Makina vret një grua te semafori në Tiranë, 4 të plagosur në Bulqizë

Aksidentet marrin për ditë jetë njerëzish. Vetëm pasditen e djeshme ndodhën tre aksidente me pasojë vdekjen e një gruaje në semafor në Tiranë dhe plagosjen e 4 të tjerëve në Bulqizë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën. Në Tiranë ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:05 tek semafori i Laprakës, ku një grua ka ndërruar jetë, pasi është përplasur nga makina. Sipas burimeve të policisë, një automjet me targa AA 422 MS që drejtohej nga shtetasi A. C., ka aksidentuar këmbësoren Age Beqiri, 58 vjeçe, e cila u dërgua në SQU, por ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, qytetarët bërtisnin për ambulancën, por ashtu si në mjaft raste, ajo ka ardhur me vonesë. Ndërsa mbeten për t’u sqaruar rrethanat e këtij aksidenti ndodhur pranë semaforit, qytetarët kanë dëshmuar përmes pamjeve ngjarjen e rëndë. Në një video dëgjohet personi që ka regjistruar pamjet, teksa thotë se, ambulanca u vonua më shumë se 10 minuta. Ngjarja ka tronditur qytetarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë.
Po ashtu, një aksident me pasojë 4 të plagosur ka ndodhur pasditen e djeshme në Bulqizë. Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30  tek “Tre çezmat”, në aksin rrugor Shupenzë-Bulqizë, pasi ka patur një përplasje mjetesh. Automjeti tip “Furgon” me targa AA 925 FO me drejtues M.H që transportonte pasagjerë nga Tirana për në Peshkopi është përplasur me automjetin “Peugeot” me targa  AA 714 MU, me drejtues E.T që lëvizte nga Peshkopia për në Tiranë. Si pasojë janë plagosur dhe janë në gjendje të rëndë F. H rreth 40 vjeç dhe N.I rreth 65 vjeç, të cilët janë transportuar me helikopter drejt Tiranës.
Gjithashtu janë plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën G.T, 18 vjeçe nga Dibra, e cila po transportohet për në Spitalin e Peshkopisë dhe L.L, 59 vjeçe po nga Tirana, e cila po transportohet me ambulancë për në Tiranë. Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit. Drejtuesit e mjeteve janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.
Po pasditen e djeshme, ka ndodhur një tjetër aksident në Vaun e Dejës. Mësohet se, një automjet ka rënë poshtë urës së Spatharit në zonën e Shkodrës, duke përfunduar në ujërat e lumit Drin. Burime policore bëjnë me dije, se në automjet ndodhej vetëm drejtuesja, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se drejtuesja e mjetit është 19 vjeçe dhe u nxor shëndosh e mirë nga uji. Anila Fiku kishte humbur drejtimin e mjetit, duke rënë poshtë Urës së Spatharit në Bashkinë Vau i Dejës. Fillimisht, ndërhynë banorët e zonës dhe më pas policia që arritën të nxjerrin vajzën e re nga ujërat e Drinit. Ajo u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën.

Artikulli paraprakPolicia e Veliajt vjedh tregtarët ambulantë
Artikulli tjetërRama-Tahiri po fshehin provat e drogës dhe mbrojnë trafikantët