Rama krenar për shëndetësinë, shpërthejnë komentuesit në FB e tij

Nuk janë të paktë komentuestit që kritikojnë mënyrën e qeverisjes Rama, por kur bëhet fjalë për sektorin e shëndetësisë, aty bien të gjitha dakord. Një video e vetme e publikuar në faqen e Kryeministrit në Facebook ka mjaftuar që të zemërojë qindra njerëz që e ndjekin në rrjetin social. “Rruga e Rilindjes së Shëndetësisë mbetet një sfidë tejet e vështirë, por krahasuar me 3 vjet më parë”, shkruan Rama, duke nënkuptuar se ka shumë përmirësime.
Mesa duket këto përmirësime të tri viteve i ka parë vetëm Rama, pasi komentuesit i janë sulur me një lum kritikash duke i thënë se premtimet e tij për shëndetësinë ishin mashtrim për t’i vjedhur votën dhe se shëndetësia do të ndryshojë kur vetë politikanët të kurohen aty e jo jashtë shtetit. Rama duket të ketë pasur shumë kohë ditën e djeshme, pasi i është përgjigjur një më një kritikave të komentuesve. Por më kot, nuk i ka bindur dot.
Më poshtë janë disa nga komentet:
– Ky është ndër të vetmit sektorë ku ju si Kryeministër nuk duhet dhe nuk mund të jeni krenarë dhe të pretendoni se keni bërë diçka, ilaçet nëpër pavijone mungojnë (aty edhe betadina dhe pambuku mungojnë), vetëm shërbim nuk mund të marrësh. Gjithçka do e paguash, duke filluar që nga polici te dera edhe deri te mjeku….. përveçse të duhet të blesh ilaçe ka dhe shumë analiza që duhet t’i bësh te privati se shteti nuk i bën (si për shembull, dedimeri që kushton 3800 lekë të rinj)…. Vetëm ai që e ka provuar të ketë një familjar në spital e di shumë mirë se në çfarë derexheje është shëndetësia në këtë vend.
– Vazhdon njësoj deri kur shërbimi mjekësor të të trajtojë si njeri dhe jo si portofol, deri kur klinika të jetë në kushte normale, deri kur ti kur shkon të kërkosh ndihmë mos të mendosh në duart e kujt kam rënë, do të gjej derman apo jo …….
– Po ç’thoni kështu? As ti vetë nuk e beson këtë që shkruan… Vetëm rilindje nuk shihet kurrkund në asnjë vend… Po i vdisni njerëzit për së gjalli…
– Sot në periudhën e “Rilindjes”, shëndetësia është pjesa ku çalon më shumë sistemi i qeverisjes. Është fusha ku njerëzit kanë humbur besimin dhe shpresën.
– I gënjeve një herë njerëzit që ja more votën, po kësaj here s’i gënjen dot më, po më mirë jep dorëheqjen vetë.
– Do të themi që shëndetësia ka ndryshuar momentin kur ju dhe politikanët e tjerë të vizitoheni aty ku shkon populli. Nuk mund të thuash ka ndryshuar për sa kohë ky popull vdes tek ushtaraku dhe gjithë politikanët për një gërvishtje të vogël shkojnë në privat dhe jashtë vendit.

Artikulli paraprakTeodor Laço, nëse nuk do të lirohej ai litar…
Artikulli tjetërSkandal në QSUT, gazetarja Sako jep alarmin: Po torturohen pacientët