Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues treguan shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset dhe lehtësim të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë. Shtrëngimi i lehtë i kushteve të kreditimit për bizneset është shënuar për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatore, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë.
Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike. Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve.
Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, zvogëlimit të komisioneve dhe rritjes së raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave.
Kërkesa për kredi regjistroi rritje në tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas raportimeve të ekspertëve të bankave, si nga bizneset ashtu edhe nga individët. Për bizneset, rritja u shënua kryesisht nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shfaqën rënie të kërkesës. Për sa i takon kërkesës së individëve, bankat raportuan rritje të kërkesës, si për kredinë konsumatore ashtu dhe për kredinë për blerje banese.
Bankat presin që standardet e kredisë për biznese të mbeten thuajse të pandryshuara, ndërkohë që ato për individë pritet të lehtësohen gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016. Kërkesa për kredi pritet të shënojë rritje në tremujorin e katërt të vitit 2016, si për bizneset ashtu edhe për individët.