në pushtet janë dhënë jo pak, por 160 tendera, thënë ndryshe 160 kontrata të lidhura e të paguara nga paratë e buxhetit të shtetit.
102 tendera këto dy vite kanë shkuar vetëm për Safet Gjicin, i cili qendron në krye të listës së klientëve të favorizuar në zhvatjen e tenderave. Sadri Abazi ka marrë 27 tendera, por kjo shifër është disa herë më e madhe, duke marrë parasysh kompanitë e tjera, të cilat përfitojnë tendera përmes Abazit. Nuk mbetet pas saj Pjerin Ndreu, i cili në dy vite ka nënshkruar plot 31 kontrata.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës.
Deputeti tjetër Pjerin Ndreu, përmes firmës së tij “Ndreu Security Service” që prej ardhjes së Ramës në pushtet ka përfituar një shifër të konsiderueshme tenderash, duke lidhur në këtë periudhë rreth 31 kontrata shërbimi me institucionet publike. Përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2013, Pjerin Ndreu ka 4 kontrata, janar 2014-dhjetor 2014 ka 11 kontrata, janar 2014-dhjetor 2016 ka 16 kontrata. Pra, në total një shifër prej 31 kontratash.
Në krye të listës së tenderave të fituar qendron Safet Gjici, i cili sapo Rama ka ardhur ka përfituar masivisht tendera, duke e çuar numrin në total përgjatë këtyre viteve të plot 102 kontrata shërbimi. Gjici është drejtues i dy kompanive private, një që merret me shërbimet e securities dhe një tjetër që merret me ndërtim. Përmes të dyja këtyre kompanive, thuajse çdo muaj Gjici fut në xhep disa tendera. Përgjatë periudhës shtator 2013-dhjetor 2013, Gjici ka fituar 4 kontrata. Periudha janar 2014-dhjetor 2014 Gjici tejkalon në mënyrë galopante shifrën, duke fituar 40 kontrata. Por kjo prap nuk duket se ka qenë periudha më e artë e tij, duke parë se çfarë ka fituar më pas. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015, Gjici ka firmosur 58 kontrata.
Safet Gjici 8 miliardë lekë tendera në dy vite
Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.
Tendera pafund e ndërtime pa leje për Sadri Abazin
Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit.
Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtimi 6 katësh i paligjshëm tek Zogu i Zi ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qefit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshem përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Shtesa e katit filloi para një muaji dhe tani është në përfundim. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën.
Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshësm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek Zogu i Zi, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.
Si përfituan miliarda para Abazi, Gjici e Ndreu nga OSHEE
Mbi 2.1 miliardë lekë i janë deputetëve dhe funksionarëve të lartë të PS pa tender duke u ndarë me negocim. Kjo është mënyra me të cilën ka operuar OSHEE për deputetin Abazi,ish prefektin e Kukësit, Gjici, si dhe deputetin tjetër të PS, Ndreu. Një mënyrë e pastër korruptive dhe në shkelje të hapur të ligjit. Kjo është mënyra se si sot po vjedhin pushtetarët. Kjo është skema që po aplikohet në shumë institucione, por PD ka zbardhur të plotë këto afera të OSHEE me funksionarët e lartë të PS.
Paratë që u zhvati shqiptarëve, me dhunën policore dhe kërcënimet me burg, i ka shpërndarë si dhuratë për një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh.
Arben Shahini